PDK-LDK, “lufta” për koalicione prish marrëveshjen për unanimitet
Blerina Olldashi
Pas zhvillimeve në lidhje me të ardhmen e koalicionit qeverisës në nivel qendror mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale po bëhen jashtë marrëveshjes për nivelin qendror. Ndonëse në marrëveshjen e vitit 2008 thuhej se, “PDK-ja dhe LDK-ja janë të detyruara që në zgjedhjet lokale të radhës, në vitin 2009, dhe në zgjedhjet nacionale të radhës, të garojnë si të vetme dhe pa ndonjë koalicion paraprak”, këto dy parti duket të kenë rënë në ujdi për diçka tjetër. Tani, LDK-ja, e cila ka fituar në tri komuna, ndërsa është në balotazh edhe në 11 të tjera, po vlerëson specifikat e komunave para se të hyjë në marrëveshje për koalicion me ndonjë parti. Pas arritjes së marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për komunën e Prizrenit dhe atë të Gjilanit, LDK do të vazhdojë t’i kërkojë partnerët e radhës për 13 dhjetorin. Të paktën, kështu pohon nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu. “Ne bëjmë koalicione sipas specifikave të komunave dhe për këtë arsye unë nuk mund t’ju jap një regjistër, sepse varet nga komunat, me të cilat ne bëjmë marrëveshje. Me vetë deklaratën e LDK-së, nuk ka kurrfarë konflikti në mes të partnerëve të nivelit nacional, sepse i kemi sqaruar ato punë”,- shprehet Kryeziu. Në dhjetor, Kosova do të hyjë në balotazh në 20 komuna. Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetarë komunash fituan në katër prej tyre, ndërsa janë në balotazh në shtatë komuna të tjera. Kandidatët e koalicionit AKR-LDD (Aleanca Kosova e Re – Lidhja Demokratike e Dardanisë), që nuk fituan në asnjë komunë, do të garojnë sërish për tri komuna.
Ndërkohë, kandidatët për kryetarë nga radhët e PDK-së fituan në pesë komuna, ndërsa janë në balotazh edhe në 13 komuna të tjera.
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, thekson se duhet të bëhet një ndarje në mes të koalicioneve për nivelin qendror dhe atij në nivel lokal. “Niveli lokal i qeverisjes dhe gara për kryetar është diçka që ne e shohim të veçantë nga niveli qendror”,- thotë Stavileci - një qëndrim ky që dallon krejtësisht nga deklaratat e mëparshme të përfaqësuesve të PDK-së, të cilët edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e nëntorit vazhdimisht theksonin se LDK-ja po i thyen rregullat e marrëveshjes për koalicion. Garat kryesore gjatë balotazhit pritet të zhvillohen nëpër komunat e mëdha, siç janë Peja, Prizreni, Gjilani e Mitrovica. Për këto dhe zona të tjera në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk përjashton asnjë marrëveshje paraprake me partitë e tjera, përveç PDK-së.
“Kërkojmë partnerë sipas specifikave të komunave. Nëse mendojmë se AKR-ja është më e fortë, e marrim, LDD në qoftë se vjen me ne, e marrim, Aleancën e marrim”,- thotë Kryeziu. Deri tani është vërejtur një potencial më i madh i krijimit të marrëveshjeve për koalicion në nivel lokal ndërmjet LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata zgjedhore për kandidatët për kryetar të komunave, të cilët shkojnë në balotazh, të mbahet prej datës 5 deri më 11 dhjetor.
Maqedoni edhe 22 të infektuar, mbërrijnë vaksinat e para
Pesë mijë dozat e para të vaksinës kundër virusit AH1N1 kanë mbërritur në Maqedoni dhe ato do të shfrytëzohen për vaksinimin e mjekëve dhe stafit të Klinikës Infektive në Shkup. Pjesa tjetër do të shfrytëzohet për personelet e tjera mjekësore në mbarë vendin, duke përfshirë këtu edhe ministrin Bujar Osmani, i cili ka thënë se do të përfshihet në fazën e parë të vaksinimit.
Ministri Osmani ka paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme pritet të mbërrijë kontigjenti i ri i dozave të vaksinave. Ai ka shtuar se qytetarët duhet t`i përgjigjen ftesës për vaksinim sepse nuk ka nevojë sipas tij, për shqetësime apo frikë. Nga Klinika Infektive, dy ditë më parë kanë njoftuar edhe për 22 raste të reja të personave të infektuar nga virusi AH1N1. Numri i deritanishëm i të infektuarëve shkon rreth 400 veta, ndërsa gjatë dy ditëve të fundit u regjistrua edhe viktima e parë nga ky virus.
Rusi
Medvedev kritikon partinë në pushtet
Presidenti i Rusisë Dimitri Medvedev kritikoi zyrtarët rajonalë nga partia në pushtet se kanë dështuar të sigurojnë zgjedhje plotësisht demokratike muajin e kaluar. Medvedev i tha partisë Rusia e Bashkuar se “zgjedhjet që duhet të jenë shprehje e vullnetit të njerëzve...ndonjëherë kthehen në çështje ku procedurat demokratike përzihen me ato administrative”. Rusia e Bashkuar, e drejtuar nga kryeministri Vladimir Putin, e shtypi opozitën në zgjedhjet e kaluara. Opozita tha se zgjedhjet ishin shoqëruar me shkelje të shumta.
Sri Lanka
Autoritetet premtojnë mbylljen e kampeve
Autoritetet në Sri Lankë thonë se personat që mbahen në kampet e qeverisë që prej mundjes së rebelëve tamilë në muajin maj do të lirohen në fillim të muajit dhjetor. Këshilltari special i presidentit Mahinder Rajapaksa, vëllai i tij Basil, tha se kampet në veri të Sri Lankës, që mbanin më shumë se 130 mijë tamilë të zhvendosur do të kthehen në vende të hapura për t'u vizituar nga miq dhe familjarë. Ai konfirmoi se qeveria planifikonte të mbyllte të gjitha kampet dhe t’i akomodonte të gjithë banorët e tyre deri në fund të janarit.
Kinë
Shkon në 42 numri i minatorëve të vdekur
Një shpërthim gazi në një minierë qymyrguri në veri-lindje të Kinës ka shaktuar vdekjen e të paktën 42 minatorëve dhe ka lënë të bllokuar më shumë se 60 të tjerë. Njoftimet bëjnë të ditur se rreth 400 minatorë arritën të shpëtonin nga miniera në provincën Heilongjiang pranë kufirit rus. Kina ka mbyllur shumë miniera të vogla në vitet e fundit në përpjekje për të përmirësuar kushtet e sigurisë. Kërkesa për qymyrgur dhe mungesa e një mbikëqyrjeje të duhur do të thotë se Kina ka minierat më të rrezikshme të botës dhe mijëra minatorë humbin jetën çdo vit.
23 Nentor 2009