Kodi Zgjedhor, partitë e koalicionit në garë edhe me njëra-tjetrën
Shaban Sulçe
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 do të sjellin jo vetëm konkurrim mes koalicioneve që do të hyjnë në garë për të fituar zgjedhjet, por konkurrim edhe midis partive brenda koalicioneve. Kjo pasi në zgjedhjet e ardhshme, ku do të votohet me vetëm një fletë votimi, votuesi do të siglojë votën vetëm mbi partinë që dëshiron të votojë. Vota e kësaj partie, së bashku me votat që kanë marrë partitë që konkurrojnë brenda të njëjtit koalicion, do të nxjerrë rezultatin përfundimtar të koalicioneve në zgjedhjet e ardhshme. Duke u përdorur kjo mënyrë votimi, do të bëhet edhe shpërndarja e drejtë te partitë e mandateve që fiton një koalicion. Kjo ka qenë një prej risive, ndoshta edhe më të vlerësuara në përmbajtjen e Kodit të ri Zgjedhor, i cili u votua dy ditë më parë pas konsensusit të dhënë nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Mënyra e votimit
Kodi parashikon që në zgjedhjet e ardhshme votuesi do të votojë vetëm një herë për një prej partive të koalicioneve që do të konkurrojnë. Kjo mënyrë votimi do të nxisë jo vetëm konkurrencën midis koalicioneve, por edhe mes partive përbërëse të tyre. Si rezultat i kësaj mënyre votimi, në zgjedhjet e ardhshme do të eliminohet plotësisht fenomeni i Dushkut, sepse në të gjitha forcat nuk ka më vota të transferueshme në drejtim të partive të tjera brenda koalicionit. Për shembull, marrim rastin e koalicionit të Partisë Demokratike, në të cilin kandidojnë PD, PR, PAA dhe PLL. Në një qark ku konkurrohet për 20 vende për deputetë, votat në total për këtë koalicion sigurojnë 10 vende në Parlament, me një përqindje të supozuar brenda koalicionit PD 60%, PR 20% dhe PAA 10% dhe PLL 20%. Duke pasur parasysh këtë përqindje, PD do të marrë 6 mandate deputetësh, PR 2, PAA 1, dhe PLL 1 deputetë.
Pragjet elektorale
Me formulën e re të propozuar nga Partia Socialiste për shpërndarjen e numrit të deputetëve në qarqe, pragjet elektorale pritet të shënojnë një ulje të ndjeshme. Për tre koalicionet e mundshme (përkatësisht të udhëhequra nga PD-ja, PS-ja dhe LSI-ja) në zgjedhjet e ardhshme, marrja e të paktën një deputeti në pjesën më të madhe të 12 qarqeve ku do të konkurrohet, as që do të vihet në dyshim. Kjo pasi niveli i pragut elektoral, sidomos në qarqet e mëdha, do të jetë më i ulët se ç’ishte parashikuar, falë formulës së re që pritet që të sanksionohet në Kodin Zgjedhor. Kështu, në 7 qarqet kryesore, përkatësisht në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Vlorë, pragu elektoral do të jetë më i ulët se 9%. Ky nivel i ulët mund të rezultojë inkurajues edhe për krijimin e një koalicioni të katërt, që me shumë gjasa pritet të krijohet nga partitë e djathta, të cilat nuk janë aleate me Partinë Demokratike.
Tabela fleta e votimit
Koalicioni i Partisë Socialiste
Partia Socialiste
Partia Social-Demokrate
Partia Demokracia-Sociale
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Koalicioni i Partisë Demokratike
Partia Demokratike
Partia Republikane
Partia Lëvizja e Legalitetit
Partia Agrare Ambientaliste
Koalicioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim
Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Socialiste ‘91
Partia Aleanca Demokratike
Koalicioni i Partisë Demokristiane
Partia Demokristiane
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Do të votohet vetëm një herë, për vetëm një nga partitë. Vota e hedhur do t’i llogaritet votave që do të marrë në total secili prej koalicioneve.
20 Nentor 2008