E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë e di ilaçin për Kushtetutën

Një ndër hartuesit e Kushtetutës së Shqipërisë, plaku republikan Sabri Godo i sheh ndryshimet në Kushtetutë si një kërkesë të kohës dhe shpreh qëndrimin e tij pro këtyre ndryshimeve. Ndërkohë, për eleminimin e lindjes së këtyre kërkesave të vazhdueshme ai sheh si zgjidhje ndryshimin e sistemit parlamentar, pra krijimin e një parlamenti me dy dhoma dhe përforcimin e mëtejshëm të institucionit të presidentit. Sipas tij, sistemi aktual parlamentar është edhe ai që sjell lindjen e problemeve kryesore në vend. Votimi i ligjeve të rëndësishme me shumicë të thjeshtë votash, gjë që ndodh shpesh në parlament, sjell edhe problemet dhe kërkesat që të bëhen ndërhyrje në Kushtetutë. ”Duhet të bëhen disa ndërhyrje në Kushtetutë sepse i solli koha. Unë nuk jam e mendimit që Kushtetuta të rrijë 200 vite pa vënë dorë në të. Jemi një shoqëri më ndryshime dhe zhvillim të shpejtë patjetër duhet të rishkojmë se çfarë ligjesh, çfarë kuadri ligjor kemi që na krijon vështirësi që të ecim përpara. Kështu që duhet të rishikohen disa pika” ka thënë Godo i pyetur lidhur me ndryshimet që përsëritshme të Kushtetutës. Duke qenë se në Kushtetutë po bëhen ndryshime që lindin si kërkesë e faktorëve politikë në vend, konstitucionalisti Godo jep 2 zgjidhje të mundshme që mund të evitonin ndërhyrjet e shpeshta dhe që do të sillnin edhe eleminimin e problemeve që lindin. “Siç po shkojnë punët në jetën tonë parlamentare, duhet të zgjedhim dy rrugë. Rruga e parë është krijimi i senatit. Ndërsa rruga e dytë është përforcimi i mëtejshëm i institucionit të presidentit” thotë Godo për “Korrierin”. Gjatë bisedës, ai thotë se dy rrugët e mësipërme do t’i jepnin zgjidhje problemeve që lindin nga vetë parlamenti. Sipas tij, në parlament po miratohen me pak vota, ligje shumë të rëndësishme të cilat në të ardhmen do të krijojnë probleme të mëdha. “Ndodh që në këtë parlament të kalohen  me 50 vota ligje me shumë rëndësi siç ishte ai i dy ditëve më parë për titujt e pronësisë. Nëse parlamenti bën veprime të tilla do të krijohen probleme edhe më të mëdha, dhe duhet pritur që të ndërrohen forcat politike të parlamentit që të ribëhen ligjet dhe kështu krijohet një destabilitet në qeverisje” ka thënë Godo ndërsa thekson se një ndër problemet kryesore në vend është mosfunksionimi i mirë i sistemit parlamentar që kemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›