Meta në Vlorë: Të hiqet imuniteti për deputetët
Kreu i LSI-së apelon për realizimin e reformave në mënyrë që anëtarësimi në BE të jetë sa më i afërt. Sipas Ilir Metës pjesë e rëndësishme e këtyre reformave është edhe heqja e imunitetit të deputetëve në mënyrë që të jenë të barabartë me të gjithë para ligjit. Ilir Meta e bëri këtë deklaratë nga Vlora në një aktivitet të Forumit Rinor të kësaj partie.
“Për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë nuk ka nevojë të vijë në Vlorë, as qeveria me kuaj dhe as opozita me gomerë. Shqipëria ka nevojë për mesazhe që e përbashkojnë atë, për mesazhe optimiste për të ardhmen. Sot shqiptarët lëvizin pa viza. E vetmja rrugë është të votohen reformat për BE, është koha që të tregojmë se kemi mësuar nga historia jonë duke filluar me Skëndërbeun e me radhë, por të kemi parasysh se Shqipëria dhe Vlora nuk kanë më asnjë minutë për të humbur, për të ndërtuar një të ardhme, ndaj është koha që ti përgjigjen thirrjes së komunitetit Europian dhe LSI që deputetët të lënë imunitetin dhe të jenë të barabartë me të gjithë”.
Kryetari i LSI-së deklaroi ndër të tjera se LRI është forumi rinor më aktiv në mbarë vendin. Në këtë aktivitet u shpërndanë edhe tesera për anëtarësime të reja.