Koçi: Me Kodin, Rama i dha shkelmin unitetit të së majtës
Pas mbylljes së grevës së urisë të 10 deputetëve, dje u mblodh aktivi i PS 91 për qytetin e Tiranës për analizimin e situatës politike në vend. Aktivi u përqendrua në bilancin politik të grevës e protestave dhe në menaxhimin e mëtejshëm të terrenit politik, të fituar pas kësaj faze të aksionit qytetar për mbrojtjen e votës së lirë. Përveç të zgjedhurve, në strukturat drejtuese te qytetit Tiranë, merrnin pjesë e gjithë Kryesia Kombëtare e PS-91. Anëtarët e Kryesisë falënderuan drejtuesit e partisë së Tiranës dhe të rretheve për mbështetjen aktive dhe pjesëmarrjen në rritje në protestat qytetare. Kryetari i PS 91, Petro Koçi argumentoi efektin e jashtëzakonshëm të grevës në nxitjen e qytetarëve, për t'u bërë pjesë aktive e politikës dhe vendimmarrjes. "Rama dhe Berisha i konsiderojnë qytetarët turma që s'marrkan vesh nga punët e shtetit, të Kushtetutës dhe të zgjedhjeve. Protestat vërtetuan se planet Rama-Berisha, për t'i përjashtuar qytetarët nga vendimmarrja do të dështojnë. Politika nuk është pronë e vetëm dy ustallarëve tenderxhinj, por e qytetarisë së gjerë", deklaroi Koçi. Ndërkohë ai trajtoi përçarjen e madhe që kreu i PS-së i bëri të majtës. "Me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, Rama i dha shkelmin e fundit unitetit të së majtës. Ai vuri interesin e bashkëpunimit me Berishën mbi interesin e bashkëpunimit me të majtën", theksoi Koçi. Në fund aktivi u përqendrua në masat organizative për protestën e madhe të së enjtes së ardhshme, ku PS-91 do luajë një rol politik të rëndësishëm.