E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, vjen tërheqja e parë nga lista

 

ADI SHKEMBI

Një ditë pas publikimit të listave të PD-së, vjen edhe dorëheqja e parë nga kandidimi. Deputeti Sami Gjergji, i cili ishte vendosur nga kryesia e selisë blu i nënti në listën e kandidatëve për qarkun e Durrësit, deklaroi tërheqjen nga gara.  Shpallja e listës u pasua me reagime të ashpra edhe nga Preç Zogaj dhe Aleksandër Biberaj, të cilët në ndryshim nga Gjergji nuk u përfshinë fare në listat e kandidatëve. Partia Demokratike, sipas Kodit Zgjedhor, ka afat deri më 24 maj për plotësimin e vendit të mbetur bosh në qarkun e Durrësit.
Reagimet
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, tha dje në një prononcim për mediat se lista e selisë blu u bë në mungesë të plotë transparence dhe pa marrë parasysh mendimin e bazës së partisë. “Procesit të hartimit të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit i ka munguar plotësisht transparenca, pasi për hartimin e saj nuk është marrë mendimi i bazës, si dhe nuk janë respektuar forumet dhe statuti i PD-së. Gjithashtu, në hartimin e listës nuk janë pasur parasysh dhe respektuar vlerat dhe kontributet e kandidatëve”, tha Biberaj, sipas të cilit në listë ka një frymë të theksuar klienteliste. Ai tha gjithashtu se mungesa e disa emrave do të ndikojë në rezultatin e Partisë Demokratike. Biberaj deklaron gjithashtu se, pavarësisht lënies jashtë listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit të emrit të tij, nuk do të largohet nga strukturat e Partisë Demokratike. Një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga Preç Zogaj, i cili deklaroi se nuk e kishte kuptuar ende vendimin e Kryeministrit Berisha për ta çuar në Shkodër. Por i pyetur nëse kjo është ndarja e fundit mes tij dhe kreut të PD-së, Zogaj tha se “historia ime me atë kështu është, herë ndahemi, herë bashkohemi, por nuk biem. Ka thënë një ditë ai në Parlament, duke cituar një senator amerikan që ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë dhe unë jam tipik një nga ata ushtarët e vjetër”. Ndërkohë që reagimi më i ashpër ka ardhur nga deputeti Sami Gjergji, i cili pasi ka akuzuar PD-në për mosvlerësim kontributi, ka deklaruar tërheqjen nga lista. “Duke parë zhvillimet më të fundit politike por edhe garimin brenda radhëve të PD-së, ku nuk jam ndjerë i vlerësuar pasi kontributi në parti ka qenë në shkallën më të lartë, për këtë arsye deklaroj se kam marrë vendimin për t’u larguar nga kjo garë politike. Qenia apo mosqenia pjesë e Parlamentit të Shqipërisë është bërë pjesë e debateve politike por ajo që sot kërkohet është vlera e vërtetë, kontributi real, por kur kjo nuk vlerësohet apo anashkalohet, atëherë arrihet edhe në konkluzione dhe vendime si ky i sotmi”, tha Gjergji. I kontaktuar nga gazeta nëse do të bëhet pjesë e partisë së Ngjelës, ish deputeti i PD-së, tha se deri tani nuk e ka menduar këtë veprim. Ndërkohë që sipas Kodit Zgjedhor, partitë kanë afat deri më 24 maj të plotësojnë listat në rast tërheqje ose problem dokumentacioni. “KQZ-ja ose, sipas rastit, KZAZ-ja, verifikon rregullsinë e dokumentacionit të kandidimit dhe nëse vëren parregullsi apo mospërmbushje të kërkesave të Kodit Zgjedhor, ia kthen ato subjekteve zgjedhore për korrigjim jo më vonë se 35 ditë përpara datës së zgjedhjeve”, thuhet në pikën 1 të nenit 73 të Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›