Topi: “Tryeza e Presidentit solli opozitën në Parlament, atje të gjendet zgjidhja”
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në intervistë me Dojçe Velen në Berlin, flet për mbështetjen gjermane për kandidaturën e Shqipërisë në BE dhe detyrat e klasës politike në Shqipëri për perspektivën e anëtarësimit. Presidenti i Republikës vlerëson arritjen e tij si negociator për zgjidhjen e krizës politike në vend. Sipas kreut të shtetit, tryeza e partive politike e organizuar prej tij arriti të fusë opozitën në Parlament. Tani, sipas presidentit Topi, u takon partive politike që me përgjegjësi të zgjidhin krizën duke dialoguar në Parlament. Ai bën të ditur se stabiliteti politik dhe funksionimi i institucioneve demokratike në vend është kusht për integrimin në BE.
Zoti president, ju erdhët për herë të parë në Gjermani dhe takuat për herë të parë edhe presidentin gjerman. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Pa dyshim që ishte një pritje shumë e ngrohtë nga ana e presidentit Këler, është shprehje e asaj marrëdhënieje të shkëlqyer që ekziston prej vitesh ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë. Unë pata një ftesë zyrtare, e cila tregon se niveli i dialogut politik është në nivel më të lartë, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë tashmë konsiderohen marrëdhënie tradicionale, gjë që u demonstrua jo vetëm në frymën e bisedimeve, por edhe në pranimin e ftesës për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të shpejtë dhe për t'iu përgjigjur me një nivel sa më të plotë marrëdhënieve, por edhe dëshirës personale për të parë Shqipërinë nga afër, arritjet e saj, natyrën por edhe të gjitha vlerat historike, arkeologjike, kulturore e tradicionale që ka Shqipëria.
Qeveria aktuale gjermane është paksa e rezervuar ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Cili është gjykimi që i bën presidenti Këler kandidaturës së Shqipërisë?
Unë besoj, që pavarësisht nga klima që ekziston në BE, një lloj rezervimi përsa i përket zgjerimit, për shkak edhe të problemeve që janë krijuar edhe në disa vende të Bashkimit Europian, kjo nuk e zbeh suportin që Gjermania i ka dhënë dhe do t'i japë Shqipërisë në rrugën e integrimit. Çështja e integrimit natyrisht që ka disa faza: Sot Shqipëria është vend i NATO-s, që tregon që ka përmbushur një pjesë të rëndësishme të aspiratës së integrimit në familjen euroatlantike, kemi një stad tjetër që ne kërkojmë ta arrijmë sa më shpejt dhe besoj se kjo do të arrihet brenda këtij viti, që është liberalizimi i lëvizjes së njerëzve dhe patjetër që procesi i anëtarësimit të Bashkimit Europian, ndonëse se ka rezerva për momentin, besoj që është një tendencë natyrale e pandalshme e Shqipërisë për t'u futur në Bashkimin Europian, por edhe të vendeve të Bashkimit Europian për të absorbuar Shqipërinë në gjirin e familjes europiane.
Cili është roli që luan kriza aktuale e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së?
Natyrisht është kusht i domosdoshëm për integrimin që një vend të ketë stabilitet politik. Përgjithësisht institucionet e Shqipërisë janë të qëndrueshme, por klima politike dhe parlamentare, domosdoshmërisht kërkon një rritje të koshiencës së të gjitha partive politike që kompozojnë Parlamentin, që të jenë më bashkëpunuese, të marrin pjesë më aktivisht në realizimin e reformave dhe përtej rëndësisë jetike që ka bashkëpunimi në çështjet e brendshme të Shqipërisë, ka rëndësi edhe në imazhin e Shqipërisë në Europë. Besoj që është e rëndësishme dhe partitë politike do të dinë ta kuptojnë rëndësinë e forcimit të imazhit.
A do të angazhoheni ju edhe njëherë për zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Unë mendoj që tryeza e presidentit pati një rezultat konkret. Opozita tashmë realisht ka trokitur në Parlament, është bërë pjesë e Parlamentit, ndoshta jo me kapacitet të plotë, por është një çështje që sot ndodhet realisht në Parlament. Partitë politike tani janë afër, pavarësisht që marrin pjesë fort në debatin politik që është diçka e rëndësishme për demokracinë, duhet të dinë të bashkëpunojnë edhe për reformat e mëdha. Sa kohë që janë në Parlament, unë e shikoj të tepërt një lloj interference për t'i thënë: ejani bisedoni. Ato natyrisht ato janë duke biseduar, po debatojnë dhe janë në Parlament, dhe besoj që atje duhet të gjejnë zgjidhje midis tyre.
Megjithatë, opozita ka paralajmëruar protesta masive. Kjo nuk flet për zgjidhjen e krizës.
Besoj është në të drejtën e opozitës që të protestojë kur mendon që duhet të protestojë, është një nga opsionet e betejës demokratike. Çdo parti ka të drejtë të përpunojë dhe të realizojë taktikat dhe opsionet e veta politike. Mendoj që përtej protestave partitë politike, do të kenë koshiencën që edhe të kenë rezultate konkrete në bashkëpunimin midis tyre. Nuk mund të bëj koment për protestat, sepse duke pasur një eksperiencë të gjatë politike - edhe unë kam protestuar kur kam qenë pjesë e një formacioni politik - kështu që askush nuk mund të kontestojë të drejtën për të protestuar, por jam i bindur që edhe protestat do të realizohen brenda kuadrit ligjor, që vetë politika i ka aprovuar, i ka përpunuar dhe duhet t'i pranojë si të tilla.
Një problem tjetër që nuk po zgjidhet është ai i Gjykatës Kushtetuese. Si mendoni ju se mund të dilet nga kjo çështje?
Jo, unë besoj që jemi absolutisht në kohë për Gjykatën Kushtetuese. Shumë shpejt do të zbatohet linja kushtetuese e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Kushtetutës do të miratohen në Parlament.
Cilat janë kushtet që keni vënë ju?
Janë vetëm kushte, të cilat unë jam i detyruar t'i zbatoj sikurse përcaktohen në Kushtetutë: që njerëzit që zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese e në çdo gjykatë, duhet patjetër që të jenë në parametrat më të lartë të moralit dhe të profesionalizmit. Pastaj gjithçka është pjesë e një procedure, e cila përshkruhet me shumë hollësi në Kushtetutë dhe në ligj.
Ju keni ardhur me një delegacion shumë të madh nga ekonomia. Kur sheh statistikat e bilancit tregtar të Shqipërisë vihet re një dominancë e madhe e Italisë dhe Greqisë. Mendoni se ka ardhur koha që Shqipëria të hapet pak më shumë ndaj, për shembull, Gjermanisë?
Unë shoqërohem me një grup biznesi dhe është në traditën e vizitave të mia që të shoqërohem me një grup biznesi për t'i dhënë një kuptim më dimensional vizitës që përtej politikës duhet të flitet edhe me gjuhën e biznesit, duhet të flitet edhe me gjuhën e investimeve, me bashkëpunimin që është jetik për një vend. Prania e investitorëve gjermanë në Shqipëri është e dukshme, por nga biseda që pata me presidentin shihet e nevojshme që të rritet. Shqipëria është një vend i hapur, është një vend me mundësi të mëdha dhe kjo patjetër që do të rrisë edhe atraksionin e investitorëve gjermanë për të shtuar prezencën e tyre në Shqipëri.
Hera e fundit kur një president shqiptar vizitoi Gjermaninë ishte para 12 vjetësh. Si mendoni, a ka ardhur Shqipëria në këtë vizitë me një vetëdije tjetër mbas këtyre 12 vjetësh?
Unë besoj që dymbëdhjetë vite nuk janë pak për një vend i cili u është nënshtruar ndryshimeve mjaft dinamike. Shqipëria sot është vend i NATO-s, ku kemi pasur edhe një ndihmë të drejtpërdrejtë nga Gjermania për të qenë anëtarë të NATO-s. Sot jemi në prag të lëvizjes së lirë të njerëzve, e cila është një aspiratë dhe një dëshirë e vjetër e popullit shqiptar për të qenë i lirë dhe jemi në një rrugë të pandalshme drejt Bashkimit Europian. Jemi më afër se kurrë. Kështu që ka një ndryshim, sepse dymbëdhjetë vite nuk janë pak edhe për jetën e një njeriu, por edhe për atë të një vendi dhe ekonominë e tij. Kështu që sot vijmë me një imazh të ri për Shqipërinë dhe për shqiptarët, edhe kjo gjë u perceptua edhe në takimin me presidentin Këler.
Marrë nga “Dojçe Vele”
7 Prill 2010