PDIU reagon për incidentin në Maqedoni

Arben Llalla
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me incidentet e vazhdueshme kundër shqiptarëve në Maqedoni. Në reagimin e PDIU-së lidhur me incidentet ndaj historianit Arben Llalla, thuhet se dënon rëndë këto incidente me karakter etnik dhe aq më tepër reagimin e çuditshëm të policisë maqedonase, e cila del haptazi në mbështetje të agresorëve maqedonas, pavarësisht rrethanave. “Këto veprime cenojnë bashkekzistencën etnike në Maqedoni dhe rrezikojnë rindezjen e një vatre etnike në shtetin fqinj, thuhet në reagim.
Sipas PDIU-së sulmi ndaj Llallës ka ardhur për shkak të patriotizmit të tij. Gazetari dhe historiani Arben Llalla, në prani të fëmijës së tij u fye dhe u kërcënua nga një grup maqedonasish vetëm për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Për më tepër, ai u arrestua për prishje të rendit publik, ndonëse ishte viktimë e një sulmi etnik nga ana e një grupi të rinjsh maqedonas”, thuhet në reagimin e PDIU-së.
Historiani Arben Llalla, me origjinë nga Elbasani që jeton dhe vepron me familjen e tij në Tetovë, pesë ditë më parë është ofenduar dhe mbi makinën e tij është shkruar me grafiti Albanska Majka dhe Makedonija, nga një grup të rinjsh maqedonas. /F.S/