E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti, dy varreza greke në Shqipëri

 

MARKO CAKA

Shqipëria dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen për ndërt-imin e dy varrezave për eshtrat e ushtarëve grekë, të rënë gjatë luftës italo-greke në tokën shqiptare. Lajmi u bë i ditur dje paradite nga Ministria e Jashtme greke, e cila përshëndeti arritjen e akordit përmes kreut të diplomacisë së Athinës, Dora Bakojanis. "U nënshkrua dje në Tiranë marrëveshja greko-shqiptare për krijimin e dy varrezave ushtarake në Shqipëri, për grekët që ranë gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje i jep zgjidhje një çështjeje me rëndësi humanitare dhe emocionale, për gjithë popullin grek. Shprehim kënaqësinë ndaj qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar, për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre, që shpien në përfundimin e suksesshëm të një çështjeje shumëvjeçare", theksoi Bakojanis në një deklaratë për shtyp. Më pas të njëjtën gjë bëri të ditur përmes një komunikate për shtyp edhe Ministria e Jashtme shqiptare, megjithëse nuk dha hollësi rreth numrit të varrezave dhe vendndodhjes së tyre. "Fryma e bashkëpunimit të sinqertë e konstruktiv, si dhe e mirëkuptimit të dyanshëm bëri të mundur që të marrë zgjidhjen e duhur edhe një çështje e tillë e ndjeshme për të dy vendet tona, siç është ajo e vendprehjes së ushtarakëve grekë. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se siglimi i kësaj marrëveshje do t`i kontribuojë thellimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera, që ekzistojnë midis dy vendeve tona mike", thuhet në komunikatën për shtyp të Ministrisë së Jashtme në Tiranë.
Marrëveshja
Pavarësisht faktit se dy ministritë nuk japin hollësi të marrëveshjes, bëhet e ditur se do të jenë dy varrezat që do të ndërtohen, nga katër që ka kërkuar Greqia. Varrezat do të jenë në fshatin minoritar Bularat në Gjirokastër si dhe në Këlcyrë. Burime diplomatike bëjnë të ditur gjithashtu, se është rënë dakord që eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore, kudo që janë, do të mblidhen në këto dy varreza, të cilat do të kenë përmasa të mëdha. Sipas burimeve të gazetës "Panorama" nga Ministria e Jashtme greke, ministrja Bakojanis e ka cilësuar këtë firmosje të marrëveshjes si një nga arritjet më të mëdha që ka kryer, që nga koha që ajo është në krye të diplomacisë helene. Sipas burimeve, për Bakojanis ky sukses vjen pas shumë dështimeve, që kanë pasur paraardhësit e saj. Në deklaratën për shtyp, kreu i diplomacisë greke përshëndeti dhe negociatorët e dikasterit të Mbrojtjes, të cilët me anë të ekspertëve të Mjekësisë Ligjore do të kryejnë ekzaminimet e eshtrave, që do të varrosen në dy varrezat e Gjirokastrës dhe të Këlcyrës. Marrëveshja sanksionon që numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta të jetë i barabartë nga palët greke dhe shqiptare dhe çdo dokumentacion do të ketë dosje dyshe si dhe procesverbale dyshe, të shoqëruara me fotografi. Në këto komisione do të ketë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje, që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike.

Ndërtimi i varrezave, hapet rruga për ratifikimin e MSA
Nënshkrimi i marrëve-shjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë, veç një aspekti pozitiv në marrëdhëniet mes dy vendeve, i hap rrugë ratifikimit nga ana e parlamentit helen të MSA-së mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Vendi ynë fqinj është i fundit anëtar i BE-së që nuk ka ratifikuar dokumentin, që lidh Shqipërinë me Komunitetin Evropian. Burime diplomatike bëjnë të ditur se çështja e varrezave ishte kthyer në pengesë për ratifikimin e MSA-së në parlamentin grek, pavarësisht se qeveria e ka miratuar fillimisht. Bllokimin e MSA-së për shkak të ndërtimit të varrezave e konfirmoi pak javë më parë edhe nënkryetari i parlamentit fqinj Jorgos Surlas. Ai deklaroi se kishte marrë mbështetjen e autoriteteve shqiptare, përfshi Presidentin e vendit, Bamir Topi dhe Kryeministrin Berisha për gjetjen e eshtrave dhe miratimin e ngritjes se memorialëve dhe varrezave për ushtarët e rënë në luftë. "Por nëse kjo çështje nuk zgjidhet, unë do të votoj kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në", deklaroi Surlas. Por pas tij, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke Jorgo Kumucaku, tha se ratifikimi i MSA-së është një çështje procedurale dhe nuk ka lidhje me ndërtimin e varrezave. "Eshtë çështje procedurale arsyeja dhe besoj se shumë afër do të kemi përparësi të shpejtë me miratimin e kësaj çështje", deklaroi Kumucaku, pas interesimit të gazetës "Panorama", se cilat janë arsyet që kanë penguar Greqinë të mos marrë akoma vendimin e ratifikimit të MSA-së së Shqipërisë me BE-në. Ndërkohë, Tirana zyrtare nuk ka folur asnjëherë publikisht për një ngecje të procesit të ratifikimit të MSA-së dhe lidhjen e mundshme me ndërtimin e varrezave. Kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp është shprehur se dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira dhe nuk ka pranuar se ka një lidhje mes këtyre dy çështjeve. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu e cila i ka konsideruar vonesat e votimit të MSA-së si çështje procedurale, por ka shtuar se si vend fqinj, Shqipëria priste që Greqia të ishte ndër të parat që do e ratifikonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›