E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, tri kallëzime në prokurori

Partia Socialiste dorëzoi dje në Prokurorinë e Tiranës tri kallëzime penale që lidhen direkt me procesin e kartave të identitetit. Kallëzimi i parë, ashtu siç u paralajmërua para disa ditësh, është ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme që sipas PS-së manipuluan të dhënat në dokumentet zyrtare për kartat. Kallëzimi i dytë, ndaj një funksionari të PD-së që shet kuponë në këmbim të votës, kurse i treti për një shtetas që ka falsifikuar një kartë identiteti. Sipas selisë rozë, të tria këto fakte janë provë për pasigurinë e votës më 28 qershor. Në kallëzimin e parë, objekt janë persona me funksione publike dhe politike, pranë Ministrisë së Brendshme, si dhe persona të paidentifikuar, në bashkëpunim, që kanë kryer veprime të kundërligjshme, duke konsumuar elementët e figurës të veprave penale lidhet me shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve. Kallëzimi erdhi si rezultat i informacionit që Ministria e Brendshme vuri në dispozicion të selisë rozë. Pas verifikimit, zyrtarët e lartë të kësaj partie dolën në përfundimin se personat në fjalë kanë dhënë informacion të rremë dhe kanë fshehur informacionin real. Kallëzimi i dytë e ka fillesën nga fakte që janë paraqitur në "Fiks Fare". Objekt i tij është një sekretar lokal i PD-së, i cili u premtonte shtetasve që do merrnin kartën e identitetit falas, nëse ata votonin për PD-në. Kallëzimi i tretë penal lidhet me falsifikim të kartës së identitetit dhe është i bazuar te pamjet e paraqitura publikisht nga kamera e "Fiks Fare". Objekt i këtij kallëzimi është një

shtetas i paidentifikuar që ka aplikuar, jo më pak se katër herë, për të marrë kartën e identitetit. Ai ka arritur të realizojë aplikime në disa qarqe, duke i mundësuar vetes, veç të tjerave, të votojë jo më pak se katër herë.

Ministria

"Aplikoi disa herë?

Po e hetojmë"

Ministria e Brendshme deklaroi dje në një komunikatë për median se shtetasi Erlind Pashollari, lindur në Pogradec, pasi ka aplikuar dhe është pajisur me kartën e identitetit, është paraqitur sërish në zyrën e aplikimit, duke deklaruar se karta i ka humbur dhe do të pajiset me kartën e re. "Kompania e ka pajisur me një kartë të re me gjeneralitete të njëjta. Kjo procedurë nuk e cenon aspak sigurinë e sistemit, pasi është pajisur i njëjti person me një kartë të re, por me të dhëna që i përkasin vetëm atij", thuhet në njoftimin e ministrisë, e cila shton se shtetasi Erlind Pashollari po hetohet për mashtrim. Sakaq, dje Ministria e Brendshme dorëzoi paradite listat e zgjedhësve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, bëri të ditur listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. 3.084.067 është numri përfundimtar i zgjedhësve që do të shkojnë në kutitë e votimit, ndërkohë që numri i qendrave të votimit në gjithë vendin është 4812 qendra. Tirana është qarku me më shumë qendra votimi, 824 të tilla, i ndjekur pas nga Elbasani me 557, ndërsa Kukësi ka numrin më të vogël të tyre, 226 të tilla. "Ne, sot, pas disa veprimeve, dërgesave në regjistër dhe pasqyrimit të të gjitha veprimeve dhe vendimmarrjes së kryetarëve në të dhënat nga listat paraprake në listat përfundimtare, rezulton që numri total i zgjedhësve sipas vendimmarrjes së kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore në listën përfundimtare është 3.084.067 dhe numri total i qendrave të votimit në Shqipëri është 4812", u shpreh Poni. Lista përfundimtare e zgjedhësve është botuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme. "Gjithkush mund të verifikojë fare lehtë emrin e tij në listën përfundimtare të zgjedhësve. Në më pak se një sekondë në kërkim shfaqen të dhënat e zgjedhësit dhe përbërësit zgjedhorë", u shpreh zëvendësministri i Brendshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›