E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikthehet llotaria Gjermane

18/01/2005  Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për punësimin e rreth 1000 shqiptarëve në vit në këtë shtet do të nisë të funksionojë në vitin 2005. Marrëveshje është ndërperë në vitin 1997. Lajmin e ka konfirmuar shefi i kabinetit të Ministrisë të Punës dhe Çështjeve Sociale, Reiz Mulita, në një intervistë për Radion Gjermane Dojçe Velle. Ai tha se kanë filluar bisedimet për këtë qëllim mes dy palëve dhe fillimi i këtij viti do të realizojë dhe implementimin e marrëveshjes. Por kjo ofertë ka shtatë vjet që nuk shfrytëzohet, pasi "mungojnë partnerë të besueshëm nga pala shqiptare", ka sqaruar për Dojçe Velen në shqip, Klaus Shuldes, drejtor i sektorit të Lindjes në Zentralstelle fuer die Arbeitsvermittlung (ZAV) (shqip: Qendra e Ndërmjetësimit të Punës) ZAV-i ka mundësuar deri tani punësimin e përkohshëm në Gjermani të shumë shtetasve të vendeve të ish-bllokut të Lindjes. Janë gjithsej 13 vende, që ashtu si Shqipëria, kanë lidhur marrëveshje të ngjashme me Gjermaninë. Numri i të ndërjmetësuarve është mbi 11.000 në vit. Shuldes, thotë se pala gjermane deri më tani është treguar mosbesuese mbi partneritetin që negocion prej palës shqiptare. Gjithsesi, sipas Shuldes, ndryshimet e viteve kanë bërë që Gjermania të ndryshojë qëndrim dhe të rinisë bisedimet për realizimin e kësaj marrëveshjeje.

Zoti Shuldes, si funksionon marrëveshja e punësimit të përkohshëm me vendet e Lindjes?

Gjermania ka rënë dakord me 13 shtete për ndërmjetësimin e punëmarrësve. Kjo marrëveshje parasheh, që shtetas të këtyre vendeve të lejohen të punojnë në Gjermani për maksimalisht 18 muaj, me qëllim që të përmirësojnë njohuritë e tyre gjuhësore dhe profesionale.

Pra, marrëveshja nuk është patjetër në dobi të ekonomisë gjermane, por ka karakter humanitar?

Këto praktika kanë lindur në fillimet e viteve '90-të, kur në shumë vende të Evropës së Mesme dhe të Lindjes ndodhi kthesa politike. Kjo ishte një ofertë, që njerëzit të mund të përfitonin me anë të kualifikimit. Mbas kthimit në vendet e tyre, ata do të mund të jepnin ndihmesë aktive në rindërtimin ekonomik.

Cilat janë kushtet që duhet të përmbushin punëdhënësit dhe punëmarrësit për të marrë pjesë në këtë program?

Nga ana e punëdhënësit presim, që ky të jetë në gjendje të kualifikojë fuqi punëtore. Për shembull, në qoftë se bëhet fjala për një punishte, aty duhet të ketë të paktën një mjeshtër. Ndërsa nga kandidati kërkojmë, që ai të ketë një kualifikim, në mënyrë që të ketë mundësi të specializohet. Gjithashtu, kandidatët duhet të jenë maksimumi 40-vjeçar dhe natyrisht që duhet të kenë njohuri të gjuhës gjermane. Në rast të kundërt, nuk mund të kryhet specializimi.

Si testohen njohuritë e gjuhës?

Ne i zgjedhim vetë kandidatet dhe kandidatët. Zhvillojmë me ta intervista në gjuhën gjermane. Niveli gjuhësor varet nga puna që do të bëjë. Në qoftë, se për shembull një dikush do të punojë në restorant si kamarier, atëherë duhet të jetë në gjendje të shërbejë klientët. Prej tij kërkohen njohuri më të mira, sesa prej dikujt tjetër, që do të vijë të punojë si marangoz, ku ndoshta mjaftojnë edhe njohuri të së përditshmes.

Po në qoftë se dikush ka mbaruar shkollën e lartë? Për shembull, a mund të punojë një mjek i diplomuar në një spital?

Për ne ka rëndësi që kandiduesi të ketë përfunduar një kualifikim. Ky mund të jetë fituar si përmes punës praktike, ashtu edhe përmes shkollës së lartë.

A mund të përfitojnë punëmarrësit përmes ligjit të ri të migracionit, që ka hyrë në fuqi në fillim të vitit?

Jo, sepse marrëveshja e punëtorëve mysafirë bazohet në një dakordim qeverish dhe vazhdon të zbatohet si më parë. As në të kaluarën, e as për të ardhmen nuk janë parashikuar të bëhen kurse integrimi. Punëtorët janë të ftuar në Gjermani vetëm për 18 muaj. Pastaj ata duhet të kthehen në vendet e tyre. Nuk kanë të drejtë të marrin pjesëtarët e familjes.

Edhe jashtë shtetit tashmë është i njohur fakti, se në Gjermani ka mbi 4 milionë të papunë. Çfarë roli luan në këto vendime situata në tregun gjerman të punës?

Ne përpiqemi seriozisht e me të gjitha mundësitë për të ndërmjetësuar vende pune. Por, gjatë viteve të fundit, kemi vënë re që situata në tregun gjerman të punës është keqësuar dhe që kemi mundur të ndërmjetësojmë, vetëm në bazë të ofertave konkrete. Numri i vendeve të punës ka rënë. Vetëm, se këtu dua të nënvizoj, që kjo marrëveshje hap dy rrugë. Njëra është, që një punëmarrës gjerman, e njeh vetë punëtorin dhe e kërkon atë me emër. Atëherë ne vetëm sa kontrollojmë, se a përmbushen kushtet e kualifikimit. Ndërsa rruga e dytë, është siç e thashë pak më parë, që ne kemi ofertën konkrete nga punëdhënësi dhe në bazë të kësaj gjejmë punëtorin e përshtatshëm nëpër vendet e marrëveshjes.

Si ecën bashkëpunimi me vendet e tjera?

Në marrëveshjet ndërqeveritare përcaktohen kontingjentet konkrete. Për shkak të rënies së ofertave gjatë viteve të fundit, asnjë shtet nuk ka mundur të shfrytëzojë tërësisht kontingjentet e veta. Sa i përket Rusisë dhe Shqipërisë, duhet nënvizuar se ne nuk kemi një partner të besueshëm në qeveritë e këtyre vendeve. Kjo ka bërë që në aspektin operativ, për momentin, të mos e zbatojmë dot marrëveshjen.

A e dini se si ka ardhur deri në këtë gjendje?

Jo, nuk kam dijeni. Di vetëm, që kemi disa vjet, që nuk ndërmjetësojmë asnjë shtetas shqiptar, për mungesë të partnerëve të përshtatshëm.

Le të supozojmë, që një shqiptar e ka gjetur punëdhënësin e tij në Gjermani dhe dëshiron ta shfrytëzojë këtë marrëveshje. Ku duhet të drejtohet ai në Shqipëri?

Sikur ta dija…! Në këtë moment nuk mund të shkojë në asnjë vend, sepse, siç e thashë, nuk ka asnjë ent shtetëror të njohur nga ne, me të cilin mund të kooperonim. Ky është shkaku, që për shtetasit shqiptarë kjo marrëveshje nuk ka vlerë.

Ka ndonjë mënyrë tjetër për të punuar në Gjermani, kur e ke të siguruar vendin e punës, përveç marrëveshjes në fjalë?

Ligji i migracionit ofron mundësi për personat me kualifikime të veçanta. Por ne nuk kemi lidhje me të. Në këtë rast, shtetasi shqiptar duhet të shtrojë kërkesën për vizë në ambasadën gjermane. Pastaj bëhet kontrolli nëpërmjet Entit të të Huajve dhe atij të Punës në vendin ku ndodhet ndërmarrja.

Ku qëndron ndryshimi mes jush dhe kësaj procedure?

Ne veprojmë përmes një marrëveshjeje ndërqeveritare, që mundëson punësime me qëllime kualifikimi.

Në cilën degë të industrisë ka qenë një nga sukseset tuaja më të fundit?

Për shembull, kemi dhënë një ndihmesë të madhe në sektorin e shëndetësisë. Kemi mundur të furnizojmë spitale me infermierë, pasi në tregun gjerman të punës kishte mangësi. Njëkohësisht këta infermierë patën rastin të shohin nga afër se si funksionon një sistem modern i shëndetësisë e të zgjeronin kështu njohuritë e tyre.

Nga cili vend ishin puntorët?

Nga të gjitha vendet me të cilët kemi marrëveshje, përveç Shqipërisë dhe Rusisë, me të cilat marrëveshja nuk funksionon. Kjo nuk është në dorën tonë. Kur të kemi gjetur partnerin e përshtatshëm, atëherë do të bashkëpunojmë me të.

Po bashkëpunimi i mëparshëm, si ka qenë?

Ka patur një përpjekje për të bashkëpunuar. Por edhe kjo nuk ka ecur pa kërkime. Por ne jemi të gatshëm t’u ndihmojmë partnerëve dhe përpiqemi që të realizojmë një bashkëpunim të mirë dhe të qendrueshëm. Gjithashtu, ka patur edhe shumë vërejtje në adresë të punëtorëve shqiptarë. Punëdhënësit gjermanë janë ankuar për mungesë përpikmërie, korrektese, shumë prej tyre nuk e kanë filluar fare punën, por e kanë përdorur vizën për të punuar në mënyrë ilegale gjetkë. Ka pasur shumë probleme.

A mos ka kjo si pasojë, që ju nuk do të angazhoheshit me dëshirë për Shqipërinë?

Jo, jemi shumë objektivë dhe të gatshëm për bashkëpunim, sepse mendojmë që gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar disa gjëra në Shqipëri. Në qoftë se do të fillojmë bashkëpunimin, shpresojmë që nuk do t’i përjetojmë problemet në po atë masë, sa ç’i kemi patur në të kaluarën.

Mulita: Kemi nisur bisedimet me Gjermaninë

Shefi i kabinetit të Ministrisë të Punës dhe Çështjeve Sociale, Reiz Mulita, thotë se kanë nisur bisedimet për zbatimin e marrëveshjes me Gjermaninë. Sipas tij takimet janë zhvilluar me zyrtarët më të lartë të Gjermanisë.

Mes Gjermanisë dhe Shqipërisë ekziston një marrëveshje për këmbimin e fuqisë punëtore. Në gjermanisht ajo mban emrin Gastarbeiternehmer-Vereinbarung. Me ç’emër njihet në shqip?

Marrëveshja është nënshkruar më 12 dhjetor 1991 dhe ka pasur si përmbajtje punësimin nërpërmjet mësimit të gjuhës gjermane dhe formimit profesional. Pas viteve '96-'97, ajo nuk është aplikuar më.

Cila është arsyeja?

Kjo i takon periudhës së viteve kur ne nuk kemi qenë në qeverisje. Në fillim të vitit 2004, me ardhjen e tij në drejtimin e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ministri i ri ka synuar të riaktivizojë këtë marrëveshje dhe të krijojë marrëveshje të reja me Gjermaninë. Në ndihmesë të kësaj, ai ka zhvilluar takime të drejtpërdrejta me homologët gjermanë. Në Gjenevë është takuar me Sekretarin parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Punës, zotin Gerd Andres, të cilit i ka kërkuar riaktivizimin e kësaj marrëveshjeje dhe marrëveshjeve të mëparshme që ekzistonin në fushën e punësimit dhe të formimit profesional midis Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Zoti Mulita, përse duhet ndërhyrja e sekretarit të Shtetit, kur në marrëveshje përcaktohen fare mirë palët kontaktuese?

Unë po evidentoj përpjekjet e vetë titullarit më të lartë të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, zotit Bejtaj, për të shfrytëzuar gjithë komunikimet dhe kontaktet e mundshme me nivelet më të larta, siç ka qenë rasti i takimit me zotin Andres në Gjenevë, sepse nuk kemi eksperiencë, se kush e ka zhvilluar këtë marrëveshje dhe në cilat linja ka qenë.

Drejtori i grupit të punës për Evropën Lindore në ZAV, Klaus Shuldes, është shprehur në një intervistë me Dojçe Velen me fjalët: Në Shqipëri na mungon një partner i besueshëm. Ai tha, se është i gatshëm për rifillimin e bashkëpunimit, por se deri tani nuk ka marrë ndonjë ftesë të këtillë nga pala shqiptare…

Atëherë, ai duhet ta di, që ne kemi komunikuar me zotërinë që të thashë, me sekretarin e Shtetit…

dhe keni folur konkretisht për këtë çështje?

…ka folur konkretisht, midis fushave të tjera të zgjerimit të bashkëpunimit me Gjermaninë, për vetë arsyen dhe eksperiencën që ne mund të përfitojmë me palën gjermane, edhe për këtë çësthje…

Si ka qenë reagimi i Sekretarit të Shtetit për këtë problem?

Është treguar i gathshëm dhe i hapur për çdo lloj komunikimi që i shërben riimplementimit të kësaj marrëveshjeje.

Kur ka ndodhur ky komunikim?

Kjo ka ndodhur në konferencën e Gjenevës

Kur ka qenë konferenca e Gjenevës?

S'mund t'ua u them saktësisht datën tani?

Po muajin?

Këto janë pyetje rrufe! Pastaj, është vazhduar me një letërkëmbim midis dy ministrave, zotit Volfgang Klement dhe ministrit, dhe është lënë që në fillim të vitit, pra të 2005-ës të këmbehen grupe specialistësh për të rifilluar riimplementimin e kësaj marrëveshjeje.

Kur do të bëhet kjo?

Filloi viti, dhe do të bëhet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›