E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi në Gërdec, disa gabime strategjike



Nga Mentor Beqa

Pak kohë më parë më duhej të vizitoja qytetin e Kukësit. Ndërsa po lëvizja me një taksi, shoferi rreth të 50-ave më pyet se çfarë mendimi kisha për debatin që po bëhet në politikë dhe përqendrimin tek ngjarja e Gërdecit. Përgjigjja ishte disi e ndërlikuar, produkt i një sistemi të ndërlikuar analize, çka lidhet shpeshherë edhe me paqartësitë që kemi edhe ne, që vijnë më së shumti për shkak të një izolimi në qytetin e Tiranës. Ndërsa post-përgjigjja e taksistit ishte krejt e thjeshtë: “Unë s’di ça me thanë, po kur shkoj te shpia më pyet nana: Ça a ky Gërdec mor bir?”. Unë jam i bindur se jo vetëm kjo plakë nga Kukësi do të bënte këtë pyetje, por edhe ajo nga Korça apo nga Vlora, me vetëm pak ndryshime gjuhësore. Kjo nuk zhvlerëson rëndësinë e ngjarjes së Gërdecit, ajo është një ngjarje tragjike që meriton një sjellje të kujdesshme, një proces gjyqësor të paanshëm e profesional. Qëllimi i këtij procesi nuk duhet të devijojë për shkak të interesave të shkurtra politike, pasi të ndëshkuarit e vetëm në këtë rast do të ishin ato viktima që humbën jetën e ata familjarë që presin ndëshkimin e autorëve të ngjarjes. Por përdorimi politik i ngjarjes thjesht këtë nuk lejon të realizohet. Nxjerrja e dokumenteve të procesit hetimor në media nga ana e Prokurorisë nuk mund të ketë tjetër motiv veç këtij. Askush nuk mund të besojë se publikimi i këtyre dokumenteve do të ndihmonte në zbardhjen e së vërtetës. Atëherë, përse bëhet diçka e tillë? Fatkeqësisht, prej shumë kohësh Prokuroria është përfshirë në lojërat politike të vendit dhe nuk mund të ndodhte ndryshe përveçse ajo të dështonte. Por hapja e dosjes së Gërdecit në media, në prag të fushatës elektorale, është ndërhyrje brutale në barazinë e palëve. Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, është përzgjedhur në atë post nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe ka ardhur koha që gjërat të thuhen shqeto. A e përdor Presidenti Ina Ramën për qëllimet e tij politike? Nëse po, interesi i tij është që të shkaktojë humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhje. Nëse jo, atëherë duhet të distancohet nga këto manovra të turpshme të kryeprokurores. Ina Rama e ka përdorur Prokurorinë edhe në raste të tjera, por kjo e tanishmja është me të vërtetë shqetësuese, pasi Prokuroria shndërrohet në aktor thuajse të drejtpërdrejtë politik, duke prishur garën elektorale, por jo vetëm kaq. Kjo lloj sjelljeje do të varrosë përfundimisht të vërtetën për ngjarjen e Gërdecit, pasi politizimi i hetimit të çështjes, vetëm një rezultat të tillë mund të ketë.

Edhe sikur të marrim të mirëqenë këtë motiv, duket se strategjia është e gabuar dhe nuk do të japë efektet e veta. Fokusimi tek një ngjarje e lodhshme për ligjërimin publik, si ajo e Gërdecit, me të cilën janë shpenzuar mijëra faqe gazetash, mjegullon pjesën thelbësore të fushatës elektorale; projektin konkret elektoral që i ofrohet votuesit shqiptar. Thirrja e opinionit publik për t’u fokusuar tek detajet e dosjes së Gërdecit, çorienton opinionin publik dhe recipienti është i turbullt në atë që percepton. Nëse kjo lojë është e nxitur nga Edi Rama, atëherë është pikërisht ai që do ta vuajë më shumë mungesën e vëmendjes së opinionit publik në projektin e tij qeverisës. Sali Berisha fitoi zgjedhjet në 2005-n, pikërisht si pasojë e thirrjes së opinionit publik për t’u fokusuar tek projekti i tij dhe heqja dorë nga akuzat e vazhdueshme ndaj një qeverie të korruptuar. Zgjedhjet treguan se kjo kishte qenë një mënyrë e suksesshme, ndërsa sot, Edi Rama po bën një gabim që duhet të kishte mësuar ta shmangte. Sali Berisha nuk është ai që ka nevojë që opinioni të jetë veshëhapur ndaj projektit të tij, pasi ai thjesht garanton vazhdimësi dhe vijimësi të një projekti 4-vjeçar të dëshmuar tashmë, pavarësisht këndvështrimeve mbi të. Ndërsa Edi Rama është nevojtari që duhet të ndërtojë një projekt dhe të bindë opinionin publik se projekti i tij ia vlen. Çdo lloj interference apo zhurme në shpalosjen e projektit kthehet në bumerang, pasi zhvendos vëmendjen e opinionit publik dhe kjo tashmë është testuar në disa zgjedhje radhazi në vendin tonë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›