E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Ushtarët grekë erdhën për Vorio Epirin

 

ADI SHKEMBI

Historiani i njohur Pëllumb Xhufi kritikon mënyrën se si qeveria shqiptare nënshkroi me Greqinë marrëveshjen për ndërtimin e dy varrezave greke në Gjirokastër e Këlcyrë. Në një intervistë për gazetën "Panorama", ai thotë se akordi u arrit në një mënyrë jo transparente dhe kjo ngarkon me përgjegjësi qeverinë shqiptare.
Zoti Xhufi, si e komentoni marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave për eshtrat e ushtarëve grekë në vendin tonë?
Nënshkrimi i marrëveshjes për hapjen e varrezave të ushtarëve grekë është një akt, i cili realizohet sot pas përpjekjeve të vazhdueshme të diplomacisë greke, që fillojnë që në vitet '80 të shekullit të kaluar. Kjo qeveri që është në pushtet aktualisht, ka zgjidhur me një mënyrë të befasishme një çështje, e cila tradicionalisht është konsideruar mjaft delikate nga diplomacia shqiptare dhe kjo sigurisht e ngarkon me përgjegjësi aq më shumë që bisedimet dhe negociatat për një gjë të tillë janë bërë në një mënyrë krejt jo transparente. Personalisht gjykoj se nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, që në territorin tënd të ngresh varreza, memoriale për ushtarë që i përkasin një kombi tjetër, të rënë në rrethana të ndryshme historike. Problemi në rastin konkret me varrezat për ushtarët grekë qëndron në faktin, së pari se lufta italo-greke e vitit 1941 është konsideruar në propagandën e shtetit grek, që në vitet '40, por edhe sot e kësaj dite si një luftë jo thjesht për çlirimin e territorit grek dhe luftë kundër fashizmit, por edhe si një luftë për bashkimin me Greqinë të së ashtuquajturit Vorio-Epir. Pra, në nivelin propagandistik kjo luftë është veshur edhe me një përmbajtje shoviniste. Kjo ka bërë që shteti shqiptar në vazhdimësi të ketë qenë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm ndaj pretendimeve greke për varrezat në trojet shqiptare. Më duket se edhe për mendjen më të hapur greke do të ishte e pakonceptueshme dhe nuk ka ndodhur deri më sot që për ushtarë që u kanë përkitur ushtrive, që kanë dashur të pushtojnë territore të Greqisë të jenë ngritur të tilla memoriale në territorin grek. Nuk di të jenë ngritur varreza për ushtarët bullgarë të rënë në territorin grek gjatë betejave për shtrirjen e pushtimit bullgar në jug të Trakës e Maqedonisë. Së dyti, midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë ngelur ende disa çështje të cilat lidhen në mënyrë direkte edhe me problemin në fjalë të ngritjes së varrezave. Greqia ende nuk ka njohur Protokollin e Firences, i cili është sanksionimi nga Fuqitë e Mëdha pas Luftës së Parë Botërore të kufijve të njohur në vitin 1913. Greqia gjithashtu, nuk ka pranuar të nënshkruajë dy marrëveshje kuadër që kanë të bëjnë me njohjen reciproke të kufijve siç është marrëveshja për shmangien e incidenteve kufitare apo marrëveshja për meremetimin e piramidave. Të mos harrojmë që ka pasur vazhdimisht në nivele jo zyrtarë, por jo vetëm, edhe përsëritje të pretendimeve të vjetra për aneksimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir. Kjo ndodh në një atmosferë jo ende përfundimisht të shtensionuar dhe të çliruar nga mbeturinat e të kaluarës dhe mendoj, se qeveria shqiptare duhet t'i merrte gjërat me radhë dhe të mbërrinte në ngritjen e këtyre memorialeve për ushtarët grekë të rënë pasi të ishin kaluar disa etapa të tjera, të cilat lidhen pashmangshmërisht me problemin në fjalë, por edhe në një kuptim më të gjerë pengojnë dhe krijojnë probleme edhe në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira që ne kemi me shtetin grek.
Si e gjykoni faktin që fillimisht Greqia kërkoi ndërtimin e katër varrezave dhe në fund u ra dakord vetëm për dy. E shikoni këtë si një arritje të diplomacisë shqiptare?
Në diplomaci ju e dini, që kërkohen 10 dhe fitohen pesë dhe ideja është për të fituar pesë. Megjithatë, dua të them që kërkesa për të ngritur katër varreza monumentale greke në gjithë shtrirjen që nga Gjirokastra, Përmet e deri në Korçë, përfshi dhe Ersekën ishte diçka vërtetë tepër e ekzagjeruar, që kalonte kufijtë e një momenti përkujtimor të një ngjarje të rëndësishme për popullin grek siç është ajo e qëndresës dhe luftës me ushtrinë fashiste italiane dhe mishëronte më së tepërmi atë që thashë, pretendime të shtrira në një territor, që është ai i pretenduar nga politika tradicionale shoviniste greke.
Mendoni se Greqia e ka përdorur çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së pikërisht për të detyruar Tiranën zyrtare të pranojë ndërtimin e varrezave?
U tha qartë edhe në një intervistë të fundit të ministres së Jashtme të Greqisë, Bakojanis që dhënia e firmës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit nga ana e Greqisë lidhet drejtpërsëdrejti me lejimin nga qeveria shqiptare të varrezave monumentale për ushtarët grekë. Kjo nuk është një ngjarje e paprecedentë në rastin e Greqisë, e cila jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me partnerët e fqinjë të tjerë i ka lidhur ndonjëherë axhendën e saj nacionale me kushtëzime ndaj shteteve fqinje për çështje, të cilat kanë qenë në tryezën e bisedimeve dhe problemeve, që Greqia ka pasur me shtetet në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›