E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI: Ne forca 2 tek e djathta, na u vodh një mandat

"Neve na u mor me dhunë mandati i dytë në Fier, për shkak të presionit të PS-së, por edhe si pasojë e një lloj apatie të vetë PD-së”, - u shpreh dje Muhedini. Ai më pas i përgjigjet edhe debatit të hapur në PBDNJ 

TIRANE-Çamët deklarojnë hapur se mund ta përballojnë drejtimin edhe të dy posteve ministrore. Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini theksoi dje se kjo parti është e dyta e koalicionit fitues të zgjedhjeve. “Zgjedhjet treguan se ne jemi forca e dytë politike në koalicionin e djathtë, pas PD-së. Neve na u mor me dhunë mandati i dytë në Fier, për shkak të presionit të PS-së, por edhe si pasojë e një lloj apatie të vetë PD-së”, - u shpreh dje Muhedini. Sipas tij, edhe gjatë fushatës elektorale çamët kanë bërë fushatë për PD-në në ato zona ku nuk ishte e mundur të fitohej mandat. Për marrëveshjen e nënshkruar Muhedini flet qartë se kreu i PD-së u ka bërë të qartë partive politike se çfarë lloj përfaqësimi do të kenë pas zgjedhjeve dhe në bazë të rezultatit që do të arrijnë. “Na është thënë, nëse s’merrni mandate deputeti, atëherë do të përfaqësohemi me poste zëvendësministri. Kështu që pretendimet tona janë jo vetëm për një post ministror të rëndësishëm, por edhe diçka më të rëndësishme, edhe sikur dy poste ministrore të na jepen, i kemi të gjitha kapacitetet që t’i përballojmë”, - deklaroi kreu i PDI-së. Muhedini më pas i përgjigjet debatit të hapur në PBDNJ për çështjen çame, duke e konsideruar kreun e kësaj partie si spekulant. “Dule abuzon dhe spekulon me çështjen çame dhe i shërben në mënyrë të dukshme qarqeve antishqiptare që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të jenë të ftohta”, - u shpreh ai. Sipas Muhedinit, gjatë fushatës elektorale, Vangjel Dule gjatë një interviste në një stacion televiziv shtetëror grek, EN 3, ka folur për marrëdhënie të acaruara mes dy komuniteteve, si dhe për faktin se çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të fashizmit. “Dulja duhet të mësojë nga grekërit, shoqëria dhe historianët e këtij kombi, të cilët kanë vërtetuar disa herë se të drejtat e çamëve janë mohuar nga shteti grek dhe se çamët nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të fashizmit, siç pretendon Dule”, – deklaroi kreu i partisë së çamëve.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›