E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, plani për të bllokuar Bashkinë e Tiranës

Mazhoranca ka përshkallëzuar planin e saj për t‘iu kundërpërgjigjur sulmit të opozitës me një kundërofensivë të re, e cila sipas të gjitha gjasave do të jetë një goditje ndaj liderit të socialistëve shqiptarë, Edi Rama. Pas akuzave të abuzimeve me pronat publike dhe me lejet e ndërtimit, selia blu do të përgatisë një kërkesë zyrtare për shkarkimin e kreut të bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama. Ky synim politik është shpallur nga kreu i këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, i cili është njëkohësisht dhe zv/ministër i Brendshëm. "Grupi i këshilltarëve demokratë do të kërkojë dhe realizojnë në mbledhjen më të afërt shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Edi Rama. Këshilli Bashkiak do të shkarkojë dhe do të kërkojë rivendosjen në normalitet dhe të vendimmarrjeve të tua abuzive", u shpreh Poni dje para mediave.

Burime të selisë blu bënë të ditur për "Shqip" se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës pritet të ketë një përplasje të fortë në sallë, ku do të bashkohen së bashku këshilltarët e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe do të kërkojnë shkarkimin e Ramës. Por sipas ligjit nuk është kompetencë e këshillit shkarkimi i kryetarit të bashkisë. Ai mund të shkarkohet vetëm me vendim qeverie dhe vetëm për çështje të përcaktuara qartë. Kjo sepse kryetari i bashkisë është subjekt që zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe si i tillë ai nuk është nomenklaturë e organeve të tjera. Madje kjo çështje është përcaktuar edhe në Kushtetutën e Republikës. Neni 115 i ligjit themeltar të shtetit shqiptar përcakton në mënyrë të qartë në pikën 1 të tij se "organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve". Ndërkaq, në pikën 2 theksohet se "organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet". Gjithashtu në ligjin nr. 8652, dt. 31.07.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore", në nenin 42 theksohet se "kryetari i komunës ose bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve, dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë nga gjykata, propozohet për shkarkim nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë. Pra edhe propozimin për shkarkim këshilli e ka të limituar.

Partia Demokratike ka 17 anëtarë në këshill, ndërsa LSI ka 6 dhe 7 të tjerë i kanë aleatët e vegjël, që gjithsej bëjnë 30 vota. PS ka 21 vota dhe bashkë me PBDNJ dhe PSD zotërojnë 23 anëtarë në këshill. Por të majtët mund të marrin edhe 2 votat e LZHK-së dhe PDK-së, e sërish janë në minorancë. Por në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak që u zhvillua në shkurt, edhe pse LSI ishte kundër buxhetit të bashkisë kaloi falë mbështetjes së disa prej aleatëve të PD-së. Qëndrimi i djeshëm i këshilltarëve demokratë është injoruar nga socialistët, të cilët kanë reaguar me një deklaratë të zëdhënëses Armela Imeraj, në të cilën theksohet se

"karagjozllëku me të vërtetën e me opinionin publik s‘ka të sosur. Del Poni i listave të manipuluara e kutive të mbyllura dhe kërkon shkarkimin e Ramës si kryetar bashkie me akuzat që Edi Rama i ka çuar në gjykatë e në prokurori! Këta zotërinj janë kapur mat te kutitë e mbyllura dhe çfarë nuk hapin e përhapin për të shpërqendruar vëmendjen. Sa për akuzat ndaj Ramës, janë dhjetë padi në gjykatë e dhjetë padi në prokurori që e presin Sali Berishën. Le të bëhet burrë e t‘i faktojë ato akuza të turpshme për çdokënd, jo më për një Kryeministër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›