E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, tërheqje e papritur

Partia Demokratike u tërhoq dje papritur nga njëri prej propozimeve për ndryshimet në Kushtetutë. Gjatë ditës së djeshme një grup deputetësh demokratë u takua me kryeministrin Berisha, takim në të cilin thuhet se u diskutua rreth propozimeve të bëra së fundi për ndryshimin e kompetencave të presidentit dhe kryeministrit. Gjatë takimit është vendosur që propozimi që solli debatin për përvetësimin e kompetencave të presidentit nga ana e kryeministrit, të hiqet nga paketa e propozimeve të PD-së. Në këtë takim me kryeministrin Berisha ishin të pranishëm një grup deputetësh demokratë si kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Fatos Beja, Ish ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhe deputetët e tjerë Arenca Troshani, Ilir Rusmali, Dashnor Sula etj. Pas përfundimit të takimit, deputetët të kontaktuar nga “Korrieri” konfirmuan çështjet e diskutuara në takim, ku kryesore ka qenë ajo e propozimeve për ndryshimet kushtetuese si dhe bashkëpunimi me opozitën për reformën zgjedhore. Mësohet se kryeministri Berisha është takuar me deputetët në mënyrë që të njihej me propozimet për ndryshimet kushtetuese të bëra nga PD-ja, pasi në kohën që këto propozime janë bërë, ai nuk ka qenë në Shqipëri. Në radhë të parë, ai kërkoi mendime se si do të procedohet. Ai ka theksuar se do të jetë e njëjta paketë propozimesh që është paraqitur pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve nga deputetja demokrate, Arenca Troshani, vetëm se në këtë propozim nuk do të jetë pika ku kërkohet ndryshimi i nenit 93 të Kushtetues, i cili sipas propozimit i jep të drejtë kryeministrit që të kundërfirmosë dekretetet e presidentit. Ka qenë pikërisht kjo pikë e propozimit e cila ka ngjallur reagimet e disa deputetëve të majtë dhe të djathtë, të cilët e kanë kundërshtuar këtë pikë të propozimit me motivin se kryeministrit i jepen kompetencat e presidentit. Paketa e propozimeve të Partisë Demokratike, e paraqitur në Komisionin e Ligjeve nga deputetja Arenca Troshani duket se nuk është diskutuar më përpara në grupin parlamentar demokrat dhe kjo ka sjellë edhe paqartësi brenda së djathtës. Sipas pjesëmarrësve në takim, qëllimi i kryeministrit ishte vetëm informues dhe sqarues lidhur me propozimet. Ndërkohë, një çështje tjetër që është diskutuar mes deputetëve demokratë mësohet se ka qenë edhe çështja e Reformës Zgjedhore ku është vënë theksi në bashkëpunimin me Partinë Socialiste, si një nevojë e periudhës në të cilën është aktualisht vendi. Një ndër kundërshtuesit më të ashpër të kësaj paketë ka qenë deputeti Nikollë Lesi, i cili ka ngritur zërin ndaj propozimit për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. I kontaktuar nga “Korrieri” pas vendimit për të mos propozuar ndryshimin e nenit 93 që sipas propozimit i jepeshin kryeministrit kompetenca të presidentit, Lesi është shprehur me tone më të qeta duke thënë se “ky vendim tregon se kryeministri duket se nuk e ka humbur sensin e reagimit pozitiv”.  Ndërkohë, paketa e propozimeve të PD-së tashmë pret shqyrtimin e palës tjetër, Partisë Socialiste e cila pasi të njihet me të do të japë edhe qëndrimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›