E Diel, 1 Nëntor 2026

PD nis përzgjedhjen e kandidatëve në Vlorë

02/04/2005  Demokratët nisin bisedimet me Karamelon për mbështetje në zonat minoritare

Berisha i pavendosur për kandidatin përballë Nanos, LDLNJ përzgjedh Edmond Milorin

Partia Demokratike ka filluar përzgjedhjen e emrave, që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në qytetin e Vlorës. Emrat e Bujar Leskaj, Ardi Kollozi, Duka Muço, Xhevahir Rexhepi, Fatos Beja dhe Agron Sharra, janë deri tani emrat më të përfolur të momentit, që do të hyjnë në garën parlamentare në Vlorë. Ndërkohë, për të ndaluar rrjedhjen e votave në zonat me pakicë minoritare, PD-ja pritet të bëjë aleancë me LDLNJ-në e Karamelos.

Kandidatët

Përballë ministrit të Financave, Arben Malaj, kandidaturë e në Novoselë të Vlorës, e PS-së, Partia Demokratike ka parë si më të përshtatshme kandidaturën e Ardi Kollozit. Ndërkohë, brenda në qytet pritet të kandidojë Bujar Leskaj, pedagog i në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, i thirrur nga bota akademike. Ndërkohë, në qytetin e Vlorës pritet të kandidojë dhe sekretari për Burimet Njerëzore në PD, Fatos Beja. Gjithsesi, burime në PD shprehen se emrat do të vendosen përfundimisht, pasi të merret dhe mendimi i bazës së demokratëve të këtij qyteti. Të njëjtat burime thonë se lideri demokrat Berisha po tregohet shumë i vëmendshëm ndaj përzgjedhjes së kandidatëve në Qarkun e Vlorës. Qëllimi i demokratëve është që në këtë Qark, i cili përfshin aksin Vlorë, Himarë, Sarandë, të parandalohet sa të jetë e mundur rrjedhja e votave nga e djathta. Ndërkohë, burime nga PD- ja bëjnë të ditur se në Kryesinë e PD-së po diskutohet dhe kandidatura që do të vihet përballë Kryeministrit Nano, dhe deri tani ka pasur një mori propozimesh, disa prej të cilave kanë ardhur edhe nga baza. Sidoqoftë, lideri demokrat Berisha nuk ka vendosur ende se cilin do të vendosë në zonën numër 99, pasi kandidatura që do të vendoset në zonën më të vështirë për demokratët duhet të ketë miratimin dhe përkrahjen e qendrës dhe të bazës.

Minoritetet

Por, për të marrë një numër sa më të madh votash në Qarkun e Vlorës, PD-së i duhet të llogarisë dhe ndikimin e PBDNJ-së në zonat minoritare. Për këtë qëllim, PD-ja ka hyrë në bisedime me Ligoraq Karamelon, kryetar i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, i shkëputur para pak kohe nga PBDNJ-ja, pas mosmarrëveshjeve me kryetarin Vangjel Dule. Ky i fundit e ka pranuar hapur bashkëpunimin me socialistët, duke mbyllur çdo shteg për bashkëpunim me opozitën. Vetë kryetari i LDLNJ-së, Ligoraq Karamelo, pohon se ka hyrë në bisedime me krerët e PD-së, me qëllim bashkëpunimin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, bashkëpunimi duhet të kryhet me qëllim që të pengohet rrjedhja e votave të opozitës drejt së majtës.

Nga ana e saj, LDLNJ-ja duket se ka përzgjedhur dhe kandidaturën që do të konkurrojë përballë Kryeministrit Nano në Sarandë. Ai quhet Edmond Milori, dhe aktualisht është anëtar i pavarur i Këshillit Bashkiak të Sarandës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›