E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi i skafeve, i dështuar

Në prag të sezonit turistik të 2009-ës, vendimi i qeverisë shqiptare që bllokoi për tre vjet rresht lundrimin e mjeteve motorike në det, e përfundoi efektin, por përmes një rregulloreje të brendshme nga ana e ministrisë iu dha urdhër policisë kufitare që të vijonte zbatimin e tij. Në këtë mënyrë ka funksionuar gjithçka deri më sot e pritet të funksionojë kështu deri në miratimin e vendimit të dytë të qeverisë, që pritet të marrë formën ligjore në muajin janar, sapo Parlamenti të rifillojë nga puna. Pas vendimit të qeverisë, vendimi pritet të shkojë për shqyrtim në komisionet parlamentare dhe më pas për miratim. Mjafton numri i votave që ka mazhoranca në Parlament për të rikthyer një ndër vendimet më të kontestuara në katër vitet e fundit. Një ditë pas vendimit të qeverisë, reagimet janë po kaq të ashpra sa tre vjet më parë. Tre ish-ministra socialistë e kundërshtojnë zbatimin për herë të dytë të tij, ndërsa deputeti socialist, Erjon Braçe, vë në dukje diskriminimin që sjell ai mes shtetasve shqiptarë dhe shtetasve të huaj. Ish-ministri i Rendit, Ilir Gjoni, vë në dukje se nisma është e panevojshme, në një kohë kur dy shtete fqinjë, Greqia dhe Italia, pranojnë se trafiku ka shkuar në nivelin zero. Ndaj, siç thotë ai, ky është një veprim i gabuar, i cili u motivua vetëm nga synimi hileqar për të shprehur qëllimin e qeverise para faktorit ndërkombëtar, për të luftuar trafiqet përmes kalimit të kufirit detar. "Çfarë mund të presësh nga një Kryeministër, i cili ka qenë organizatori më i madh i trafiqeve ilegale, të pohuara me gojën e tij dhe të dokumentuara imtësisht nga organizmat ndërkombëtare siç ka qenë rasti flagrant i thyerjes me ndërgjegje të plotë të embargos kundër ish- Jugosllavisë, duke furnizuar me naftë makinën ushtarake të Millosheviçit. Pa u ndalur më pas në trafiqet e armëve të përfolura shpesh në mediat ndërkombëtare e lokale. Dielli nuk mbulohet me shoshë", shprehet ai. Ndërsa Stefan Çipa, një tjetër ish-ministër i Rendit, thotë se nuk ka nevojë për kufizime të tilla, që shkelin të drejtat e njeriut që të luftosh trafikun. Sipas tij, edhe kur ky moratorium ka qenë në fuqi, ka pasur raste si ai i Butrintit, që tregoi qartë se trafiku i qenieve njerëzore vazhdonte. Një tjetër ish-ministër, Petro Koçi, vërejti se nisma nuk tingëllon mirë, sidomos tani që vendi është anëtar i NATO-s dhe dëshiron të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›