Shantazh mbi aleancistët

Protesta Rrogozhinë-Vlorë
Një grup gazetarësh e analistësh të vendit iu drejtuan dje paradite burgut të Rrogozhinës, me qëllim organizimin e një takimi me tre aleancistët e arrestuar, Sadrit Danajn, Besnik Lulen e Eneid Hamzain. Pasi turmës që përbëhej nga përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarëve e analistëve iu dha përgjigjja që kjo nuk ishte e mundur pa marrë më parë një leje të posaçme nga Prokuroria e Vlorës, protesta e radhës u transferua, ashtu sikurse ishte parashikuar, në qytetin bregdetar. Mes personave ku spikasnin gazetarët e analistët Artur Zheji, Andrea Stefani, Mustafa Nano, Arian Çani e Aleksandër Cipa, grupi në mbrojtje të çështjes së Gjirit të Vlorës iu drejtua prokurorisë së këtij rrethi. Pas një pritjeje prej 30 minutash, nga turma iu bënë thirrje me megafon kryeprokurorit të Vlorës, Sokol Malaj, për të mundësuar pritjen e disa personave në zyrë, ku të diskutohej rreth arrestimit dhe motivacionit të këtij gjesti ndaj treshes që kryeson Aleancën për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Po kështu, thirrjet “Lironi djemtë tanë!” shoqëruan pritjen jashtë portës së gjykatës, e cila ishte e rrethuar nga dhjetëra efektivë policie, ndërsa shumë të tjerë qëndronin në gatishmëri të mbikëqyrjes së situatës. “Nenet dhe ligjet me të cilat përpiqej prokurori Malaj të motivonte ndalimin e tre aleancistëve, ishin si një çorape fëmije, ku ishte futur një këmbë elefanti”, thanë pas takimit me prokurorin e rrethit Sokol Malaj, Gjegj Zheji dhe Andrea Stefani. Nga ana e tij, Zheji u shpreh se nga takimi, prokurori deklaroi se do të lironte tre të arrestuarit që kanë marrë masën e sigurisë “burg pa afat”, vetëm me disa kushte, ku një prej të cilëve ishte firmosja nga ana e tyre e mospjesëmarrjes dhe mosorganizimit të protestave të mëtejshme. “Kjo është një farsë e organeve të drejtësisë dhe një orvatje për të anashkaluar të drejtat e tyre”, komentoi Zheji. Ndërsa Andrea Stefani deklaroi se ngjarja demonstron edhe njëherë ndërhyrjen e politikës, sipas së cilit politika e vendit interferon në gjithçka.