E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për fëmijët: Kur të duan, le të hyjnë në politikë



Kreu i qeverisë, Sali Berisha, për herë të parë foli mbrëmë për mundësinë e përfshirjes së fëmijëve të tij në jetën politike. Ai pohoi se nuk do t’i inkurajonte as Argitën dhe as Shkëlzenin, por as nuk do t’i pengonte nëse ata do të kishin dëshirë ta bënin një gjë të tillë. Z. Berisha përmendi faktin se të dy fëmijët dhe dhëndri i tij, Jamarbri, e kanë ndihmuar gjatë fushatës elektorale, ndërkohë që pohoi se ata kanë investuar për PD-së prej shumë vitesh. “Kanë investimin në PD që të dy. Derën e kanë të hapur, mund të marrin pjesë në politikë, por pa favor. Kanë provuar shumë provacione dhe përzgjedhje në jetën e tyre, por nuk di të kenë ndonjë ambicie për hyrjen në politikë. Nëse po, unë do t’i inkurajoja. Që të dy duhet të ecin vetë. Ndaj mund të hyjnë në politikë, kur të duan ndonëse nuk më ka thënë asnjëri, as vajza dhe as djali se do të përfshihen në politikë. Nuk them se do të jetë një zhvillim i ardhshëm. Më kanë ndihmuar shumë në fushatë. Kanë mbuluar disa aspekte, edhe Abri më ka ndihmuar shumë në fushatë”, - u shpreh z. Berisha. Sipas tij, ata duhet të bëhen pjesë e politikës vetëm nëse zbatojnë rregullat, në të kundërt ata nuk do të favorizohen prej tyre. Duke pohuar se në familje nuk është kryetar i Këshillit të Ministrave por prind i tyre, Berisha deklaroi për shqiptarët se asnjëri prej tyre nuk ka abuzuar me pushtetin e të atit. Sepse ndonëse të dy janë juristë, ata e kanë të ndalur që të merren me çështjet publike, ndaj kanë preferuar ato private. Berisha foli me garanci të plotë se as Argita dhe as Shkëlzeni, në asnjë rast nuk janë abuzuar dhe se opozita mashtron, deri dhe me implikimin e djalit në çështjen e “Gërdecit”. Kjo, - tha Berisha, - është një sajesë e Edi Ramës, i cili nuk nguroi të merret me rrogën e vajzës që në momentin që ajo la Kosovën dhe u kthye në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›