E Diel, 1 Nëntor 2026

PD qendrim të unifikuar me aleatët, Basha: Qeveria fillim jo të mbarë, duam transparencë

TIRANË- Partia Demokratike unifikon qëndrimin për të përdorur gjitha mjetet demokratike ndaj qeverisë ‘Rama’, për të mos lejuar mungesën e transparencës dhe llogaridhënies si dhe kontrollit parlamentar.

“Komunikimi konfliktual dhe refuzimi për transparencë është shenje e keqe dhe fillim jo i mbarë i mazhorancës. I japim mundësinë ta korrigjojë këtë gabim dhe i themi të tërhiqet nga ky akt që buron nga mungesa e seriozitet dhe përpjekja për të zhdukur transparencën. Nëse nuk reflektojnë opozita do të mbajë qëndrimin e unifikuar dhe të prerë për këtë akt të papranueshëm. Përgjegjësia është e mazhorancës. Bëjmë thirrje të shmangin konfliktualitetin dhe provokimet dhe ti kthehen normalitetit duke i siguruar kohën e nevojshme me kohën që kjo opozitë i ka dhënë opozitës që tashmë është në mazhorancë me qëllim që të kemi debat transparent. Qëndrim i unifikuar do thotë se ne jemi gati të marrim cdo hap për të mbrojtur parimet e shenjta të transparencës dhe llogaridhënies si dhe kontrollit parlamentar”, deklaroi Basha në një konferencë për shtyp, pas takimit me dyer të mbyllura me aleatët e PD-së. 

Numri 1 i demokratëve theksoi se mazhoranca përdori sot gjuhën e konfliktualitetit me opozitën, e cila kërkoi kohë për tu njohur me programin dhe për të përgatitur pyetjet në lidhje me premtimet që socialistët i kanë bërë shqiptarëve. Basha i bëri thirrje qeverisë “Rama’ të tërhiqet nga vendimi përndryshe do të përballet me reagimin e opozitës. 

“Sjellja arrogante e përfaqësuesve të mazhorancës, refuzimi për të kryer detyrimin në raport me Kushtetutën dhe qytetarëve shqiptarë është një problem i cdo qytetari shqiptar, ne konstatojmë mungesë të theksuar serioziteti tek kryeministri i dekretuar i cili për më shumë se një muaj ka marrë kohë publike për të njoftuar lloj-lloj emërimesh të këshilltarëve, seminare dhe konferenca të kabinetit në pritje pa bërë transparencën e programit. Sot u përdor gjuha konfliktuale me opozitën, në një kohë që kërkuam kohën e nevojshme për tu njohur me programin dhe për të përgatitur pyetjet në raport me premtimet. Shpresojmë që kjo opozitë të mos shtyhet në vendimmarrje nga mungesa e tolerancës dhe fryma e konfliktualitetit”, tha Basha.

PARTIA DEMOKRATIKE MBLEDH ALEATËT 
Ora 18:00 Zhvillimet e fundit politike kanë bërë që Partia Demokratike të mbledhë aleatët e saj, pasditen e sotme rreth orës 18:00 në selinë blu.

Ende nuk dihen detaje rreth takimit i cili po mbahet pa praninë e mediave, por pritet që në takim të diskutohet qëndrimi i aleatëve të PD-së në lidhje më debatin për programin qeverisës së PS. 

Gazetari Mariglen Mërtiri raportoi se kryetari i PD-së Lulzim Basha ka qenë i pari që ka mbërritur në seli, ndërkohë pas tij ka mbërritur aleati Dashamir Shehu dhe të tjerët me radhë, Fatmir Mediu i PR-së, Nard Ndoka i PDK-së dhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së.

Po sot, PD zhvilloi mbledhjen e grupit, ku në përfundim i ka kërkuar më shumë kohë PS për tu njohur me programin e qeverisë, duke deklaruar se nuk është gati për debat në seancën e nesërme. Por sipas tyre, kërkesat janë hedhur poshtë nga kreu i grupit të PS, Gramoz Ruci që u soll me arrogancë ndaj opozitës. 

PS MBLEDH GRUPIN
Ora 18:00 Partia Socialiste ka mbledhur pasditen e sotme rreth orës 18:00 grupin e saj në një takim më dyer të mbyllura në selinë rozë, e cila ka zgjatur vetëm 20 minuta. 

Ende nuk dihen detaje mbi mbledhjen, ndërkohë mendohet se fokus i takimit të ketë qenë programi qeverisës, i cili pritet që të marrë nesër “OK” e Kuvendit, teksa opozita kundërshton miratimin e saj pasi nuk i është dhënë kohë për të shqyrtuar. 

Deputetët socialistë pas mbledhjes nuk u prononcuan për median. 

PALOKA: RUCI ARROGANT. DUAM KOHË PËR PROGRAMIN OSE BOJKOTOJMË
Ora 16:50 ftuar në në rubrikën ‘Opinion’ në TVNEWS24 gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin Denis Minga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka zbardhi detaje të konferencës së kryetarëve, teksa tha se Gramoz Ruci i është drejtuar me fjalët 'Nuk i’u pyesim ju për programin”. Sipas Palokës ky është veprim arrogant, pasi opozita nuk mund të injorohet në këtë mënyrë teksa ka hedhur poshtë lajmin e shpërndarë nga selia rozë se kryeministri Rama i ka vënë në dispozicion programin qeverisës cdo deputeti bashkë me një letër.

“Në Kuvendin e Shqipërisë nuk është dorëzuar asnjë program. Seanca plenare është mbyllur pas votimit për kryetar. Deri në orën 15:55 nuk ka vajtur asnjë program në kryesinë e Kuvendit që dhe po të shkojë nuk ka deputet. Unë nuk kam marrë as program dhe as letër. Ne e lamë të komunikojmë me zotin Meta. Bisedova në telefon dhe më tha se kishte procedura që do më njihte. Por, nuk është kjo kryesorja. Më vjen keq për atë që tha zoti Vasili se ishte i pranishëm, dhe nëse nuk është arrogancë ajo që tha Ruci, me gjithë përpjekjet e Metës për të zbutur situatën ai tha prerë 'se nuk jemi këtu për të diskutuar se kur do paraqitet programi, pasi nuk do ju pyesim juve' tha ai copë dhe prerë. Unë i thashë nëse nuk jam këtu për t’ju pyetur po shkojmë të marrim vendimet tona të grupit. Nuk ka gjë më të rëndësishme në Parlament se programi i qeverisë. Gjë më të rëndësishme nuk mund të ketë pas buxhetit. Ne kërkuam 1 ditë kohë. Pasi minimumi duhet të lexojmë”, tha Paloka.

Paloka ka kërkuar 24 orë kohë për shqyrtimin e programit në të kundërt nuk ka përjashtuar bojkotin si masë ekstreme. “Ti opozitën e injoron dhe poshtëron, pasi i thua ne do bëjmë punën tonë. Ne do marrim vendimi tonë. Sot informova grupin në atë c’ka ndodh në konferencë. Të gjithë ishin dakord se ishte e papranueshme dhe i bëmë të qartë palës tjetër se nëse vijon me këtë këmbëngulje do marrim vendime tona ekstreme. Nuk përjashtohet bojkoti, situata janë ndryshe, pasi ne nuk duam të biem në hudhinë e tyre, pasi nëse duan të na shtynë ata kanë gjetur mënyrën e keqe”, paralajmëroi Paloka.

RAMA I JEP CDO DEPUTETI TË KUVENDIT PROGRAMIN E QEVERISË
Ora 16:20 Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shpërndarë sot programin e qeverisë, e cila do të udhëheqë vendin për 4 vitet e ardhshme. Lajmi u konfirmua për mediat nga selia rozë.

Programi i qeverisë, i është dhënë çdo deputeti në Kuvend bashkë me një letër personale nga kryeministri për cdo ligjvënës që ulet në karriget e Kuvendit të Shqipërisë.

PS dhe LSI pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ngritën grupin e punës e cila bashkërendoi dy programet e forcave më të mëdha të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, me qëllim një bashkëqeverisje më të mirë.

Sic parashikon Kushtetuta, Kreu i Shtetit takoi sot Kryeministrin e propozuar nga koalicioni "Aleanca për Shqipërinë Evropiane", duke e ngarkuar me detyrën e krijimit të Qeverisë së re. Pas emërimit nga ana e Presidentit, Rama dhe kabineti i ri qeverisës, do të votohet në Kuvend.
(e.m/BalkanWeb)
Lidhje te tjera PROGRAMI I QEVERISË 'RAMA' Programi qeverisës, Berisha: Piktori tmerr nga megamashtimet Rama i shpërndan deputetëve programin e qeverisë, Paloka: S'kemi marrë asnjë kopje Programi i qeverisë, Vasili: Konflikti, ‘fortunë’ në gotë. Paloka: Nuk përjashtojmë bojkotin Tetë deputetë të opozitës pro Metës, PR dhe PDIU: Votuam kundër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›