E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi pranon dorëheqjen e Bardhit

12/04/2012  Kryetarja e Kuvendit mbledh Këshillin për Rregulloren dhe Imunitetin

Çështja do të diskutohet në seancë dhe nga komisioni për zgjedhjet

Partia Demokratike tërhiqet nga pozicioni i saj mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjes “Seseri” dhe pranon të njohë dorëheqjen nga mandati i deputetit i kryebashkiakut të Fushë-Krujës Gjon Bardhi. Këtë mandat Bardhit ia dha KQZ-ja në unanimitet me vendimin e marrë në mbledhjen e 13 janarit të këtij vitit, ndonëse ai ushtronte mandatin e kreut vendor. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nënkryetare dhe deputete e PD-së, thirri dje mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pikërisht për këtë çështje dhe i kërkoi atij që t’i drejtohet seancës plenare që të njohë dorëheqjen e Bardhit. Për këtë anëtarët e Këshillit ranë dakord të caktojnë dy relatorët e të dyja palëve, që do të hartojnë një raport të përbashkët lidhur me të gjitha detajet dhe problematikën e kësaj çështjeje e më pas paraqitjen e tij në seancë plenare. Gjithashtu kryeparlamentarja u propozoi anëtarëve të Këshillit që ky rast specifik dhe i paprecedent, i cili evidenton edhe një boshllëk në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje çështjes në fjalë, të merret në shqyrtim nga Komisioni për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më. Me vendimin e djeshëm PD-ja duket se ka hequr dorë nga mendimi për të kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen në fjalë, mendim i prezantuar fillimisht nga anëtarja e Këshillit Arenca Trashani në mbledhjen e datës 2 prill. “Si përfundim, ju sugjeroj t’i kërkojmë një mendim Gjykatës Kushtetuese për këtë precedent që na është krijuar. Jua siguroj unë se mund të krijohet edhe në të ardhmen derisa të kemi këtë sistem zgjedhor. Pavlefshmërinë e ka Gjykata Kushtetuese”, - ka deklaruar Trashani sipas procesverbalit të mbledhjes të publikuar në faqen e zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu PD-ja mendon të zgjidhë ndryshe ligjërisht këtë çështje, por pa marrë një verdikt të Gjykatës së Apelit, së cilës, sipas mazhorancës, duhet t’i drejtohej PS-ja pas vendimit të KQZ-së. Kjo linjë është mbajtur edhe nga Kryeministri Berisha dhe deputetë të djathtë deri dy ditë më parë. “Me ligjin e vendit ne kemi një Gjykatë Apeli, e cila trajton çdo lloj çështjeje që ka të bëjë me deputetin, kandidimin e mandatimin. Qëllimshëm ata lanë të digjen të gjitha afatet për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit, nëse gjykonin se i ishte bërë një padrejtësi nga KQZ-ja. Tani kërkojnë të bëjnë gjykatës Komisionin e parlamentit, i cili nuk ka asnjë tagër tjetër përveçse për t’iu drejtuar parlamentit me mendimin e tij. Ky Komision nuk ka atribute gjykate, por ata kërkojnë të bëjnë kryegjyqtare Kryetaren e Kuvendit vetëm për akuza politike. Kjo mazhorancë nuk mund të pranojë t’i diktohen rregulla sui generis, siç i dikton ai në partinë e tij. Kjo mazhorancë është e detyruar të respektojë ligjet e vendit”, - tha Berisha në mbledhjen e grupit këtë të hënë. Nga ana e tyre socialistët këmbëngulën që zgjidhjen t’ia japë Kuvendi. “I takon Kuvendit të njoftojë KQZ-në për këtë refuzim dhe t’i kërkojë që të vazhdojë me listën e deputetëve për deputetin e radhës, i cili duhet të mandatohet dhe pastaj të ulet në vendin e mbetur bosh”, - ka deklaruar kryetari i socialistëve në daljet e tij publike gjatë këtyre ditëve. Ngërçi për mandatin e lënë nga deputetja e PS-së Ruzdina Seseri u përkthye si një tentativë e mazhorancës për të rrëmbyer deputetin e selisë rozë, akuzë e cila u hodh poshtë nga Kryeministri Berisha. “Kryetari i PS-së e ka të qartë që mazhoranca nuk ka tendencë të përvetësojë një mandat që nuk i takon”, - tha kreu i mazhorancës qeverisëse.

Kreu i PS-së Rama pret ambasadorin e SHBA-ve

“Seseri”, Arvizu: Për zgjidhjen duhet të shkohet tek ligji

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar pas takimit me kryetarin e PS-së Edi Rama për çështjen “Seseri” se zgjidhja për klimën e tensionuar mes mazhorancës dhe opozitës duhet të shkojë drejt ligjit. Ai pranoi se kishte diskutuar këtë temë me kreun selisë rozë, ashtu siç pohoi se nuk e kuptonte fort mirë ligjin për këtë rast. “Jam në dijeni të çështjes, por më duhet të flas me më shumë njerëz lidhur me implikimet. Më duhet të kuptoj më mirë çfarë thotë ligji. Gjithnjë duhet të shkohet te ligji. Kam kuptuar që personi tjetër në listë është kryebashkiaku i Fushë-Krujës. Me sa kuptoj unë, ka shprehur hezitim për të hequr dorë nga mandati që ka. Sigurisht që është e kuptueshme. Në njëfarë mënyre u ka borxh qytetarëve të Fushë-Krujës që t’u shërbejë. Për këtë e kanë zgjedhur. Se ku shkohet prej këtu, nuk e kam kuptuar mjaftueshëm. Thjesht shpresoj që do të bëhet në një mënyrë që është në përputhje me ligjin”, - tha Arvizu pas takimit, që zgjati më shumë se 90 minuta. Fillimisht ai komentoi me një sens të lehtë humori për kravatën e tij shumëngjyrëshe të vënë posaçërisht për atë takim. Më tej ai solli detaje mbi bisedën me Ramën, çështjet që ishin diskutuar dhe ato që nuk ishin prekur, siç ishte ajo për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Sa u takon reformave, asaj zgjedhore dhe parlamentare, kreu i diplomacisë së SHBA-ve në vendin tonë kërkoi nga palët përshpejtimin e ritmeve. “Pjesa më e madhe e diskutimit u përqendrua në procesin e reformave. Mendoj se në shumë gjëra ka pasur njëfarë përparimi, por disa gjëra nuk po lëvizin aq shpejt sa mundet. Theksova se ne e mbështesim plotësisht axhendën e reformave, që është e rëndësishme të miratohen reformat edhe procedurat parlamentare, por sidomos reformat e Kodit Zgjedhor, që nga një perspektivë e SHBA-ve janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Është e qartë se është diçka që të dyja palët duhet ta zgjidhin. Mendoj se fundi i prillit ka qenë afati për të cilin të dyja palët kishin rënë dakord që duhet arritur dhe sigurisht është shpresa dhe pritshmëria jonë që të dyja palët të bëjnë gjithçka munden për t’iu përmbajtur atij afati”, - deklaroi ambasadori Arvizu.

Kryetarja e Kuvendit, Topalli, i kërkoi Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin t’i drejtohet seancës plenare për të njohur dorëheqjen e Bardhit nga mandati i deputetit.

Kodi Zgjedhor

Kodi Zgjedhor në nenin 164 të tij, pika 2, zgjidh më së miri mandatin “Seseri”. “KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listë. Nëse ai nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni”, - thuhet në të.

Rasti i paprecedentë, i cili evidenton edhe një boshllëk në Kodin Zgjedhor, do të adresohet në punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që të mos përsëritet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›