E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD sulmon avokatin e Mediut për Gërdecin

12/04/2012  Komisioni i Ligjeve shqyrton kandidaturën e propozuar nga PS-ja për në KLD

Visha: Ish-ministrin e kam pasur klient. Kam besuar dhe besoj akoma në pafajësinë e tij

Mazhoranca sulmon avokatin e Fatmir Mediut në lidhje me çështjen “Gërdeci” . Lidhja e Ardian Vishës me ministrin Fatmir Mediu si avokat i tij në çështjen e Gërdecit ishte pyetja që mori vëmendjen e anëtarëve të mazhorancës në Komisionin e Ligjeve gjatë seancës të djeshme dëgjimore për anëtarin e ri të KLD-së. Duke iu përgjigjur interesimit të tyre Visha deklaroi se ka besuar dhe vazhdon të besojë në pafajësinë e Mediut në implikimin e tij në shpërthimin tragjik të katër vjetve më parë. Në fund Komisioni i Ligjeve me shumicë votash e vlerësoi kandidaturën e Ardian Vishës (propozim ky i deputetëve socialistë) të padenjë për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Deputetët e maxhorancës theksuan se Visha, që për vite të tëra ka punuar krah prokurorëve të përgjithshëm Arben Rakipi e Theodhori Sollaku, nuk plotëson kriterin e meritës dhe është një kandidaturë e mirëfilltë politike. I pyetur nga deputeti demokrat Sula në lidhje me dekretimin e Presidentit për transferimin e tij Visha theksoi se nuk mund të ketë ulje në detyrë pa pasur më parë masë disiplinore. Dekretin e Presidentit Visha e cilësoi tërësisht të paligjshëm, pasi nuk ka pasur asnjë masë disiplinore. “Dekretimi i transferimit tim është i paligjshëm. Për më tepër me pretekstet absurde të pretenduara nga prokurorja e përgjithshme”, - tha Visha. Ai u shpreh se vetëm katër muaj pas transferimit në Gjirokastër në Prokurorinë e Përgjithshme janë emëruar gjyqtarë të rinj. “Për sa i përket imoralitetit të drejtuesit-titullar të prokurorit të përgjithshëm këtë vazhdoj ta pretendoj. Nuk e kam në aspektin e përgjithshëm të fjalës, por e kam në aspektin përveçëm. Është detyrë e prokurorit të përgjithshëm që të mos nëpërkëmbë dinjitetin e vartësit të tij, cilido qoftë. Çmoj se për punën që kam bërë minimumi i moralit do të duhej të ishte thërritja përballë. Kur nuk ka kurajë të përballet me individin që largon, çfarë kuraje do të ketë të përballet nesër me krimin? Nuk jam përballur me cilindo koleg për të më komunikuar transferimin tim”, - theksoi Visha.

Seanca e djeshme dëgjimore

Dashnor Sula - Dua të falënderoj Vishën për prezencën në Komision dhe për paraqitjen e tij që bëri. Gjithsesi, unë kam disa pyetje për zotin Visha, duke pasur parasysh dhe dy CV e paraqitura prej tij. Një CV është paraqitur në organin e Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 1998 dhe një CV është paraqitur para deputetëve. Unë do ta filloja pyetjet e mia nga periudha në të cilën ka punuar. Në CV-në e depozituar rezulton se në Prokurorinë e Përgjithshme keni shkuar në periudhën shtator 1992, pas kursit në Ministrinë e Jashtme, Drejtorinë Konsullore. Më pas jeni shkarkuar si i papërshtatshëm për këtë vend pune. Në CV e dërguar grupit të deputetëve kjo nuk rezulton kështu. Përkundrazi, nga ajo që keni shkruar unë kuptoj se ju nuk keni punuar dy muaj si te CV e Prokurorisë, por një vit. Dhe këtu nuk figuron shkarkimi juaj. Pse kjo mospërputhje, që mund ta quaj fshehje e së vërtetës? A bën ky një shkak për të ulur besimin si kandidaturë te KLD-ja. Pas një konkursi në një kolegj deri në fillim të 96 ju pastaj keni një periudhë pasuse prej 2 vjetësh deri më ’98, dy vjet keni qëndruar në Angli dhe Itali. Pa ju paragjykuar, gjatë kësaj periudhe keni punuar në këto dy vende, keni qëruar si ilegal apo legal?

Ardian Visha - Së pari, mospërputhja si term i përdorur nga ju nuk më duket me vend. Do të kisha probleme po të kishte kontradiktë logjika. Nuk kam të tilla dhe nuk gjej. Në MPJ skam punuar një vit, kam punuar e shumta disa muaj. Arsye e largimit ka qenë, e përsëris, papërshtatshmëria politike për atë punë. Jam thirrur nga zoti Serreqi, në atë kohë ish-zv.ministër i Punëve të Jshtme, dhe më është thënë “ka një ngarkesë politike për kohën dhe mund të rregullojmë më vonë, por nuk mund të qëndrosh”. Jam punësuar në MPJ 22 vjeç, i sapodiplomuar, dhe jam konsideruar si i papërshtatshëm kur sa isha moshë unë kishin anëtarësi në Partinë e Punës të larguar nga skena politike në atë kohë. Në qendrën për formim diplomatik kam qenë i përzgjedhur nga qeveria zvicerane pas një konkursi të përbashkët me qeverinë shqiptare. Kemi vajtur 18 persona nga Shqipëria dhe një pjesë e tyre kanë bërë karrierë. Beja ka qenë koleg imi. Për kursin e dytë kam qenë 13 muaj në Londër në Fakultetin Drejtësisë. Gjiknuri ka qenë me mua në atë kohë si fitues, ka dalë i gjashti në atë grup që konkurruan. E pesta ka dalë zonja Argita Berisha, i pari kam dalë unë.

Ilir Rusmali - E humbi votën e Damianit (Gjiknuri).

Ardian Visha - Më pas kam qëndruar në Londër dhe Itali. Kam qenë i fejuar në Itali dhe kam qenë bartës i një pasaporte diplomatike, të një pasaporte të Shqipërisë.

Dashnor Sula - Ju keni ushtruar detyrën e oficerit të policisë gjyqësore nga vitit 98 deri në 2000. Në sajë të dijenisë që kam dhe unë në Prokurorinë e Përgjithshme funksiononte një task-force të përbërë nga oficerë të policisë gjyqësore dhe të një shefi, që ka qenë Sokol Koçiu. Dua të bëj një pyetje të sinqertë, ashtu siç janë pyetjet e mia, të sinqerta. Marrëdhënia juaj me shefin asaj kohe, Sokol Koçiu, kjo pyetje shtohet drejtpërdrejtë, se dihet fati i Koçiut, që është dënuar nga drejtësia shqiptare për një aktivitet kriminal me drogën. Çfarë marrëdhënie keni pasur? A keni pasur dijeni nëse ky shefi juaj ka ndikuar në dhënien e një urdhri të paligjshëm? Kuptohet: me shtetasit Frederik Durda dhe Arben Përballa. Raporti me Koçiun?

Ardian Visha - Nëse kjo pyetje që pretendoni të sinqertë, por po ju them si koleg se kemi qenë bashkë. Duhet ta dini mirë se juve nuk ju falet të paktën, që Prokuroria e Përgjithshme nuk funksiononte me task-forcë në atë kohë në policinë gjyqësore, aq më tepër të ketë qenë Sokol Koçiu. Sokol Koçiu nuk ka qenë asnjëherë shefi im, as i drejtpërdrejtë, as i tërthortë në punën që kam bërë në prokurorinë. Por po jua jap përgjigjen për kohën që kam qenë oficer i policisë gjyqësore.Unë kam qenë oficer i policisë gjyqësore, në prokurorinë e Përgjithshme në periudhën 98-2000 dhe kam qenë zëdhënës i saj nga periudha 98 deri në 2002. Detyra ime e parë si oficer i policisë gjyqësore do të duhet të ishte hetimi, por marrëdhënia ime ka qenë media, ruajtja e marrëdhënies me publikun. Bëhet fjalë për një kohë kur trysnia politiko mediatike ka qenë jashtëzakonisht e ndjeshme dhe e njëanshme. Por kam kryer edhe detyra të hetimit se kam qenë pjesë e ndarjes së asaj kohe të Prokurorisë së Përgjithshme. Prokuroria realizoi në atë kohë një ndarje në 6 grupe hetimi në varësi të ndarjes së veprave penal i atashuar në grupin e veprave të drogës dhe të korrupsionit. Kam qenë pjesë e hetimit edhe për çështjen në fjalë që bëni pyetje ju. Nuk kam marrë asnjëherë urdhër nga Sokol Koçiu dhe s’ka pasur Sokol Koçiu të më urdhërojë mua si oficer i policisë gjyqësore..Përkundrazi, puna ime ka qenë ekip tjetër me Sokol Kociun pasi ky individ bënte pjesë në grupin e vrasjeve .

Dashnor Sula: Në vitin 2001, besoj se e mbani mend ka qenë periudha e kërkesës së vërë nga PS për shkarkimin e Arben Rakipit. A ju kujtohet me detaje dhe deklarata që kanë paraqitur një grup prokurorësh për të dhënë një dorëheqje kolektive pasi në mos gaboj keni qenë dhe ju. Mendoni se është korrekte sjellja , legjitime dhe në përmbushje të detyrës së prokurorit një akt i tillë?

Ardian Visha: Përveç fjalës kolektive nuk shoh asgjë te keqe në aktin e dorëheqjes. Mendoj se është një akt tërësisht demokratik dhe i mundësuar në çdo lloj konfigurimi ligjor të kujtdo shteti që pretendon demokracinë. Përsa i përket periudhës në fjalë është pak më vonë, megjithatë në 2001 filloi veprimi politik në dëm të Prokurorisë. Institucioni i Prokurorisë funksiononte i brishtë, i ardhur nga një shkatërrim absolut i vitit ‘97, trupa e prokurorëve ishte një trupë e re, e pambrojtur e pamotivuar në aspektin as financiar por as politik. Ajo ç’ka e lidh në relevancë me pyetjen tuaj, mungonte shoqata e prokurorëve që duhet të mbrojë individët prokurorë. Apo grupet e prokurorëve kur bëhen sulm të karakterit politik apo mediatik. Mendoj dhe gjykoj se ehe sot skam bërë gabim nëse jam firmëtar i asaj deklarate. Mendoj dhe gjykoj që mbrojtja e prokurorit të përgjithshëm është detyrë e çdo prokurori të republikës për sa kohë që i është betuar ligjit dhe Kushtetutës t’i shërbejë institucionit.

Vasilika Hysi: Unë kam një pyetje për rolin tuaj në rolin e prokurorisë. Nga CV-ja shikoj se keni punuar për një kohë të gjatë me marrëdhëniet ndërkombëtare ku Shqipëria ka nënshkruar një sërë dokumentash. Cili është roli juaj në pozicionin e prokurorisë dhe luftës kundër drogës?

Ardian Visha: Roli im gjykoj se ka qenë në maksimumin punës sime fizike dhe mendore në dobi të institucionit dhe njerëzve që kam bashkëpunuar dhe të qëllimit që paguheshin nga shoqëria shqiptare për të realizua atë që quhet luftë kundër krimit. Duhet të kemi parasysh periudhën që ne kemi punuar, për të kuptuar se veçanërisht sektori që kam drejtuar lipsej të sakrifikohej qoftë në aspektin njerëzor qoftë profesional për të ndërtuar raporte të mirëfillta besimi dhe punë të përbashkët me homologët tanë. Pasi mund të arrinim së pari rritjen e autoritetit të vendit në raport me partnerët ndërkombëtarë si bashkpunes dhe mund të produktonim rezultate për imazhin. Në fushën e krimit të organizuar ne ishim në pamundësi absolute që të produktonim çështje në mënyrë autonome në vend .Pse? Sepse mungonte një forcë policore inteligjente për çështje të këtij karakteri, mungonte zinxhiri institucional që do mund të prodhonin një proces sa dhe si duhet për luftën ndaj krimit të organizuar, mungonte kurajo institucionale e njerëzve dhe bashkëveprimi solidar i tyre.

Fatos Hoxha: Mirëserdhët në Komision. Nuk duhet ta merrni sikur një pjesë do ju mbrojë dhe një pjesë do ju sulmojë. Flas për veten time. Dua të sqaroj disa gjëra të panjohura që kam nga ato që kam lexuar. Unë ju kam njohur nëpërmjet CV-sw, dhe nga CV-ja ju njoh se keni qenë drejtor i marrëdhënieve me jashtë në prokurorinë apo nëpërmjet medies ju kam njohur si zëdhënës i prokurorit në sulmet që ndërmerrte prokurori, dhe ju i lexonit kundër parlamentit të asaj kohe. Sot vini të kërkoni votëbesimin nga parlamenti. Do thoni është kërkesë e një grupi deputetësh. Jam dakort. Por ju kërkoni votën nga ky parlament për të drejtuar institucionin më të lartë të drejtësisë. A jeni penduar për ato deklarata? Së dyti duke kërkuar në karrierë në sistemin e drejtësisë a ju ka shkuar në mendje që të përfshiheni në listat për deputet të PS-sw apo ndonjë tjetre? E fundit, zoti Visha ju jeni penalist i shquar. Në mbrojtje të klientit tuaj niseni se keni besim në pafajësinë e tij gjithmonë apo edhe se kështu ju kërkohet?

Ardian Visha: Unë ju siguroj me sinqeritet që s’jam këtu as për të bërë krushqi politik, as për t’ju kundërvënë. Ju siguroj që s’jam as armiku juaj, as tradhëtari juaj. Jua them me sinqeritet. Duke ju pasur nga anët e mia, rrini i qetë nuk kam ndërmend të konkurroj për asnjë parti politike dhe aq më tepër as përballë dhe as në krah tuaj. Këtë jua siguroj. Arsyeja pse unë jam këtu është pikërisht për t’ju shprehur juve bindjen dhe dëshirën që të mbetem në gjyqësor. Juve është një mundësi që ju jepet, nëse ma ofroni ju premtoj që s’ju zhgënjej. Nëse s’ma ofroni s’do më ngelet hatri me asnjë prej jush aq më tepër me asnjërën forcë. Dëshira ime është që të mbetem në gjyqësor. Nuk kam dëshirë të përdor institucionin as si maternitet që prodhon lindjen time politike, as si një foltore në të cilën unë të kultivoj zhvillimin tim politik. Për pyetjen e parë, ju më thatë që keni sulmuar me gojën time me përmbajtjen e fjalëve të mia parlamentin! Një gjë e tillë s’ka ndodhur zoti Hoxha. Unë kam mbrojtur institucionin, por sulmuar kurrë. Mbrojtjen e institucionit përsa kohë i shërbej, e konsideroj të shenjtë dhe s’jam penduar. Do ta bëja edhe sot. Për pyetjen e tretë mbi çfarë baze marr në mbrojtje një klient, jua them në varësi të rastit. Unë konsideroj të shenjtë mbrojtjen e klientit me të cilin bëj kontratë. Jam i punësuar si publik si individ privat kësaj i shërbej në mënyrë maksimale. Për sa i përket a besoj te pafajësia, këtë e shikoj në varësi të rastit. Për të fituar nga marrëdhënia që fitohet avokat klient, do të duhet rrëfimi i plotë i klientit tek unë, e çmoj pranimin ose jo të klientit dhe vendoset strategjia e mbrojtjes. Kur unë kam qartësisht bindjen për pafajësinë e mbroj atë me forcë dhe s’kam hezituar ta bëj dhe publikisht.

Edi Paloka: Ju keni qenë mbrojtës i Fatmir Mediut ministër i mbrojtjes së kësaj mazhorance në çështjen Gërdeci. Pyetja ime është e njëjtë me atë që sapo bëtë, por duke iu përshtatur këtij rasti. Në këtë rast ju bëtë detyrën tuaj si avokat duke mbrojtur një klientin tuaj, apo keni qenë i bindur edhe personalisht në pafajësinë e klientit tuaj?

Ardian Visha: I kam bërë të dyja. Pra kam bërë detyrën time si avokat në mbrojtje të klientit tim, pra më ka besuar mbrojtjen dhe e kam realizuar atë si e kam dashur dhe mundur, dhe njëkohësisht kam besuar dhe vazhdoj të besoj në pafajësinë e tij.

Shegushe Ligori: Çfarë do të përmirësonit?

Ardian Visha: mendoj se tek njerëzit qëndron puna që çalon. Që nga rekrutimi, kultivimi i karrierës, refuzimi i padrejtë, zhvillimi i saj i padrejtë mbërrin te mungesa e dëshirës për të punuar sa dhe si duhet dhe mbërrin te rezultati i dobët i individëve që nuk bëjnë atë punë që bëjnë.

Enkelejd Alibeaj: Një avokat vlerësohet dhe për gravitetin e çështjeve që ai merr përsipër si Gërdeci. Ju po kandidoni për të shkuar anëtar i KLD-së, ku një nga problemet kryesore është lufta apo atemimi që i bëhet sistemit të drejtësisë që i bëhet këtij sistemi nga krahët politikë. Lideri i opozitës anatemon gjithçka ka ndodhur në atë çështje. Unë jam i mendimit ai duhej të tërhiqet që ta lërë sistemin e drejtësisë të funksionojë në detyrën e tij. Ju keni ndonjë koment mbi këtë anatemim të klasës politike?

Ardian Visha: Kauza e arapit, duke marrë shkas nga një dalje publike e ministrit të drejtësisë që e konsideroi si dështim timin në këtë rast. Sigurisht që veprimtaria ime si zëdhënës i marrëdhënieve me jashtë, ka qenë tërësisht korrekte. Drejtimin dhe hetimin deri në arrestimin e tij e kam mbuluar unë. Nga vrasja e deri në zbulimin e kësaj ngjarje kanë kaluar vetëm 29 ditë. Kishim mangësi në atë vështirësi në hetimin e telefonisë celulare, nuk ishte e specializuar në vendin tonë. Individi është mbajtur një vit në arrest, dhe për ekstradimin e tij është dashur një ndërhyrje politike nga vendi jonë, për të bërë ekstradimin e tij nga Belgjika. Pra puna ime ka qenë e hapur dhe transparente në të gjitha rastet. Po z. Alibeaj kam mbrojtur Mediun. Unë nuk kam parë kurrë nëse klienti im kujt force politike i përket. Jam teknik në çështjet e mia, edhe në kohën kur kam qenë prokuror. Sa i përket shfrytëzimeve që bëhen politikisht sa nga njëri krah apo në krahun tjetër, i bën një kauze të caktuar, jam i vetëdijshëm për këtë. Por duke njohur ngjizjen familjare në vend në çështjet e gjyqësorit preken mbi 100 mijë veta në vit. Unë vazhdoj të besoj dhe besoj ende në pafajësinë e zotit Mediu në hetimin për Gërdecin.

Gent Strazimiri: Nuk e di sa i ndiqni punimet e këtij komisioni, unë jam i detyruar t’ju shpjegoj që në këtë tavolinë ne ndahemi me kolegët na ndajnë pikërisht qëndrimet që mbajmë për mënyrën sesi është hetuar dhe gjykuar çështja e Gërdecit. Ana këtej e tavolinës ka qëndrimin që keni edhe ju, beson në verdiktin e drejtësisë, i cili përmban brenda dhe pafajësinë e zotit Mediu. Ndërkohë që pala tjetër përballë, në raste shumë të shpeshta, dhe me emocione shumë të larta, ku thekson se krijimi i Gërdecit, ne vramë 26 persona, dhe se sistemi që krijoi Saliu është i degjeneruar, pasi nuk u ndëshkua askush. Të gjithë firmëtarët e propozimit tuaj janë këta që janë këtu përballë me këtë gjykim të Gërdecit. Unë dua të di se si përfunduat ju në krye të kësaj liste, ku dhe ju keni qenë i akuzuar si mbrojtës i të pandehurit më të fajësuar të këtij sistemi? Si ka mundësi që kjo ka ndodhur? Cili është mekanizmi i përzgjedhjes tuaj nga ana e opozitës? Të gjithë firmëtarët janë autorët e kësaj akuze që unë sapo e thashë më lart.

Bashkim Fino: Kolegu bëri mirë që e bëri këtë pyetje, por pyetja e tij nuk të bëjë me individin, po ka të bëjë me ne që e kemi firmosur. Kështu që nëse ai do një përgjigje, duhet t’ia japim ne atë, dhe jo individi këtu.

Ardian Visha: Unë jam në gjendje të bëj dhe transparencën e të gjithë proçesit sesi jam propozuar, ku mund të shpjegohet më së miri e gjithë ardhja ime këtu. Por që t’ju përgjigjem unë në mënyrë të drejtpërdrejtë juve, pas gjithë atij përshkrimi që i bëtë ju, për çështjen e Gërdecit, unë do habitesha sesi nuk e do merrja votën pikërisht ndaj çështjes së Gërdecit, dhe jo më të justifikoj sesi kam marrë votën e tyre për të më propozuar. Natyrisht që unë e çmoj dhe i falënderoj të 33 deputetët e PS-së, e quaj përgjegjësi dhe nder të jashtëzakonshëm këtë që më kanë bërë. Ju siguroj se ardhja ime para së gjithash, është iniciativë e imja. Natyrisht kam bërë një analizë, ku ka patur disa faktorë që më sollën deri këtu. Kam parë që kandidatura tjetër vjen nga një propozim i pjesshëm i Parlamentit, pra nga një pjesë e pjesës, dhe jo i karakterizuar nga një propozim mazhorativ politik. Kam parë që vlerat e mia ndaj kandidatit të ardhur më parë këtu janë më të mëdha, flas për sa i përket vlerave dhe kontributit të dhënë në këtë sistem. Dhe nisur nga kjo kam kërkuar mbështetje të të gjithë karakterit politik. Kam marrë kontakte me subjekte të caktuara përcaktuese në Parlament dhe kam marrë përkrahje për një garë, dhe jo për një votë më shumë. Ky është synimi për të cilin jam këtu dhe kjo është një përpjekje për të realizuar në mënyrë sa më demokratike të paktën një votues në KLD.

Saimir Tahiri: Unë dua të bëj një pyetje i nxitur më shumë edhe na pyetjet e fundit të kolegëve, zoti Visha unë jam firmëtar i kandidimit tuaj si anëtar i KLD-së, dhe se mua kjo firmë nuk më pengon personalisht për asnjë çast për konsideratën time ndaj proçesit gjyqësor ndaj Fatmir Mediut dhe proçesit gjyqësor në përgjithësi të zhvilluar për çështjen e Gërdecit. Por kam hedhur firmën për ju duke besuar në antologjinë profesionale tuajën në raport me çështjen.

Fatos Hoxha: Lëri komentet dhe bëj pyetjen tënde, s’po bën njeri komente ndaj veprimtarisë së zotit Visha më duket.

Ilir Rusmaili: Zoti Tahiri të gjithë bënë nga një hyrje në pyetjet e tyre, por nuk komentuan politikisht asgjë, ndaj përqendrohuni në thelbin e çështjes për të cilën ju kërkoni të merrni një përgjigje.

Saimir Tahiri: Pra kam qenë firmëtar për ju duke besuar në profesionin tuaj dhe korrektesën tuaj si avokat dhe jurist, ashtu siç besoj në fajësinë e të gjithë atyre që janë marrë me Gërdecin. Por ajo që dua të di, gjatë karrierës tuaj si avokat sa kriminelë të tjerë ju keni mbrojtur?

Ardian Visha: Detyra e avokatit është të mbrojë njeriun, edhe kur ai bën gabime, por edhe kur ai padrejtësisht akuzohet nga sistemi. Ju siguroj që drejtësia jonë penale gëlltit padrejtësisht me dhjetëra persona që për shkaqe të ndryshme gjenden të akuzuar. Ky është një realitet që duhet të shqetësojë politikën sot, sesa një pafajësi e pamerituar ndaj një personi të vetëm. Unë kur marr përsipër të mbroj të drejtën e një individi marr përsipër të bëj detyrën time të ligjshme dhe të moralshme. Prandaj nuk më pëlqen mënyra se si u pyeta sa kriminelë të tjerë kam mbrojtur, as fakti që mbrojtja e një individi në respekt të ligjeve të këtij shteti të konsiderohet si të qenët bashkë me kriminelin.

Ili Rusmaili: zoti Visha unë u intrigova nga anektoda që ju bëtë pak më lart, me Napoleonin dhe Fushenë. Tani të them të drejtën ju sot këtu nuk kandidoni për Napoleon, sepse është procedurë tjetër ajo. Ju jeni sot këtu për të shkuar në paradhomën e Fushesë eventualisht. Ju thatë: dy janë mundësitë për të larguar sipas Fushesë korrupsionin; të 10- fishohen rrogat, ose të priten kokat e 10 përqind të gjyqtarëve. Tani mundësinë për të 10 fishuar rrogat ju nuk e keni, dhe e refuzoni ta zhvilloni atë, se thatë që ju refuzoni të bëheni pjesë e politikës. Mesa kuptova unë, ndaj pyes, juve nuk jua lejon ndërgjegjja që të prisni kokat e 10 përqind të gjyqtarëve. Mos po shkoni praktikisht në KLD i zhveshur nga instrumentat, nga armët? Nuk rrisni dot rroga, dhe nuk doni të prisni koka, çfarë do bëni juve atje pra? Ma shpjegoni dot.

Ardian Visha: Ju vazhdoni të mbeteni profesor zoti Rusmali, sinqerisht jua them këtë, pasi bashkë kemi qenë në raportet pedagog-student ku ruaj mbresa të pashlyeshme. Unë nuk kandidoj as nuk kam pretenduar të kandidoj për Napoleon. Napoleonët për të qenë më të sigurt atje ku janë do duhet të zgjedhin Fushetë apo këshilltarët e Fusheve atje poshtë. Unë mendoj që Napoleonët kanë gabuar në këtë periudhë sepse kanë zgjedhur Fushetë apo ndihmësit e tyre, dhe uroj të mos gabojnë këtej e tutje sepse kjo është e dëmshme për vetë ata, por mbi të gjitha për vetë ne. Sa i përket armëve, me të vërtetë që më mungojnë zoti Rusmali, por unë mendoj që nuk jam frikacak që t’i shmangem luftës. Dhe kur do më duhet ta bëj atë me topuz do ta bëj.

Ilir Rusmaili: Do të doja që këtë seancë ta mbyll duke dëgjuar dhe pyetjen e fundit për zotin Visha. Zoti Sula ju e keni radhën

Dashnor Sula: Nga viti 2000 deri më 2008-n keni kryer detyrën e drejtorit të marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e përgjithshme, dhe gjatë kryerjes së detyrës gjatë kësaj periudhe, po të kemi parasysh; ose po e ndaj më mirë në dy periudha. Periudhën 2000-2006, e cila ka qenë një periudhë krejtësisht e vërtetuar qoftë nga Ministria e Drejtësisë apo nga raporti i komisionit hetimor për shkarkimin e zotit Theodhori Sollaku. Përsa i përket çështjes së ekstradimeve; institucioni i Prokurorisë së përgjithshme dhe drejtoria ku ju keni qenë drejtor, i ka anashkaluar shpeshherë, për të mos thënë në të gjitha rastet Ministrinë e Drejtësisë, për sa i përket letërkëmbimeve me institucionet homologe në lidhje me ekstradimeve të arrestuarve ndërkombëtarë. Në sa raste prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet drejtorisë që ju keni drejtuar ka vepruar në shkelje të ligjit, apo ka mos vepruar në tejkalimin e kompetencave të autoritetit procedues, e cila sipas Kodit të procedurës penale është Ministria e Drejtësisë. Në sa raste ka pasur pengesa apo vonesa për nxjerrjen e urdhrit, me pretendimin se nuk kanë ardhur akoma materialet e kërkuara, nga subjekti kërkues?

Ardian Visha: Unë gjykoj se alfa e drejtësisë, se ti kur akuzon dikë apo bën deklarata fajësie duhet ta lajmërosh atë më parë. unë nuk kam shkelur… (ndërhyrje nga deputetët). Ai që ka nevojë për mbrojtës ka një budalla për klient- thuhet në tekstet e para të drejtësisë. Ju siguroj që nuk kam asnjë, ku është konstatuar shkelje, gabim apo faj në punën time si drejtor i marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Për fatin tim puna ime në Prokurori është e dokumentuar. Unë nuk gëzoj fatin që të kem pasardhësin tim titullar mik, kështu që do kishin dalë me kohë këto, në qoftë se do ishin të vërteta këto që thoni ju.

Enkelejd Alibeaj: Theksoj faktin se një proces kaq të rëndësishëm opozita tejkaloi komplekset e veta me pjesëmarrjen në jetën aktive të parlamentit dhe solli kandidat të vetin. Që do të thotë se jemi në një aktivitet normal të shëndoshë parlamentar në procesin e kandidaturave për poste të larta kushtetuese. Në lidhje me atë çka sjell kandidati i propozuar nga 30 deputetë të tjerë konstatova se kandidati në lidhje me postin nuk shfaqi ndonjë vizion të qartë. Ndërsa në lidhje me meritokracinë nuk konstatova asnjë strategji, cilat do ishin vlerat që do mbronte apo strategjia që do përdorte, pëveç strategjisë së topuzit. Ndoshta edhe kjo është një mjet i mirë për ta përdorur për gjendjen ku sistemi gjyqësor është. Së dyti unë besoj se ky kuvend duhet të marrë parasysh faktin se ka dhënë një lloj vlerësimi mbi veprimtarinë e kandidatit gjatë kohës që ai ka milituar në prokurori. Komisioni hetimor në atë kohë për Sollakun ka vlerësuar veprimtarinë e prokurorisë ku punonte dhe kandidati dhe vlerësimi atëherë ka qenë jo pozitiv. Së treti besoj se komisioni nuk vlerëson kandidatët e ardhur vetëm për aftësitë profesionale por duhet të tregohet dhe sjellja ndaj detyrës shtetërore. Kjo është garancia e vetme që kemi ne të gjithë. Pas këtij momenti të gjithë duhet të heshtin. Për këtë arsye bëjmë vlerësim të së shkuarës të karrierës publike të kandidati. Kandidati i paraqitur këtu ka pasur fatin e mirë të ketë pasur sfida, në një moment të caktuar për arsye të ndryshme ka dhënë dorëheqjen. Dhe ky është një akt që do e quaja dezertim ndaj shtetit, por është akt që ka treguar se ai nuk ka mbajtur detyrën.

Tahiri: Dhe ti ke dhënë dorëheqjen

Enkelejd Alibeaj: Ti mbylle tani se ishe votë kundra. Unë do jap votën time. Ti vazhdo të luash me celularin. Të jesh i sëmurë nga mentë nuk do të thotë se mund të mos bëhesh deputet.

.. për këtë arsye ky është një nga standardet që duhet të vlerësojmë në kuvend. Ka një rast kur kandidati nuk ka dashur të jetë shërbyes i shtetit. Jemi në garë, janë dy kandidatë. Nuk dua të them se kandidati i 30 deputetëve shfaqi një performancë jo pozitive, madje e them se qoftë në njohjet e veta profesionale, qoftë në njohjet letraro-artistike sigurisht i kishte të përgëzueshme megjithatë duhet të vlerësojmë mes tyre. Mes 2 kandidatëve e kam shprehur preferencën time bazuar në performancën e tyre në detyrë dhe në seancën dëgjimore, vota ime do jetë për Elvis Çefën. Kjo nuk e bën performancën e kandidati që sa u largua të tillë që mos e nderojë atë. Ky ishte një rast i mirë për të shpalosur performancën e tij.

Fatmir Xhafaj: Po e vazhdoj me mbylljen e Alibeajt që vlerësoi performancën e kandidatit që ne kemi mbështetur. Kjo tregon se ne kemi hedhur firmën për një kandidaturë që ia vlen, të respektohet e votohet për profesionalizëm. Seanca e pyetjeve dëshmoi performancën pozitive, nivelin profesional çka e bën atë kandidaturë të mundshme për ta përcjellë këtë profesionalizëm e përgjegjshmëri dhe në KLD. Në të kundërt me shumë zgjedhje të deritanishme që kanë qenë të gabuara dhe sipas vetë mazhorancës. Kandidati plotëson kushtet ligjore por dhe atë të meritës. Zoti Visha është avokat dhe ka mbrojtur 100 klientë siç tha në një përgjigje dhe ne nuk kemi sjellë këtu të votoni klientët por avokatin, për aftësitë e tij profesionale, përgjegjshmërinë e tij në raport me detyrën, kushtetutën e ligjin. Kjo është e mjaftueshme që debati mos kthehet në retorikë të panevojshme. Ne vazhdojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim për çështjen e Gërdecit. Nuk ndryshojmë asnjë presje nga qëndrimi politik, Kushtetues e ligjor. Ju nuk mund ti ikni asaj përgjegjësie mes akrobacive. Sa i përket kandidaturës ju duhet të jeni koshientë se kemi sjellë kandidaturë konform ligjit.

Edi Paloka: Mendoj se politikisht pavarësisht asaj që tha zoti Xhafaj më duket se propozimi zotit Visha është një autokritikë e PS për Gërdecin. Të propozosh avokatin e përfaqësuesit të qeverisë në çështjen Gërdeci dhe të mbrosh pozicionin e tij si zoti Visha jo duke u fshehur pas profesionit, por duke deklaruar se kishte bindjen që Mediu ishte i pafajshëm, pra pozicion i kundërt me të PS-së. Ndaj mendoj se propozimi i deputetëve socialistë është një tërheqje politike nga Gërdeci. Ne kemi propozuar një kandidat tonin që është zoti Çefa, por dhe sikur mos ishte ai unë mendoj se Visha nuk plotëson kriterin e meritës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›