E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, të larguarit nga Berisha nisin lëvizjet për krijimin e një fraksioni



Burime informacioni kanë bërë të ditur për gazetën se shumë shpejt do të nisë të kristalizohet një fraksion brenda Partisë Demokratike. Sipas burimeve, bëhet fjalë për bashkimin e një sërë personaliteteve me stazh të gjatë politik në selinë blu, që do të fillojnë të kërkojnë jo vetëm pjesëmarrje në jetën partiake, por edhe pjesë nga pushteti. Shumica e këtyre figurave të njohura të Partisë Demokratike, me poste në parti, në Kuvend, por edhe ish-ministra, pritet të krijojnë një fraksion të mendimit ndryshe në parti. Prej kohësh nga selia blu janë shuar të gjithë zërat kritikë. Edhe ata pak deputetë të legjislaturës së kaluar që njiheshin si deputetë të mendimit ndryshe, u larguan jo vetëm nga lista e kandidatëve për deputetë, por u hoqën edhe nga forumet drejtuese duke mos u zgjedhur si anëtarë të Këshillit Kombëtar. Megjithëse kjo lëvizje është ende një nismë e mbetur në letër, burimet bëjnë të ditur se shumë shpejt do të ketë të reja dhe do të jepen edhe emrat konkretë të figurave që do të nisin atë që do të quhet fraksioni i mendimit ndryshe në selinë blu. Sipas burimeve ky grup po pret që rënien e pritshme të qeverisë “Berisha” për shkak se sipas tyre kjo qeveri i ka ditët të numëruara për shkak të krizës ekonomike, duke qenë se edhe administrata shtetërore po shfaq të njëjtin problem si shumë biznese, duke vonuar dhënien e pagave për nëpunësit. Në një moment të tillë këta persona do të ngrenë zërin kundër nismave të gabuara të qeverisë dhe do të kërkojnë pjesëmarrjen e tyre në forumet partiake.
19 vite PD
Gjatë 19 viteve të historisë së funksionimit të PD-së nga kjo parti janë flakur jashtë të gjithë personat që kanë ngritur zërin kundër Berishës. Kështu ka ndodhur që në vitet e para të krijimit të PD-së. Në vitin 1992, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u zgjodh president i vendit, por ai nuk hoqi dorë nga kontrolli mbi partinë, megjithëse në krye të saj ishte vendosur formalisht Eduard Selami. Në korrik të vitit ’92 u zhvilluan zgjedhjet lokale që rezultuan të ishin një dështim për PD-në. Rezultati i dobët që kjo parti mori në zgjedhje nxiti zërat “rebelë” brenda saj të cilët kërkonin të bënin analizë dhe të nxirrnin përgjegjësit. Në këtë situatën ngritën zërin një grup intelektualësh, themelues të PD-së që njiheshin si kritikë ndaj Berishës. Të tillë ishin: Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Perikli Teta dhe figrua të tjera të rëndësishme të PD-së. Në gusht të vitit 1992 ata botuan një dokument ku kërkonin që të zhvillohej një analizë në mënyrë që të nxirreshin përgjegjësit e humbjes së PD-së në zgjedhje. Por, më muajin shtator Berisha organizoi një konferencë të jashtëzakonshme dhe në vend që të bënte analizën e kërkuar, përjashtoi të gjithë kundërshtarët, që në fakt ishin bashkëthemelues të PD-së. Ky është shënuar si përjashtimi i parë i bujshëm në Partinë Demokratike por që në 19 vite është pasuar dhe nga të tjerë.
Kështu, në vitet 1993-1994 brenda PD-së po formoheshin fraksione që rritnin frymën kritike ndaj mënyrës autoritare të udhëheqjes nga Berisha. Në këtë grupim bënin pjesë individë të tillë si Petrit Kalakula, që në atë kohë drejtonte Degën e PD-së së Tiranës dhe Abdi Baleta. Por që të dy këta figura të PD-së patën të njejtin fat me grupin e Imamit. Kalakula dhe Baleta u përjashtuan nga PD-ja, duke shënuar përjashtimin e radhës dhe dështimin e përpjekjeve për të krijuar fraksione të mendimit ndryshe në PD.
Në nëntor të vitit 1994 rrëzohet Kushtetuta e propozuar nga qeveria e PD-së dhe Berisha gjendet pa asnjë tezë politike për të shpërndarë përgjegjësinë. Por, në këtë periudhë, kryetari i asaj kohe i PD-së, Eduard Selami, nis një tur në të gjithë vendin, gjatë të cilit hedh kritika ndaj Berishës dhe kërkon njehsimin e postit të kryetarit të PD-së me atë të kryeministrit. Selami gjithashtu propozonte korrigjimin e pjesës problematike të Kushtetutës që mbrohej aq shumë nga Berisha. Por kjo frymë kritike e dënoi Selamin, duke sjellë përjashtimin e tij nga partia në Kuvendin e pranverës së vitit 1995. Madje Selami nuk u lejua as të hynte në mbledhjen që po merete vendim për shkarkimin e tij. Largimi i Selamit shënon një tjetër përjashtim nga PD-ja.
Zgjedhjet e majit 1996 ishin një shans i humbur për PD-në. Zgjedhjet u kritikuan rëndë dhe u bënë shkak për prishje e marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA-ve. Disa përpjekje diplomatike për të zbutur situatën u refuzuan nga Berisha dhe situata shkoi në ekstrem. Rrotull Berishës mbetën pak zëra autoritarë dhe i vetmi që dukej se përçonte frymën e tij radikale në Perëndim ishte këshilltari i tij, Genc Pollo.
Të gjitha figurat politike ishin larguar prej Berishës dhe ekipi i teknicienëve të PD-së që drejtonin qeverinë ishin të pazotët për të përballuar krizën politike që po vinte.
Kur kriza shpërtheu me të gjitha elementet e saj në muajin shkurt dhe mars, Berisha u gjend me një sërë ministrash që dhanë dorëheqjen nga posti për t’u distancuar prej tij. Të tillë ishin Genc Ruli, Dashamir Shehi, Dylber Vrioni, Bashkim Kopliku etj., të cilët kërkuan të distancoheshin nga politika e Berishës. Megjithatë, Berisha u rizgjodh president më 3 mars 1997, por vetë, gjashtë ditë më vonë, u detyrua të dorëzonte pushtetin e qeverisë së tij te Bashkim Fino për shkak të përshkallëzimit të protestave dhe destabilizimit të vendit.
Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997 ai humbi thellë dhe u detyrua të rikthehej në selinë e PD-së duke dhënë dorëheqjen dhe nga posti i Presidentit të Republikës. Edhe besnikët e tij të fundit, si Tritan Shehu e Genc Pollo, e braktisën dhe u bënë zërat më kritikë ndaj tij. Në vitin 1999 Pollo u largua nga Kuvendi ku garonte për postin e kryetarit të PD-së përballë Berishës, duke e akuzuat atë si njeri të korruptuar që kishte marrë para nga firmat piramidale. Pollo bashkë me Shehun krijuan PDR-në, që i vodhi dhe siglën PD-së.
E gjithë situata brenda PD-së ndryshoi kryekëput në vitin 2005. Në prag të zgjedhjeve parlamentare Berisha propozoi një strukturë të re pranë PD-së, të quajtur Komiteti i Orientimit të Politika. Në të u thirrën të merrnin pjesë themelues të PD-së, kritikë ndaj Berishës dhe figura të reja. E gjitha kjo solli një imazh të ri për partinë dhe ndikoi në fitoren e zgjedhjeve dhe rikthimin në pushtet të Berishës pas 8 viteve në opozitë. Por, gjatë katër viteve të kaluara janë evidentuar zëra të mendimit ndryshe brenda PD-së, që të gjithë aktualisht ose janë përjashtuar nga partia, ose nuk figurojnë më në struktura vendimmarrëse të partisë. Kështu, Berisha përjashtoi nga PD-ja pas një debati për kushtetutshmërinë e ligjeve të qeverisë, avokat Spartak Ngjelën. Ngjela u shpreh kundër një sërë ligjesh që vinin në Kuvend nga qeveria “Berisha”, duke u shprehur se ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Të gjithë bisedën me Berishën, Ngjela e publikoi në media, çka solli përjashtimin e tij nga PD-ja. Gjatë katër viteve të kaluara, për shkak të një mosmarrëveshjeje, e cila nuk u bë kurrë e ditur, dha dorëheqjen nga posti i ministrit krahu i djathtë i Berishës, një ndër miqtë e tij të vjetër dhe bashkëthemelues i PD-së, Besnik Mustafaj. Ndërsa gjatë hartimit të listës së deputetëve për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Berisha nuk parashikoi ndonjë zonë favorite për një tjetër bashkëthemelues të PD-së, Preç Zogajn. Madje ai përjashtoi nga listat e deputetëve mbështetësit e presidentit Topi, të cilët Berisha i cilësoi si pakicë bllokuese në Kuvend. Ky përjashtim shënoi dhe fushatën e fundit spastruese në PD. Kuvendi i fundit i PD-së pasqyroi “punën e mirë” të bërë nga Berisha në 19 vite. Ai tani nuk ka më asnjë kundërshtar në parti.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›