E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do sjellim vetë vëzhgues

 

Aristir Lumezi

Kreu i LSI-së Ilir Meta zbardhi dje skemën se si do të ruhen votat në zgjedhjet e 2009. "Ne do të jemi garantuesit e zgjedhjeve të ndershme. Nuk do të sjellim qindra turistë këtu, por do të sjellim qindra personalitete, politikanë, gazetarë, që janë mësuar të shkojnë të monitorojnë zgjedhjet edhe në Zimbabve dhe në vende të tjera shumë problematike, dhe të jeni të sigurt se nuk do të ketë asnjë shqiptar frikë që të hedhë votën e vet, por do të ketë tmerr Sali Berisha dhe Edi Rama, të prekin edhe një votë. Ndaj, dua t'ju them edhe njëherë, se nuk donim të merrnim këtë angazhim dhe këtë përgjegjësi, por kushtet, kur ju të gjithë po e vëreni që OSBE-ja nuk është dot në gjendje të japë qëndrime konseguente, parimore në mbrojtje të standardeve të zgjedhjeve, pa dyshim që është detyra dhe përgjegjësia jonë, si njerëz që e duam demokracinë dhe si atdhetarë që të mbrojmë zgjedhjet në Shqipëri, dhe për këtë të kemi të gjithë asistencën e domosdoshme në Shqipëri", tha Meta. Këtë deklaratë Kryetari i LSI-së e bëri gjatë një konference për shtyp. Duke dhënë detaje se si LSI do të organizojë aksionin e saj, për të paralizuar të gjitha skemat e manipulimit të votës së shqiptarëve, Meta tha se strategjia është e qartë. "Ne ende pa u finalizuar miratimi i Kodit, kemi pasur si një opsion krejtësisht të mundshëm edhe strategjinë e mbrojtjes së votës në këto kushte, që kanë të bëjnë jo vetëm me sensibilizimin e opinionit publik dhe ndërkombëtar brenda vendit, proces që ka ndodhur suksesshëm dhe që është në një rrugë shumë të mbarë. Por njëkohësisht duhet t'ju them se, gjatë ditëve të grevës, kemi nisur bisedimet dhe jemi në vazhdimësi në komunikim dhe negociata me disa nga kompanitë më të specializuara në Evropë dhe në Amerikë, për strategjitë e paralizimit të skemave të manipulimit të votës dhe të demaskimit të tyre ndërkombëtar", tha Meta. Duke folur për strategjinë e dy krerëve të partive kryesore, Rama dhe Berisha për manipulimin e zgjedhjeve, Meta tha se "ky skenar është fabrikuar që më 21 prill, me ndryshimet e Kushtetutës dhe me heqjen e KQZ si institucion kushtetues dhe të konkluduar me miratimin e Kodit para pak ditësh". Meta i ftoi qytetarët që të shprehin përmes protestës të së enjtes qëndrimin kundër cenimit të votës së lirë. "Ky manifestim do t'u tregojë të gjithë shqiptarëve, por edhe opinionit ndërkombëtar, se Lëvizja Socialiste për Integrim dhe  forcat e tjera politike të paimplikuara në votimin e Kodit krejtësisht të dyshimtë, si dhe i gjithë opinioni publik që e ka në zemër demokracinë dhe lirinë, do të jenë garancitë që Shqipëria të ketë një proces zgjedhor të mbrojtur nga manipulimi i mundshëm i Sali Berishës dhe i Edi Ramës", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›