Policia e Kosovës me strukturë të re organizative
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në përputhje me autorizimet e dhëna sipas Ligjit për Policinë e Kosovës si dhe duke u bazuar në propozimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka aprovuar të premten strukturën e re organizative të Policisë së Kosovës.
Përmes një kumtese për media të lëshuar MPB thuhet se struktura organizative e Policisë së Kosovës është në përputhje të plotë me Legjislacionin në fuqi dhe dokumentet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Ristrukturimi i Policisë së Kosovës siguron ngritje të efikasitetit dhe efektivitetit në punë, me qëllim të implementimit të misionit të saj. Ministria e Punëve të Brendshme duke udhëhequr me parimin e llogaridhënies dhe mos ndërhyrjes në çështje operacionale do të vazhdojë me hartimin e politikave zhvillimore për Policinë e Kosovës”, thuhet më tutje në kumtesë.
Po ashtu, MPB thekson se gjithnjë do të synojë ngritjen e nivelit të sigurisë publike, parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve shtetërorë, si bazament për forcimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.