E Shtunë, 31 Tetor 2026

Visha, Cefa bisedimet per votat

12/04/2012  Sot seanca plenare për votimin e kandidaturave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë

LSI, PR, por dhe deputetë të PD-së mund të rrezikojnë Elvis Çefën

Është paralajmëruar pjesëmarrje maksimale e deputetëve të të dy krahëve sot në Kuvendin e Shqipërisë në votimin për nënkryetarin e KLD-së. Kryetarët përkatës, Berisha për PD-në dhe Rama për PS-në, ka dhënë porositë e tyre për pjesëmarrje sa më maksimale sot në votim, që do të bëhet i fshehtë dhe me kuti. Mazhoranca ka propozuar Elvis Çefën, ndërsa opozita ka kandidaturë Ardian Vishën, i njohur dhe si avokati i ish-ministrit Fatmir Mediu në çështjen “Gërdeci”. Është pikërisht kandidatura e Vishës ajo që ka ndezur lojën e numrave në Kuvend dhe të dyja kampet politike bëjnë llogaritë e tyre. Ajo çka është interesante qëndron në faktin se cili krah do të bëjë 71 vota, që të kalojë emrin e njërit apo tjetrit kandidat për në krye të KLD-së. Por llogaria e numrave vjen e vështirësohet për shkak të lidhjeve që ka Visha edhe brenda mazhorancës. Në rast se opozita do t’i thotë “jo” në bllok kandidaturës së Çefës, nuk pritet të ndodhë e njëjta gjë edhe në radhët e mazhorancës. Fatmir Mediu, aleat i PD-së, mund ta çojë në 66 numrin e votave për Vishën për shkak dhe të miqësisë që ka me Vishën. Por nuk është vetëm kjo, vetë Visha ka një të kaluar miqësie me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës dhe deri tani kjo forcë politike nuk ka treguar ndonjë interes të veçantë për kandidaturën e Çefës. Madje ishte Vangjel Tavo ai që deklaroi se vendimin për këtë çështje do ta merrnin në çastet e fundit. Ndërkohë që PD-ja s’mund të mbështetet as në votat e Kastriot Islamit apo Vangjel Dules, pasi të dy këta nuk besohet të kenë ndonjë njohje të drejtpërdrejtë më Çefën, i cili, megjithëse ka mbajtur detyra të larta në administratë, nuk është person i njohur në lobingjet politike. Por kjo është vetëm ajo çka duket në sipërfaqe, pasi dhe nga vetë radhët e mazhorancës ka persona të lidhur direkt ose indirekt me kandidaturën e sjellë nga ana e PS-së dhe që votimi i fshehtë për postin e nënkryetarit të KLD-së do të ishte mënyra më e mirë për t’i bërë nderin të njohurit të tyre të vjetër, i cili kandidon në një nga postet më të larta të drejtësisë.

Ardian Visha

Ardian Visha ka punuar si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe më pas në sektorin e marrëdhënieve me jashtë në këtë institucion. Që prej vitit 2008 ushtron aktivitetin si avokat, ndërsa që prej vitit 2009 mbron në gjykatë çështjen e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndërkohë Kryeministri Berisha e ka akuzuar Ardian Vishën si avokatin e grupit “Hakmarrja për Drejtësi” në Prokurorinë e Përgjithshme, akuza që në fakt s’janë provuar ndonjëherë nga drejtësia

Elvis Çefa

Elvis Çefa ka zëvendësuar në vitin 2009 në postin e drejtorit të antikorrupsionit Enkelejd Alibeajn, që u zgjodh deputet. Që prej vitit 2010 mban postin e drejtorit të AKKP-së, një institucion delikat dhe i shumëpërfolur nga opinioni publik. Me profesion është jurist, por nuk e ka ushtruar asnjëherë detyrën e gjykatësit, si paraardhësit e tij në këtë institucion. Duhet theksuar se është i vetmi që propozohet për një post të lartë nga ky pozicion, duke iu referuar paraardhësve të tij që janë shkarkuar.

Nënkryetari

Vendi i lënë vakant nga Kreshnik Spahiu synohet nga të dyja forcat politike për vetë rëndësinë që ka. Emërimi i gjyqtarëve, transferimet po dhe reforma në drejtësi lidhen jo pak me këtë pozicion, i cili ndodhet në piramidën e drejtësisë shqiptare. Por nga ana tjetër posti i nënkryetarit lidhet dhe me marrëdhëniet që do të ketë me kryetarin aktual të KLD-së, por dhe me atë që mund të pasojë. Opozita i druhet zgjedhjes së një presidenti nga ana e mazhorancës, kështu që synon të paktën nënkryetarin.

Berisha: Asnjë mungesë në votimin e së enjtes

Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të hënën kërkoi pjesëmarrje maksimale në votimin e ditës së sotme, ndërkohë që mësohet se kreu i grupit parlamentar të PD-së ka marrë dhe kontakte të vazhdueshme me aleatët. Dalja në skenë e Ardian Vishës duket se e ka turbulluar jo pak kupolën e PD-së, e cila i druhet rrjedhjes së votave nga të vetët. Votimi i fshehtë me kuti nuk mund të shmanget, për më shumë që kandidatura e Elvis Çefës nuk është dhe aq e njohur nga ana e deputetëve të PD-së. Në këtë votim asgjë nuk është e sigurt, pasi shumëkush mund t’i shmanget vendimit të grupit. Në bazë të ligjit, fituesi shpallet me shumicë të thjeshtë dhe po të kemi parasysh ekuilibrat parlamentare, mjaftojnë pesë apo gjashtë vota nga mazhoranca që Ardian Visha të shkojë drejt postit të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por, nga ana tjetër, kjo mund të komentohej nga opozita dhe media si një goditje që i jepet mazhorancës dhe pozicionit të qeverisë, për sa u përket numrave që ajo ka në Kuvendin e Shqipërisë.

Opozita në kushte më të favorshme Vishën

Por edhe nga ana e tij kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dhënë porosi që mos ketë mungesa në seancën e sotme parlamentare. Nxjerrja e kandidaturës së Ardian Vishës vërtet ishte me kosto për këtë parti, që e kish kthyer në kauzë çështjen e Gërdecit dhe Visha si avokat i Mediut i jep një imazh jo të mirë në opinionin publik opozitës, por me sa duket posti i nënkryetarit të KLD-së është jo pak i rëndësishëm për Ramën, i cili kërkon që të ketë njeriun e tij në krye të këtij institucioni, ose së paku të ketë të siguruar postin e nënkryetarit të KLD-së. Nga ana e saj opozita është në kushte më të favorshme dhe nuk i druhet shumë rrjedhjes së votave, siç mund të ndodhë në rastin e mazhorancës. Elvis Çefa s’ka ndonjë staturë që të ketë lënë gjurmë tek asnjë prej deputetëve atje, si në rastin e Vishës. Ramës i duhet vetëm të presë se kush do e tradhtojë Berishën për t’i shtuar një vend opozitës. Por edhe në rast se nuk fiton, s’ka ndonjë kosto, siç mund ta ketë rivali i tij në rastin e një përmbysjeje votash ditën e sotme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›