E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çuli: Shkarkimi i Biberaj, shkelje e standardeve demokratike

>Partia Socialdemokrate ka reaguar në një konferencë për shtyp për shkarkimin e zv ambasadorit dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në BE, Aleksandër Biberaj. Sipas deputetes së PSD Diana Çuli shkarkimi i Biberaj është shkelje e standardeve demokratike. Çuli shtoi se delegacionit shqiptar, për shkak të një veprimi të tillë, mund t'i hiqet e drejta e votës dhe se ky veprim dëmton rëndë imazhin e vendit, dhe Shqipëria kështu bën hapa mbrapa në procesin e integrimit. Më tej ajo shprehu se, pas skandalit të ligjit të dosjeve një ligj antikushtetues, maxhoranca qeverisëse vazhdon me skandalin tjetër të radhës atë të qëndrimeve antieuropë  e antiSHBA. Urdhri i kryetares së Kuvendit për shkarkimin nga detyra i deputetit Aleksandër Biberaj si kryetar i delegacionit shqiptar në KE dhe zëvendës president i Asamblesë së Këshillit të Europës, siç u shprehën vetë zyrtarët e lartë të këtij institucioni, është shkelje e standardeve demokratike. Delegacionit shqiptar, për shkak të një veprimi të tillë, mund ti hiqet e drejta e votës. Kështu dëmtohet rëndë imazhi i Shqipërisë, kështu kthehemi disa hapa mbrapa në procesin e integrimit. Këto veprime absurde kryhen në një periudhë të vështirë, kur e gjithë bota po përpunon politika dhe strategji për të përballuar krizën ekonomike, dhe vetëm qeveria shqiptare, me kokën në rërë si struci, shpall shifra të pabesueshme suksesesh imagjinare. Kur familjet shqiptare po vuajnë krizën dhe kur minatorët po vdesin në galeritë e rrënuara për bukën e gojës, qeveria shpall të ardhura të tilla të larta për frymë, të diktuara ndoshta nga të ardhurat e tyre dhe të familjarëve të tyre. Edhe raporti i fundit i IDRA-s agjencisë së USAID për zhvillim e vë theksin tek korrupsioni, i cili gjatë këtij mandati qeverisës është më i lartë se në fillimin e tij më 2005. Sali Berisha po futet në zgjedhje me institucione të kërcënuara. Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese po u bëhet presion të japin dorëheqjen, përpara se ligji i miratuar, por i dështuar, që do të përpiqet ti penalizojë, të publikohet në fletoren zyrtare. Sulmi ndaj tyre ka filluar dhe po përshkallëzohet. Gjyqtarët, në të gjithë hierarkinë e sistemit tonë gjyqësor ndodhen tashmë nën trysni të ndryshme nga ana e pushtetit. Prokuroria ndodhet gjithashtu nën sulme dhe kërcënime. Por besimi i qytetarëve është më i madh tashmë te sistemi i drejtësisë, me gjithë problemet, se tek qeveria. Prandaj dhe sulmet e saj ndaj këtij sistemi janë që në krye të dështuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›