E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimet speciale, "krihen" dosjet

Vdekja e çiftit Minir dhe Thëllëza Muço, në qelitë e takimeve speciale në burgun Peqinit, ka bërë që të vendosen masa të rrepta sigurie në burgjet shqiptare përsa i përket kontrollit të dosjeve të dokumentacionit, me të cilin bashkëshortët kryejnë takimet speciale. 

Fatos Mahmutaj

Ngjarja e Peqinit është bërë shkak për marrjen e masave konkrete. Kontrolli ka nxjerrë konkluzionin se mjaft prej të dënuarve kryenin martesa fiktive për të përfituar takime speciale me prostituta përkundrejt pagesave. Ndërkohë kjo procedurë shpesh mundësohej dhe me korruptimin e efektivave të policisë së burgjeve. E ndodhur përballë këtij fakti, Drejtoria e Burgjeve ka kërkuar informacion lidhur me inventarin e takimeve dhe masave të sigurisë në të cilat ato kryhen. Tashmë, thuajse në të gjithë burgjet ka nisur verifikimi i dokumentacionit dhe pritet që brenda pak ditësh të ketë një përmbledhje të konkluzioneve.
Procedurat
Burime nga burgjet pohojnë se, në rastin e martesave të të burgosurve procedurat kryhen të tilla, saqë kërkohen të jenë të pranishëm në ceremoni veç dhëndrit dhe nuses edhe familjarë të dy palëve. Vetëm në këtë rast lejohet martesa. Ndërsa për sa i përket takimeve speciale në qeli, është kusht që organet policore të burgut të administrojnë një certifikatë martese në mënyrë që të lejojnë takimin e zgjatur. Ndërkohë, burime të tjera pohojnë se dhënia e ryshfeteve punonjësve të burgjeve nga ana e të dënuarve apo familjarëve të tyre është një tjetër fakt, i  cili dhe pse nuk pranohet zyrtarisht, mbetet dhe një prej pikave më të dobëta të funksionimit të sigurisë në disa institucione të vuajtjes së dënimit. Disa të burgosur të dënuar me vendime kapitale kanë arritur deri aty sa të kthejnë qelitë e burgjeve në vende argëtimi, duke zhvilluar takime speciale edhe me prostituta.
Takimet speciale
Takimet midis bashkëshortëve në qeli, që quhen takime speciale ose takime të zgjatura, deri tre vjet më parë ishin të tilla saqë funksiononin gjatë gjithë 24-orëshit nëpër të gjithë burgjet e vendit. Por pas nëntorit të vitit 2005 kur u ndryshuan krerët e burgjeve, ato u kufizuan vetëm gjatë orarit zyrtar të punës, duke bërë që të nisin në orën 08:00 të mëngjesit dhe të zgjasin 4 orë. Pra, në secilën nga qelitë e tilla të kryhen dy takime speciale në ditë. Fillimisht shkurtimi i kohës u prit keq nga një kategori të dënuarish, të cilët e shprehën edhe me protesta pakënaqësinë, por u argumentua nga krerët e burgjeve me faktin se, personat që përfitonin nga takimet speciale në qeli ishin vetëm VIP-at e burgjeve, të cilët kishin uzurpuar dhomat e takimeve speciale.
Çifti Muço
Minir dhe Thëllëza Muço vdiqën në njërën nga qelitë e takimeve speciale në burgun e Peqinit dy javë më parë. Duke pasur një martesë problematike, me ndarje dhe bashkime të herëpashershme Minir Muço takoi pas një viti bashkëshorten në qeli. Duke përfituar nga fakti se, ligjet e pengojnë përgjimin e bashkëshortëve në qelitë e takimeve speciale ai mbyti fillimisht gruan me anë të kabllos së ventilatorit dhe më pas në qetësi lidhi telat e zhveshur në pulset e dorës dhe kreu vetëvrasje me anë të rrymës elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›