PD, lista e Këshillit Kombëtar drejt përfundimit
PD-ja pritet t'i japë fund numërimit. Lista shtyhet edhe për shkak të vizitës së Berishës jashtë
TIRANË - Emrat e 100 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike nga 400 kandidaturat që votuan delegatët në punimet e Kuvendit të PD-së të mbajtur ditën e hënë, pritet të bëhen publike brenda dy ditësh.
Sipas burimeve nga selia blu, bëhet e ditur se zgjatja e procesit të numërimit ka ardhur për shkak të numrit të madh të kandidaturave, që janë votuar nga 1218 delegatët e ardhur në Kongres.
Ndaj dhe përbërja e re e Këshillit Kombëtar pritet që të shtyhet edhe për pak kohë, ndërkohe që nga dje edhe Kryeministri Berisha është nisur për në Danimarkë për një vizitë tre ditore. Pak ditë më parë, Kuvendi i 9-të i Partisë Demokratike votoi unanimisht për Sali Berishën kryetar edhe për një mandat tjetër katër vjeçar.
Një ndër kompetencat e Kuvendit Kombëtar është edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, i cili në një mbledhje të afërt duhet të miratojë në bazë të statutit, dy nënkryetarët e rinj, sekretariatin dhe sekretarin e Përgjithshëm.
Në listën e kandidaturave për Këshill Kombëtar përfshihet stafi i ngushtë i Berishës, emra zv.ministrash, drejtorë drejtorish, si dhe zërat kundër të politikës së ndjekur deri më tani nga kjo parti.
Nisur nga kompetencat që ky Këshill ka, gara për të qenë pjesë e saj është mjaft e madhe, veçanërisht këtë vit, ku në listën e 400 kandidaturave, 60% janë prurje të reja, kryesisht të propozuara nga vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Kështu në listën e kandidaturave përfshihen emra këshilltaresh, shumica e të cilëve pa asnjë kontribut në Partinë Demokratike. Kandidatët që mbushin listën e gjatë janë edhe drejtorë drejtorish apo edhe ministra të kabinetit qeveritar.
Ndërkohë, që nuk mungon as emri i këngëtares Çiljeta Xhilaga, për të cilën vetë kryeministri Berisha në një intervistë televizive tha se kishte dhënë kontribut për PD-në.