E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-së i mungojnë votat,shtyhet miratimi i buxhetit

 

BLEDAR HOTI

Maxhoranca nuk siguron votat për kalimin e buxhetit të ri të shtetit. Seanca maratonë e ditës së enjte ka përfunduar në orët e para të ditës së djeshme, në katër e gjysmë të mëngjesit, por e gjithë vuajtja e demokratëve ka qenë e kotë, pasi nuk është realizuar dot votimi në parim, pasi kishte mungesa të ndjeshme nga deputetët e maxhorancës. Kjo gjë ka shkaktuar reagimin e një pjesë të deputetëve demokratë, të cilët i kanë kërkuar kryetarit të Grupit, Astrit Patozi që të realizojë kuorumin e nevojshëm për votim. Debati ka nisur pikërisht kur Kryeparlamentarja Topalli ka tentuar që të mbyllë seancën, pa e kaluar në votim për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme, duke mos krijuar as kuorumin e nevojshëm. Në sallë nuk kanë qenë as 20 deputetë gjithsej, çka ka bërë të detyrueshme mbylljen e seancës pa u votuar. Shkak për dështimin e maxhorancës ka qenë edhe largimi i opozitës. Deputetët socialistë bojkotuan seancën në orët e vona të natës për shkak se sipas tyre, nuk mund të qëndrojnë në seancë për të dëgjuar demagogjinë e qeverisë për buxhetin e ri. Ndërkaq Topalli ka bërë të ditur se votimi i buxhetit në parim mund të realizohet në seancën e ardhshme parlamentare, pikërisht të hënën me datën 24 nëntor. Zelli i madh i deputetëve të maxhorancës dhe opozitës ka bërë që seanca e enjtes pasdite të zgjasë rreth 12 orë. Në listën e deputetëve kanë qenë regjistruar mbi 70 deputetë, të cilët kanë diskutuar pa fund buxhetin. Seanca parlamentare nisi në ora 17:00, ndërsa sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, i mbylli punimet në ora 04:22 të mëngjesit. Rreth 80 për qind e deputetëve diskutuan në seancë, duke mos dëgjuar thirrjet e herëpashershme të Kryeparlamentares Topalli për të ndërprerë diskutimet e tejzgjatura. Një thirrje të tillë bëri dhe deputeti i PD-së, Blerim Çela, i cili në ora 03:00 i bëri thirrje deputetëve të tërhiqnin diskutimet e tyre. "Diskutimet nxorën konkluzionet e të gjitha kampeve mbi projektbuxhetin e ri, ndaj ftoj deputetët e tjerë të tërhiqen nga fjalimet e tyre", theksoi demokrati Çela. Por thirrja e tij nuk ka bërë efektet e duhura, pasi një numër i pakët ka tërhequr diskutimet e tyre. Votimi i buxhetit për vitin 2009 pritet të nxjerrë në pah dhe raportet ndërmjet PD-së dhe aleatëve të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›