E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, rruga për në listën “Rama” kalon nga G99-a



Nga Basir Çollaku

Vetëm me dy ortakë ndërtimesh Edi Rama ka mundur të mbyllë pazarin për 50 leje ndërtimi dhe duke i qëndruar akuzës se ryshfeti shkon 300 mijë euro, janë dy marrëveshje që i kanë kaluar nënshkruesit 15 milionë euro. Nëse llogarisim Tiranën e ndërtuar nga lejet e ndërtimit të Ramës, llogaria të çon te miliarda euro mitmarrje dhe prokuroria nuk ka ndërtesë ku të mbajë dosjet.

Dhe nuk është sekret fakti që Mihail Delijorgji ka biseduar sipas publikimeve në shtyp pesë minuta para arrestit me Edi Ramën??? Po sipas lajmërimeve zyrtare të Partisë Demokratike, njeriu që tenton të marrë pushtetin, ka marrë donacione pushimesh në Greqi e Spanjë nga Delijorgji. Dhe i gjendur ngushtë, tashmë i hedhur në sulm me agresivitet sa për t’u mbrojtur pak, Rama ka punësuar djemtë e Mjaft 99 që të hedhin në treg çudira të stërthëna për të pretenduar se po ndriçojnë të vërtetën. Janë 200 telefonata për të cilat Prokuroria nuk ka folur se çka ndodhur, a ka pasur dialog të kryebashkiakut me kryetëarrestuarin e Gërdecit, me të cilin ka dhe foto në plazhet e Evropës? Dhe për hatër të kujtesës fotot e plazheve krysocialisti i ka gjithnjë e më problem, sidomos kur dalin në shtyp.

Prokuroria e Përgjithshme nuk lëshon pe nga njëanshmëria duke hedhur dokumente sekrete të dosjes në shtyp, por ka dhe tabulatet e Ramës që meqë i ka lexuar, të thotë ndonjë të dhënë për dosjen. Ina Rama nëse nuk bën këtë, duhet të kandidojë në një nga qarqet e vendit në krye të listës për Partinë Socialiste.

Kështu, i gjendur fort ngushtë nga belatë e bisedave, Rama i është rikthyer zhurmës dhe mungesës së alternativave dhe mbahet me sikletin që Prokuroria mbase gabimisht mund të shpërndajë tabulatet e tij në vend të atyre të porositura.

Dyshime jo të pakta të çojnë dhe brenda demokratëve që kërkojnë të jenë të pranishëm me paudhësi, kur dihet se një sekt mediatik është organizuar përse jo dhe politikisht me emra të njohur që nuk duan të dalin jashtë lojës së pandershme që kanë bërë!!!

Problemi me të dhënat e sajuara ka të bëjë me faktin se Edi Rama ka humbur besimin te deputetët e tij, te grupi parlamentar, që tashmë mund të quhet ish-grup me shpërndarjen e Kuvendit. Politikanë me përvojë dhe karrierë e kontribute në PS janë të gjithë nën hyqmin e Erion Veliajt. Në listën e kandidatëve që po përgatitet në kryebashki djemtë vullnetarë janë bërë rivalët e ish-ministrave, ish-drejtuesve të PS-së, duke shkërmoqur partinë më të madhe opozitare. Pasi ka renditur veten në krye të listës së Beratit, tashmë Veliaj po përdor atributet e dhuruara të Ramës për të ndihmuar ndoshta ndonjë deputet të PS-së të gjendur pisk se mos përjashtohet nga legjislatura e ardhshme. Kur e pyesin Ramën nëse do të jetë Fatos Nano në listën e PS-së, ai përgjigjet se partia e tij është e hapur dhe konkurrohet në të, por kur pyetet për G99-n, kryetari i kësaj partie serash që ka lënë të gjitha partitë e vogla pas në sondazhporosinë e bashkisë, gjendet në fillimrenditjen e qarkut të Beratit duke rrezikuar hera-herës edhe opozitarin më të përsëritur e më produktiv të së majtës, Erion Braçe.

Nëse marrim të vërtetë për pak sekonda pa akuzuar aspak ligjërisht kryetarin e pushtetit lokal në Tiranë që për një leje ndërtimi, ka firmosur shkatërrimin e kryeqytetit me nënshkrime gjysmëmiliardëshe lekë, atëherë jemi përballë Tiranës së shitur. Tashmë ekipi i të rinjve që po ndërton fondacionin e majtë, kryesohet nga Rama që ka lëshuar deklaratën e parë të humbjes me moslargimin nga bashkia, por kërkon të jetë edhe Kryeministër edhe kryebashkiak, duke thënë drejtpërdrejt edhe kryetar opozite në vijimësi. Ky do të jetë kryetarllëku i pas 28 qershorit të drejtuesit socialist

Në deklaratën e PD-së, dje thuhej:

“1) Sa ka qenë shuma që Delijorgji i ka paguar për pushimet Ramës në Kretë, në Barcelonë dhe Korfuz në hotelet four seasons?

2) Në 30 lejet e ndërtimit që i ka dhënë Delijorgjit, sa ka qenë përqindja e fitimit të z. Rama?

3) Pse nuk guxon të anulojë lejet e ndërtimit të dhëna Delijorgjit vetëm pak javë para aksidentit tragjik të ndodhur në Gërdec?

4) Të përgjigjet se çfarë karakteri kanë pasur 200 telefonatat e regjistruara ndërmjet tij me Delijorgjin?

Natyrisht Partia Demokratike nuk pret që Rama t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, por nga ana tjetër thekson se pushimet e zgjatura në Evropë me paratë e Delijorgjit; fotot e tij me të në plazhet e Evropës; 30 lejet e ndërtimit të marra së bashku me Delijorgjin dhe mosanulimi i tyre faktojnë se Rama ishte bashkëpronar kryesor i Sh.p.k-së së Delijorgjit”.

Gjithashtu, për pak memorie, ashtu si më herët është thënë në deklarimet e demokratëve, duhet të përmendim edhe faktin se të ndjerit Trebicka për t’u bërë deputet për të folur kundër Berishës i ishin ofruar 500 mijë euro dhe ndërmjetësi është i njëjti Mjaft 99. Pra, punët më të zullumshme shihet se kryebashkiaku ka nisur t’i bëjë me ortakun e ri politik, duke u dërguar mesazh atyre që kanë buruar pushtet për PS-në në tetë vjet, se janë jashtë ndikimit, jashtë marrjes së vendimeve. Në sloganin më të ri deputetët e mirënjohur, politikanët që e themeluan dhe e bënë të majtën, duhet të udhëtojnë nga G99-a, që të merren në shqyrtim për t’u përfshirë në listën “Rama”. Nëse certifikata “Veliaj” nuk lëshohet, dyshimet flasin për përjashtime dhe halli për t’u bërë përsëri deputet pas 28 qershorit, në PS ka një lëkundje shumë serioze. Socialistët, më 28 qershor do të kenë pishmanllëkun e votës së tyre tradicionale që këtë herë nuk shkon për partinë, ku ata bëjnë pjesë, por për shoqninë e Erion Veliajt me leje ndërtimi të Edi Ramës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›