Rama: Buxheti i fundit i Berishës, varfëri e tejskajshme
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kundërshtoi projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2009. Në një konferencë për shtyp nga selia rozë, Rama akuzoi dje Kryeministrin se në vitin elektoral po i zhyt shqiptarët në varfëri të tejskajshme ndërsa u shpreh i sigurt se ky është buxheti i fundit i hartuar nga Berisha dhe qeveria e tij. "Faktet që lidhen me buxhetin familjar të shqiptarëve e shqiptareve, jo opinionet tona si opozitë, mjaftojnë për të dhënë përmasën reale të dështimit të Sali Berishës", tha Rama. Sipas tij, kundër buxhetit shprehen vetë faktet reale në jetën e shqiptarëve. "Të dhënat zyrtare, jo përllogaritjet tona si opozitë, tregojnë që një familje normale ka nevojë, vetëm për të jetuar, mesatarisht për 750 mijë lekë të vjetra në muaj. Buxheti i fundit i Sali Berishës nuk i garanton, për familjen shqiptare, ku të dy prindërit punojnë, 750 mijë lekët të vjetra të nevojshme për jetesën e përditshme", tha Rama duke shtuar se "Buxheti i fundit i Sali Berishës" nuk i garanton të ardhurat që duhen vetëm për të jetuar as për kategoritë e "diskriminuara" të mësuesve dhe pensionistëve. Kryetari socialist radhiti një listë të gjatë me produkte ushqimore që janë shtrenjtuar muajt e fundit. "Ky aspekt është shtrenjtimi galopant i jetesës dhe rënia e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, për të cilat kapardisjet mediatike të Sali Berishës, kur flet për rritjen e rrogave e pensioneve, tingëllojnë me të drejtë shumë tallëse".