E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD nis bisedimet për koalicion me PDR

18/01/2005  PD dhe PDR kanë filluar bisedimet për bashkëpunim në zgjedhjet e qershorit të këtij viti. Burimet thanë se, gjatë këtyre ditëve, kryetari i Grupit parlamentar, Nard Ndoka, ka zhvilluar një bisedë paraprake me seketarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode, si dhe me nënkryetaren e kësaj partie, Jozefina Topalli, ndërsa bisedimet Pollo-Berisha pritet të zhvillohen në muajin shkurt. Burimet thanë se vetëm pasi të kthehet kreu i demokratëve nga "Mëngjesi i lutjeve" amerikane. Pas largimit të një pjese të mirë të aleatëve nga koalicioni "Bashkimi për Fitore", PD-ja ka rënë dakord në parim të nisë negociatat me përfaqësuesit e PDR-së.

Takimi

Burime nga PDR shprehen se ky do të jetë takimi, ku do të përcaktohen dhe kushtet apo kriteret e bashkëpunimit mes PD-së dhe të larguarve të PDR-së. Fillimin e bisedimeve e ka konfirmuar dje për gazetën "Metropol" kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, i cili shprehet se ka pasur kontakte për këtë çështje me sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode, si dhe me nënkryetaren e kësaj partie, Jozefina Topalli, në parlament. "Të dy përfaqësuesit e lartë të PD-së kanë rënë dakord në parim për të filluar bsedimet. Për sa i përket takimeve në rang kryetarësh, do të pritet dhe ardhja e kryetarit Berisha nga "Mëngjesi i Lutjeve" dhe më pas do të negociojmë për hapat e mëtejshme", tha Ndoka. Nga ana tjetër, ai shprehet se kriteret apo kushtet në tryezën e bisedimeve nuk kanë pse bëhen pengesë për bashkëpunimin mes PDR-së dhe PD-së, pasi ato janë fryt i negociatave. "Ne jemi optimistë për rezultatin e bisedimeve. Kriteret apo kushtet e bashkëpunimit nuk besoj se do të përbëjnë pengesë në negociatat që mund të zhvillohen mes nesh dhe PD-së, pasi ato mbeten të diskutueshme dhe të negociueshme", tha Ndoka.

Aleancat

Por, ndërkohë që PDR shprehet e gatshme të hapë negociatat dhe diskutojë kushtet e aleancës me PD-në, në të njëjtën kohë hedh poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me lëvizjen më të re, të dalë nga krahu opozitar, LZHK-në. "Ofertat për të bashkëpunuar me LZHK-në na kanë ardhur dhe më parë. Madje, kryetarit Pollo iu propozua që të jetë në krye të kësaj lëvizjeje, dhe nuk e pranoi. LZHK-ja dhe deputetët, që janë mbledhur rreth saj, kanë probleme mbijetese, ndërsa ne e kemi elektoratin tonë", thotë Ndoka. Gjithsesi, suksesi apo dështimi i bisedimeve do të shihet në shkurt, kur parashikohet të zhvillohet dhe takimi mes Pollos dhe Berishës. Dy partitë, PDR-ja dhe PD-ja, tentuan dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2003 të bëjnë aleancë mes tyre. Por kjo nuk u realizua për shkak të pretendimeve mbi ndarjen e kandidatëve për kryetarët e Bashkive në disa qytete kryesore të vendit. Nga ana e tyre, reformatorët kërkuan të vendosnin kandidaturat në qytete të tilla si Durrësi dhe Shkodra. Këto kushte nuk u pranuan nga Partia Demokratike. Gjithsesi, pavarësisht nga bisedimet e deritanishme, do të jenë kryetarët Pollo dhe Berisha, që do të vendosin nëse në zgjedhjet e ardhshme aleancës së deritanishme PD-PR do t'i shtohet dhe sigla e PDR-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›