E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Gjyqtari shqiptar u rreshtua me terroristët

 

BLEDAR HOTI

Partia Demokristiane ka qenë e para që ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Strasburgut për çështjen e Abu Hamzait. Sekretari Politik i kësaj partie, Lazër Stani ka deklaruar se, “Ledio Bianku është një gjykatës që turpëroi Shqipërinë”. “PDK shpreh shqetësimin e saj për rreshtimin e përfaqësuesit të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, krahas atij grupi gjyqtarësh, që media britanike, por edhe media të tjera në botë, i cilëson si kllounë të Evropës. Ne na shqetëson gjithashtu fakti se veprime të tilla dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në Evropë dhe te partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë, tek aleatët që na kanë ndihmuar në rrugën e vështirë të ndërtimit të demokracisë, të zhvillimit të vendit dhe të integrimit euroatlantik”, deklaroi Stani. PDK, sipas sekretarit Stani,  beson dhe shpreson se Shqipëria është seriozisht e angazhuar në luftën kundër terrorizmit islamik, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë evropianë.
“Por fatkeqësisht, z. Bianku, me votën e tij, vë në dyshim jo vetëm angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, por edhe vlerësimin për SHBA, si vend kampion i lirisë dhe i të drejtave të njeriut, siç është shprehur Kryeministri Berisha, më shumë se njëherë”, theksoi Stani. Demokristianët i shqetëson fakti “i përzgjedhjes së dobët dhe mbi kritere miqësore, familjare ose shërbesash partiake të përfaqësuesve të Shqipërisë në institucionet kryesore evropiane dhe ndërkombëtare. Rasti i zgjedhjes së z. Bianku si përfaqësues i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut është më flagranti dhe rezulton edhe më i dështuari”. “PDK-ja i kërkon qeverisë dhe institucioneve të tjera të larta në vend të reflektojnë dhe të distancohen nga rasti konkret, por dhe të angazhohen seriozisht në luftën kundër terrorizimit, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe partnerët tanë perëndimorë”, deklaroi Stani.

“The Sun”: Bianku bashkoi votën pro klerikut terrorist Abu Hamza

Shkrimi i “The Sun” i datës 7 gusht, akuzon ashpër gjyqtarin shqiptar Ledio Bianku, duke e implikuar në çështjen e Abu Hamzasë. Në këtë artikull thuhet se Bianku ka votuar kundër ekstradimit të klerikut egjiptian, që akuzohet për terrorizëm. “Në 6 gusht, përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Ledi Bianku bashkoi votën e tij me gjykatësit që penguan ekstradimin e klerikut të dyshuar si terrorist, Abu Hamza, në SHBA. Argumenti ishte se SHBA nuk garanton të drejtat e njeriut”. Ky paragraf është një pjesë e shkrimit të publikuar nga gazeta angleze “The Sun”, në editorialin e saj të datës 7 gusht me titullin “Gjykatësit e llumit”. “Ju kurrë nuk keni dëgjuar për shtatëdhjetë e dy vjeçarin Giovanni Bonnell nga Malta. Ose për Ledi Biankun, 37 vjeç, nga Shqipëria. Por këta të dy së bashku me shtatë gjyqtarë të tjerë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, bllokuan ekstradimin e predikuesit të urrejtjes Abu Hamza në SHBA”. Në editorial theksohej se, “Bonnell e Bianku dhe kolegët e tyre vinin nga vende të errët, që kurrë nuk i janë kundërvënë terrorizmit islamik”. Tabloidi britanik “The Sun” shkruan se të nëntë gjyqtarët që votuan kundër, vinin nga vende që vështirë se kanë planifikuar ose mbështesin luftën kundër terrorizmit. Për fat të keq, vota e përfaqësuesit të Shqipërisë u bashkua me votat e gjyqtarëve që vinin nga vende të tilla, si Moldavia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Sllovakia, Polonia etj., ndërkohë që gjyqtarët që përfaqësonin vendet kryesore të Bashkimit Evropian votuan pro ekstradimit të tij në SHBA. Sipas gjykatësve që votuan kundër ekstradimit të Abu Hamzait, sistemi i drejtësisë amerikane në shumë aspekte vjen në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe kjo mund të sjellë trajtimin johuman e degradues të tij, nëse ai dërgohet në SHBA. Edhe media të tjera prestigjioze botërore u fokusuan në lajmin e moslejimit për ekstradimin e klerikut egjiptian Abu Hamza. “Rojters”, BBC, “Zëri i Amerikës” në publikimet e tyre janë mjaftuar në dhënien e lajmit për mospranimin e kërkesës së SHBA për ekstradim. Ndërsa tabloidi britanik akuzon konkretisht trupën e gjyqtarëve në të cilën ndodhet dhe gjyqtari shqiptar Ledio Bianku. Gjykata e Strasburgut është e përbërë në disa seksione. Në atë të katërtin përfshihen kryetar Nicolas Bratza, që është edhe zv. President i Gjykatës së Strasburgut. Ndërsa anëtarët janë përfaqësues të shteteve të ndryshme të Evropës Lindore dhe të Ballkanit.

Seksioni i Gjykatës

Section IV

President
N. Bratza-Britani

Anëtarë
L. Garlicki-Poloni
G. Bonello- Malta
L. Mijoviæ-        Bosnja-Hercegovina       
D. Björgvinsson-Island
J. Šikuta-Sllovaki
P. Hirvelä-Finlandë
L. Bianku-Shqipëria
M. Poalelungi- Moldavi
N. Vuèiniæ-Mali i Zi

Bianku: S’kam votuar pro Abu Hamza

Anëtari i Gjykatës së Strasburgut, gjyqtari shqiptar, Ledio Bianku, mohon të ketë votuar për mosekstradimin e Abu Hamzës.

Në një prononcim për gazetën “Panorama”, Binaku shprehet se, “nuk ka votuar për një çështje të tillë dhe se prej 14 korrikut, ashtu si dhe një pjesë e mirë e gjyqtarëve ndodhet me pushime. Vendimi për Abu Hamzain, sipas Biankut, nuk ka të bëjë fare me një vendim të Gjykatës së Strasburgut, por me një vendim të karakterit administrativ. “Në të tilla raste merret mbi bazën e nenit 39 të Rregullores së brendshme të Gjykatës, vendim që ka karakter të ndërmjetëm dhe si ky marrim me dhjetëra në ditë. Këto firmosen normalisht nga Presidenti i Dhomës. Unë di për çështjen aq sa thotë press release (njoftimi i shtypit) sepse aplikimi është bërë më 1 gusht dhe përpara 2-3 vjetësh dosja do kohë që të plotësohet përpara se të vijë për shqyrtim te trupi gjykues”, deklaroi Bianku. Ai përjashtoi në mënyrë kategorike që të ketë miratuar, ose të ketë votuar pro për ndalimin e ekstradimit për të dyshuarin si terrorist islamik, të Mustafa Kamal Mustafa, të njohur ndryshe dhe si Abu Hamza. Sipas tij, gjykata që nga 14 korriku nuk është në funksion të plotë, pasi një pjesë e mirë e gjyqtarëve ka marrë lejen dhe se nuk ka asnjeri që të administrojë çështjen apo të japë vendime për çështje të ndryshme. Mbi bazën e Konventës së të Drejtave të Njeriut, Gjykata merr një vendim të ndërmjetëm, bazuar në nenin 39, i cili mund të bllokojë një kërkesë të një shteti, përderisa çështja të marrë një vendim të formës së prerë. Ky mësohet se ka qenë edhe vendimi i ndërmjetëm për një çështje të tillë, për të cilën Bianku akuzohet nga media angleze “The Sun” dhe nga PDK-ja se ka votuar pro kërkesës së Abu Hamzasë. “Nuk ka votuar fare. Madje, gjyqtari nga Mali i Zi që përflitet se ka votuar pro kësaj çështje nuk ka filluar ende punën si gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut”, thekson Bianku.

Gjykata e Strasburgut: Vendimi u dha nga presidenti i përkohshëm

Mustafa Kamal Mustafa ka depozituar një letër kërkesë pranë Gjykatës së Strasburgut për të bllokuar kërkesën e SHBA-së bërë Britanisë së Madhe për ta ekstraduar përtej Atlantikut. Pas njohjes së kërkesës, kleriku, i cili vuan burgimin në Britaninë e Madhe, i është drejtuar Gjykatës Evropiane së Strasburgut me argumentimin se duhet të mbrohet nga ekstradimi në bazë të nenit 3 të Konventës së Evropës, ndalimin e torturës se dhe trajtimin degradues çnjerëzor. Kleriku islamik Abu Hamza është dënuar në vitin 2006 me shtatë vjet burgim. Vendimi u dha nga Gjykata e Lartë të Krimeve në Londër, “The Old Bailey”, për nxitje të vrasjeve dhe urrejtjes raciale. Abu Hamza u arrestua në vitin 2004, kur Britania filloi të marrë masa më të forta kundër personave që i bënin jehonë terrorizmit. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka kërkuar ekstradimin e tij për të nisur gjyqet mbi akuza që kanë të bëjnë me pengmarrje në Jemen në 1998-1999, konspiracion për të krijuar një kamp trajnues terrorist në Oregon mes tetorit 1999 e prillit 2000 dhe asistencë për akte terroriste në Afganistan në 1999-2001.
Deklarata e Gjykatës
Në deklaratën për shtyp të lëshuar nga kryesekretari, bëhet e ditur se “Gjykata Evropiane e të Drejtave të njeriut pranoi kërkesën për masa të përkohshme nga Mustafa Kamal Mustafa (Abu Hamza”. “Më 1 gusht 2008, Mustafa Kamal Mustafa (Abu Hamza) depozitoi një aplikim në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (nr i aplikimit 36742/08). Ai ankohet kryesisht sipas nenit 3 (ndalimi i torturës dhe trajtimit degradues çnjerëzor) të Konventës Evropiane së të drejtave të njeriut se nëse ekstradohet, ai do t’i nënshtrohet trajtimeve me masa të tilla, pasi ai rrezikon burg për jetë pa të drejtë kushti dhe, veçanërisht për sa i përket problemeve të tij shëndetësore, si rezultat i faktit se mund të qëndrojë në një institucion burgu të ashtuquajtur “supermax””, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjithashtu bëhet e ditur se, “Mustafa ka kërkuar masa të përkohshme nën Normën 39 të Normave të Gjykatës për të parandaluar ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Gjykata e ka marrë në konsideratë këtë aplikim”. Njoftimi për median bën të diture se, “më 4 gusht 2008, Presidenti i përkohshëm i Dhomës, të cilit i është caktuar kjo çështje, vendosi në interes të palëve dhe vetë administrimit të procedurave përpara Gjykatës, të sugjerojë për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, nën Normën 39 të Normave të Gjykatës, që aplikuesi nuk duhet të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara derisa Gjykata të japë vendimin e saj mbi këtë çështje”. Nën Normën 39 të Normave të Gjykatës, Gjykata mund t’u sugjerojë palëve çdo masë të përkohshme që ajo konsideron se duhet të pranohet në interes të palëve apo vetë procedurave përpara nisjes së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›