Bie hovi i LSI-së

Koalicioni për Integrim - thotë LSI-ja - do të vazhdojë të shtohet me parti të majta dhe të qendrës, parlamentare dhe jo parlamentare. Por në krahun tjetër, të pyetur nga “Korrieri” drejtuesit e dy partive që përmenden si më të mundshëm për përfshirje në këtë koalicion, shprehen se nuk do të jenë pjesë e këtij koalicioni në kushtet aktuale. Vetëm nëse miratohen ndryshimet kushtetuese të propozuara nga dy partitë e mëdha për reformën zgjedhore PAD dhe PDS thonë se do ta konsiderojnë këtë ide. Që nga dita e krijimit të këtij koalicioni drejtuesit më të lartë të LSI-së, kanë bërë thirrje për “rekrutime” të reja, por pas ditëve të para kur iu bashkuan një pjesë e anëtarëve të Ndroqit duket se lëvizjet kanë shteruar. Megjithatë drejtuesit e LSI-së parashikojnë një shtim të mëtejshëm në radhët e koalicionit, madje parti parlamentare. “Koalicioni për Integrim, do të vazhdojë të shtojë radhët e tij me parti parlamentare dhe jo parlamentare, por me peshë elektorale”- shprehet deputeti i LSI-së Spartak Braho, duke mos folur për emra konkretë partish, ndërsa përjashton të ketë pasur negociata me republikanët. Sipas Brahos partitë mund të jenë edhe të spektrit të qendrës. Një nga partitë e qendrës, që aktualisht ka qëndrime të përbashkëta me LSI-së është Aleanca Demokratike. Por, Neritan Ceka sërish rithekson se aktualisht nuk mund të jetë pjesë e koalicionit për integrim, çka mund të ndodhë vetëm nëse situata do të imponojë këtë lloj bashkëpunimi të partive të vogla. “Këtu çdo gjë do të shkojë gradualisht. Nëse do të mbetet sistemi aktual me modifikimet anti-dushk s’ka nevojë për koalicione parazgjedhore. Kështu që s’do të ketë nevojë as për negociata për Koalicionin për Integrim. Nëse do imponohet sistemi Rama-Berisha atëherë natyrisht që do të bëhen negociata edhe për një aleancë parazgjedhore. Natyrisht edhe midis nesh nuk ka negociata, përderisa nuk ka një ligj që të na e imponojë këtë”- shprehet, presidenti i PAD-së. Ai sqaron se ajo që e bashkon me LSI-në është çështja e reformës zgjedhore. Por, kërcënon PS-në se Koalicioni i të vegjëlve, për të cilin negociatat siç shprehet ai ende nuk kanë nisur, do të fitojë nëse ndryshimet kushtetuese kryhen. Ashtu sikundër Neritan Ceka edhe PDS-ja e shikon bashkimin me Koalicionin për Integrim të kushtëzuar me miratimin e ndryshimeve kushtetuese. “Patjetër që jemi të detyruar të shkojmë në koalicion në rast se do të miratohet propozimi i përbashkët PD-PS, por unë kam ende shpresa që ky propozim nuk do të arrijë të miratohet”- deklaron ai, ndërsa lidhur me situatën aktuale sqaron: “Nuk flasim ende për koalicione zgjedhore elektorale sepse akoma nuk kemi një kod zgjedhor dhe për sa kohë që nuk ka një kod zgjedhor nuk mund të ketë as një takitikë elektorale nga një parti e caktuar politike. Kështu që çështja e koalicioneve do të përcaktohet në raport me kodin e ardhshëm elektoral që do të kemi në fuqi”. Ndërsa dy partitë që ishin pjesë e koalicionit të majtë në zgjedhjet e shkuara vendore, shprehen se do të jenë pjesë e koalicionit për integrim, gjithmonë nëse miratohen ndryshimet, PBDNJ-ja e hedh poshtë këtë mundësi. Një zyrtar, i kësaj force politike, që sot është pjesë e koalicionit qeverisës, sqaron në mënyrë konfidenciale se nuk mund të përfshihen në këtë koalicion. E ndërsa situata paraqitet e tillë, Spartak Braho paralajmëron se ashtu sikundër marrëdhëniet parazgjedhore edhe ato paszgjedhore me PS-në nuk do të jenë normale. saqellari@korrieri.com