E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU: Leka Zogu I, mëshironte idenë e bashkimit kombëtar

TIRANË- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ngushëlloi sot familjen mbretërore dhe të gjithë mbështetësit e saj për humbjen e Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I.

PDIU në mesazhin e saj të ngushëllimit “vlerëson kontributin e familjes mbretërore në konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar me frymë patriotike, nën drejtimin e Mbretit Zog I, si edhe në përpjekjet e vazhdueshme në të mirë të kombit të të birit, Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I.”

Sipas PDIU-së jeta në mërgim nuk e ndaloi Laka Zogun e I, në përpjekjet e tij për atdheun dhe bashkimin kombëtar.

“Ai u kthye në simbolin e rezistencës antikomuniste, gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri, duke i dhënë figureës së tij një rëndësi historike. Leka Zogu I, ashtu sikurse edhe i ati i tij, mbante titullin Mbret i Shqiptarëve, duke mishëruar më së miri, idenë e bashkimit kombëtar dhe nevojën e të gjithë shqiptarëve për të qenë të bashkuar. Këto janë arsye të mjaftueshme që familja mbretërore të gëzoj një status të veçantë, sikurse në shumicën e vendeve të botës, çka ende është një detyrë për t’u plotësuar nga qeveria shqiptare.PDIU ngushëllon familjen mbretërore dhe në veçanti, princin Leka Zogu II për këtë humbje”,- përfundon mesazhi ngushëllues i PDIU.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›