Berisha dhe kryeministri Ansip ftojnë biznesin estonez të investojë në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri estonez, Andrus Ansip, morën pjesë në Forumin e Biznesit “Investement in Albania”. Bashkë me dy krerët e shteteve mike ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e delegacionit estonez, anëtarë të kabinetit qeveritar shqiptar, si dhe mjaft biznesmenë nga të dyja vendet. Duke hapur punimet e këtij forumi biznesi, kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e parë zyrtare të një kryeministri nga Estonia në Shqipëri si një impuls mjaft të fuqishëm përsa u përket marrëdhënieve ekonomike, që priten të zhvillohen me shpejtësi në të ardhmen. Duke iu drejtuar homologut estonez, si dhe biznesmenëve estonezë të pranishëm në këtë forum, kryeministri Berisha shprehu bindjen e tij të thellë, se investimet estoneze në Shqipëri do të kenë një sukses të padiskutueshëm. “Unë ju ftoj të shikoni dhe konsideroni, sepse është bindja ime e thellë që përpjekjet tuaja do të shpërblehen dhe do të jenë një histori e vërtetë suksesi. Unë ju ftoj të investoni në këtë vend, i cili është i vogël, por ka një potencial shumë të madh. Potencialet më të mëdha që vendi ju ofron janë: energjia, turizmi, prodhimi e minierat”,- është shprehur Berisha. Duke iu referuar prioriteteve të qeverisë shqiptare për sa i përket investimit dhe zhvillimit të energjetikës në vend, duke e kthyer Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon, kryeministri Berisha i siguroi të pranishmit se kjo është një ndër fushat më të favorshme, ku biznesmenët estonezë mund të investojnë. “Pozita gjeografike e Shqipërisë, burimet natyrore shumë të mëdha të Shqipërisë në fushën e energjisë, e bëjnë këtë vend një nga vendet më të mira për të investuar në fushën e energjisë”,- u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri, gjatë fjalës së tij, e renditi turizmin në Shqipëri si një tjetër fushë, mjaft të sigurt, të qëndrueshme dhe me një të ardhme premtuese për investitorët e huaj. “Turizmi, bregdeti i Shqipërisë me një gjatësi rreth 400 kilometra, është bregdeti më i paprekur, më i mirë, me tipare të kombinuara, me rërë në pjesën e Adriatikut dhe me shkëmbinj në pjesën e bregdetit të Jonit, ku ujërat janë të mrekullueshëm. Tregu i turizmit në Shqipëri është më i qëndrueshmi në Evropë. Vitin e kaluar Shqipëria ishte vendi i parë në botë në rritjen e turizmit, jemi rritur me 35 për qind”, - tha Berisha. Një tjetër fushë, në të cilin kryeministri Berisha shprehu bindjen e tij, se do të jetë një urë lidhëse përsa u përket marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, do të jetë edhe informatizimi i shoqërisë dhe përqasja e modelit estonez të teknologjisë së avancuar, për të ecur me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë shqiptare “Shqipëria dixhitale”.
Qeveria do të bllokojë punimet e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”
Këshilltari i kryeministrit për territorin, Flamur Kuçi, tha dje se pas përfundimit të afatit të pezullimit, që është aktualisht në fuqi, radha do t’i vijë ndërhyrjes nga Inspektorati Urbanistik, i cili pritet të ndërpresë punimet në shesh. “Ka një vendim të ndërmjetëm pezullimi të këtyre veprimeve që janë veprime të paligjshme deri në vlerësimin total të tyre. Në qoftë se nuk respektohet ai vendim do të kërkohet dokumentacion shtesë. Në mungesë të këtij dokumentacioni do të ketë bllokim të punimeve. Në qoftë se do të vazhdohet me persistencë në veprime të tilla joligjore, qeverisë nuk i ngelet asnjë rrugë tjetër përveçse të garantojë zbatimin e ligjit dhe të një tërësie të ligjeve në Shqipëri. Plani paraqet mangësi të mëdha. Me këtë lloj modeli ai shesh do të përfundojë në një shesh pa funksion, me një shesh të karakterizuar nga tekat personale dhe jo për t’i dhënë një funksion të mirëfilltë ku njerëzit takojnë njëri-tjetrin dhe të marrë një lloj gjallërie sheshi. Paraqet mungesa të mëdha në adresimin e çështjes së trafikut dhe të transportit”,- tha Kuçi.
7 Prill 2010