E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Dialogu hap perspektivën integruese

Nga Express më 18 mars 2011 në ora 15:00

Republika e Shqipërisë ka shprehur mbështetjen e plotë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura. Mbështetjen për dialogun e ka sjellë në Prishtinë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili ka theksuar se ky proces do t’u shërbejë qytetarëve të të dy vendeve.

Ai ka shprehur bindjen e thellë se procesi i dialogut për çështjet teknike do të hapë një perspektivë të re integruese të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Unë me këtë rast dua të shpreh edhe mbështetjen e plotë të Republikës së Shqipërisë për procesin e negociatave të Kosovës me Serbinë, si një proces teknik midis dy vendeve sovrane dhe të pavarura, proces i cili jam i bindur se do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe do t’i jap një perspektivë të re proceseve integruese të këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian”, është shprehur Haxhinasto, transmeton KosovaPress.

Kryediplomati shqiptar po qëndron për vizitë dyditore në Kosovë, ku ka nisur takimet me drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës. Ai ka zhvilluar një takim me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, ndërkaq gjatë ditës pritet të takohet me drejtuesit e partive opozitare.

Gjatë ditës së nesërme, Haxhinasto do të ketë takim me presidentin Behgjet Pacolli, do të bëjë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe te varrezat e Jasharajve në Prekaz.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›