E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU denoncon kthimin ne kufi te tre te moshuarve shqiptare me vendlindje amerine


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot për kthimin gjatë dy ditëve të fundit në kufirin shqiptaro-grek të tre shtetasve shqiptarë përmes një deklarate ku thuhet se “ tre shtetas me dokumentacion të rregullt janë ndaluar gjatë dy ditëve të fundit në kufi, vetëm dhe vetëm pse kanë lindur në Çamëri.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet denoncon sot rastet e kthimit në kufi të Avdul Sulejmanit, lindur në Varfanj të Gumenicës në vitin 1933, Myfit Rakipit lindur në Sklavë të Filatit në vitin 1935 dhe Sulltane Bajramit lindur në vitin 1940.

Myfit Rakipi dhe Avdul Sulejmani, i cili ka qenë për vite me rradhë kryetar i shoqatës Çamëria për Durrësin dhe nënkryetar i përgjithshëm i saj, janë kthyer dje paradite në pikëkalimin kufitar të Qafë Botës. Ata kishin të gjitha dokumentet e kërkuara nga udhëzimi i Bashkimit Evropian, përfshi edhe një shumë të mjaftueshme të hollash. Pasi u është konfirmuar se kanë të drejtë të hyjnë në Greqi, oficerët grekë kanë vërejtur se vendlindja e tyre ishte përkatësisht Sklavë dhe Varfanj, dy fshatra të Çamërisë dhe i kanë kthyer.
Sulltane Bajrami është kthyer në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Bajrami ka leje qëndrimi afatgjatë në SHBA, duke qenë mbajtëse e Green Card, që sipas legjislacionit grek lejon hyrjen në Greqi. Oficerët e kufirit sapo kanë vërejtur vendlindjen e saj Çamëri nuk e kanë lejuar të kalojë kufirin.
Ne shpresojmë që këto incidente të mos jenë një politikë shtetërore në vendin fqinj për të mos lejuar shqiptarët që kanë lindur në Çamëri dhe që janë dëbuar me anë të genocidit dhe spastrimti etnik të vizitojnë shtetin grek.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto dhe trupit diplomatik shqiptar që të reagojnë ndaj këtyre rasteve dhe t’i japin fund heshtjes kur shkelen të drejtat e qytetarëve shqiptarë.

PDIU i bën thirrje shtetit grek që të ndryshojë qëndrimin e vetë dhe të përqafojë parimet e organizmit në të cilin bën pjesë, Bashkimit Evropian. Veprime të tilla janë të patolerueshme për një shtet evropian.

Situata të tilla nuk duhet të përsëriten më. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet rikonfirmon qëllimin e saj për një vizitë turistike në Çamëri me të gjithë të moshuarit që kanë lindur në ato troje, sipas të gjitha rregullave në fuqi.

Në rast përsëritjeje të këtyre incidenteve, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është e detyruar të përshkallëzojë reagimin e saj nëpërmjet protestave masive dhe thirrjes ndaj qytetarëve shqiptarë që të bojkotojnë çdo produkt grek në tregun vendas”, përfundon deklarata e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›