E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PD riorganizon strukturat, në funksion të rimandatimit si formë qeverisëse”

Flet për gazetën “55”, Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike Flamur Noka

TIRANE - Partia Demokratike ndodhet në një moment të rëndësishëm për të ardhmen e saj, si forcë e parë politike dhe qeverisëse në vend. Që prej vitit të kaluar, selia e PD-ës inicioni procesin e ripërtëritjes së strukturave të saj në bazë, në shërbim të sistemit të ri zgjedhor dhe njëherazi zgjerimin e radhëve të partisë me intelektualë të rinj që mbartin vlera dinjitoze. 
Gjatë një interviste ekskluzive për 55-ën, Sekretari Organizativ i PD-ës, Flamur Noka, detajon të gjithë procesin e strukturimit të PD-së, duke theksuar se, PD ia ka dalë të rivitalizojë strukturat brenda një periudhe të shkurtër, duke e shtrirë efektin në çdo cep të vendit, me synim rimandatimin në kuvendoret e 28 qershorit.
Për sa i takon garës për PD-në e Tiranës, Noka vë në dukje një fluks të kandidaturave, pasi deri tani strukturat kanë propozuar rreth 30 kandidatë nga radhët e ministrave, deputetëve e drejtuesve të lartë të partisë dhe më gjerë, dhe procesi vazhdon.
Në rolin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Flamur Noka komenton edhe rrëzimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se me atë buxhet fondet do të shpërndaheshin në mënyrë klienteliste në shërbim të Koço Kokëdhimës dhe sigurisht, për qëllime elektorale të Ramës.

Prej muajsh, Partia Demokratike ka nisur procesin e ristrukturimit të degëve në bazë. Si po shkon ky proces dhe a mendoni se do të respektohen të gjitha afatet statutore, në mënyrë që PD të ketë kohën e nevojshme për në zgjedhjet kuvendore?
Zgjedhjet për ne janë një proces rutinë i ripërtëritjes së strukturave dhe drejtimit të partisë, të cilin e kemi zhvilluar gjithnjë me një vëmendje dhe kujdes të veçantë gjatë gjithë ekzistencës sonë, duke e konsideruar si momentin më të rëndësishëm të aspektit organizativo-funksional të saj. Këtë radhë përpjekjet e të gjitha strukturave janë përqendruar në zgjerimin e radhëve të partisë kryesisht me të reja e të rinj, gra dhe intelektualë të paangazhuar deri më tani. Vërejmë me shumë kënaqësi që pikërisht në këtë sfidë që i vumë vetes, ia kemi dalë që gjatë kësaj periudhe të rivitalizojmë strukturat si kurrë më parë, duke e shtrirë efektin në ç’do kënd të Shqipërisë. I gjithë ky proçes po zhvillohet brenda afateve kohore të përcaktuara nga udhëzimet e Kryesisë së Partisë si dhe në respekt të plotë të Statutit. 

Duke qenë se organizimi partiak po bëhet në rang qarku, mbi çfarë kriteresh do të japë vlerësimin qendra, për kandidatët?
Në lidhje me kriteret, ky proces nuk sjell asgjë të re, pasi si gjithnjë do të përzgjidhen më të mirët, emrat që japin maksimumin e impaktit pozitiv në qarqe, emra në të cilët qytetarët ndjehen të identifikuar dhe të përfaqësuar me vlera dhe virtytet më të mira. Proçesi i anëtarësimeve të reja na ka dhënë një dimension të ri në këtë aspekt pasi natyrisht që tashme kemi me shume zgjedhje e më shumë konkurrencë brenda radhëve tona.

Ndani të njëjtin mendim se do të përputhet efiçienca organizative e PD-së, me sistemin e ri zgjedhor?
Plotësisht! Gjithçka në aspektin organizativo-funksional duke marrë në konsideratë dhe ndryshime në statut, janë bërë që skema e re e organizimit të partisë do të jetë në përputhje të plotë dhe në funksion të sistemit të ri elektoral me qëllim që kjo skemë të rrisë maksimalisht efiçencën, prekshmërinë me qytetarët dhe produktin elektoral. Gjithçka është realizuar më së miri dhe do i kontribuojë rimandatimit të Partisë Demokratike.

Gjithashtu, një çështje shumë e diskutuar është edhe ajo për degën e PD-ës së Tiranës. Realisht janë paraqitur 4 ose 5 kandidatura, kryesisht deputetë dhe ish-ministra. Cilin ndër ta shihni më favoritin, për postin e degës së PD-ës së Tiranës?
Në fakt numri i kandidaturave jo vetëm për Tiranën por në të gjitha degët e vendit mund të konsiderohet pa frikë si fluks, duke kaluar çdo pritshmëri. Në rastin e Tiranës për të cilin interesoheni, strukturat deri tani kanë propozuar rreth 30 kandidatë nga radhët e ministrave, deputetëve e drejtuesve të lartë të partisë dhe më gjerë, procesi vazhdon. Ky fakt ilustron më së miri suksesin e deri tanishëm të procesit i cili pikërisht këtë kishte për qellim, diskutimin sa më të gjerë e të shtrirë në bazë të kandidaturave për drejtues të të gjitha niveleve. Hapja e Partisë dhe filli i demokracisë së brendshme ka rritur ndjeshëm garën në degët e saj

Cili është komenti juaj lidhur me rolin e funksioneve drejtuese në parti?
A duhet të ndahen postet shtetërore nga ato të partisë?
Personalisht nuk e shoh si domosdoshmëri, pasi aktiviteti politik i partisë në pushtet matet së pari me produktin e qeverisjes, i cili është i bazuar në programin dhe premtimet që partia ka paraqitur në zgjedhje nëpërmjet drejtuesve më të lartë politikë të saj. Mendoj se është pikërisht detyrim i tyre ndaj elektoratit dhe anëtarësisë së partisë që të realizojnë ato, detyrim që buron edhe për shkak të faktit se janë njëkohësisht drejtues të partisë dhe të qeverisë.  

Kjo pikë, së bashku me rikthimin e të larguarve në PD, kërkon detyrimisht rishikimin e statutit të partisë. Si do procedohet në këtë aspekt dhe a është a janë të mirëpritura këto nisma në radhët e Partisë Demokratike?
Asnjë prej këtyre nuk bie në kundërshtim me Statutin e partisë, përkundrazi po operohet pikërisht në bazë të tij. Me Statut, Partia Demokratike është një parti e hapur ndaj të gjithë shqiptarëve që ndajnë të njëjtat vlera, ide e alternativa, e që mbështesin programin e saj. Për të realizuar sfidat qe na ka vënë përpara koha, kontributi i gjithë secilit që e ndjen veten brenda boshtit politik të kësaj partie është i nevojshëm, dhe kështu që gjithë kush është i mirëpritur.

Për sa i takon ndërtimit të koalicionit, a është e nevojshme rinegociimi i PD-së me partitë e vogla të qendrës së djathtë dhe a do të përfshihen në negociata, partitë jo parlamentare?
Siç është bërë e ditur edhe nga drejtuesit kryesorë të partisë, Partia Demokratike është e hapur për bashkëpunim dhe bashkëveprim me çdo forcë politike që kërkon të t’i bashkëngjitet rrugës se pandalshme të ndryshimit të Shqipërisë. Kontaktet janë permanente me forca parlamentare dhe jo parlamentare, dhe shpreh bindjen se në zgjedhje do të dalim përpara shqiptarëve me alternativa më të mirë e më gjithë përfshirëse.

Bashkia e Tiranës, paraqiti në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak buxhetin e qytetit, për vitin 2009 dhe është rrëzuar nga këshilltarët e PD dhe ata të LSI. Në rolin e anëtarit të Këshillit Bashkiak, mbi ç’baza arsyetimi u hodh poshtë buxheti?
Arsyet janë bërë të njohura jo vetëm nga grupi i këshilltarëve të PD, por edhe nga shumica dërrmuese e kryetarëve të minibashkive. Ky është një fakt që hedh poshtë pretendimin absurd për një votë politike, aleancë fluide, e të tjera justifikime demagogjike të kryetarit të bashkisë dhe stafit të tij. Kundërshtarët e projekt-buxhetit të paraqitur, argumentuan në mënyrë të detajuar të gjitha mangësitë e projekt-buxhetit. Mungesa e plotë e transparencës, shpërndarja në mënyrë klienteliste e fondeve, paracaktimi i një pjese të mirë të tyre si një thes abuziv për t’u përdorur për qëllime elektorale, janë arsye të mjaftueshme për të mos e aprovuar. Për më tepër buxheti është shumë më i dobët se projekt-buxheti i vitit 2008 në terma krahasuese, dhe ç’është më e patolerueshmja, parashikoheshin 10% të fondeve për t’u përdorur sipas “kërkesave të komunitetit”, që do të thotë të lëna në dispozicion të Edi Ramës, pa sqaruar as edhe një moment se si, kur, dhe në ç’formë do të përdoreshin. Në fund të fundit ky është funksioni i Këshillit Bashkiak, ndërkohë që detyra e Kryetarit të Bashkisë është të argumentojë çdo qindarkë të shpenzuar nga paratë e qytetarëve. Një Këshill Bashkiak në shërbim të interesave të Koço Kokëdhimës dhe jo të qytetarëve, siç do i pëlqente Kryetarit të Bashkisë, nuk është vizioni, misioni dhe qëllimi i Partisë Demokratike dhe i këshilltarëve të saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›