E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zbrazja e liqenit nuk është emergjente”

 

Vendimi nëse liqeni artificial duhet të zbrazet ose jo do të merret vetëm pasi të dalin analizat biologjike që po bëhen në Institutin e Shëndetit Publik. Këtë konfirmojnë specialistët. Ndërkaq prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, deklaroi dje se zbrazja nuk është emergjente. “Me këto parametra aktuale, uji klasifikohet normal, sikurse nëpër basenet e tjera. Ngordhja e peshqve ka qenë vetëm ditën e parë dhe tani nuk na rezulton më diçka e tillë”, u shpreh Keçi. Ai shtoi se në dispozicion të pushtetit vendor është vendosur ekipi special i Portit të Durrësit. Specialistët kanë kërkuar që askush të mos lahet në ujërat e këtij liqeni dhe të mos peshkohet. Mbetet në diskutim pjesa nëse Liqeni Artificial vendoset të zbrazet, mund të mbushet nga Liqeni i Farkës përmes një tuneli që kalon në Sauk por që ka nevojë për restaurime. Një tjetër problem është edhe rregullimi i portës së digës së liqenit, e cila duhet të restaurohet. Rreth 300 kg bojë hidromat shkaktuan katastrofën ekologjike në Liqenin Artificial të Tiranës. Do të duhen disa vjet që ai të rikthehet në gjendjen e mëparshme. Në këtë konkluzion kanë arritur specialistët e shëndetësisë. Ata sqarojnë se nga analizat e deritanishme ka rezultuar se uji i liqenit nuk ka ndotje bakteriale, por dëmet janë të pallogaritshme për gjallesat. Kjo, pasi ndotja kimike është në nivele shumë të larta. Ambientalistët pohojnë se ndotja do të ketë kosto të lartë për gjallesat nënujore, por edhe për njerëzit që e frekuentojnë këtë zonë që është cilësuar si mushkëria e kryeqytetit. “Ndotjet shkatërrojnë organizmat njëqelizore që janë ushqim për gjallesat e tjera në liqen. Ngordhja e gjallesave do të thotë se efekti i ndotjes është i pariparueshëm ose duhet të kalojnë shumë vite derisa të vijë përsëri në gjendjen përfundimtare”, shprehen ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›