Vendimi, Kule: Studentët do të vlerësojnë pedagogët, nëpërmjet pyetësorëve
Jonida Tashi
Studentët e Universitetit të Tiranës do të vlerësojnë pedagogët nëpërmjet pyetësorëve. Ky është vendimi i radhës, që ka marrë rektori i këtij Universiteti, Dhori Kule, me qëllim përfshirjen e studentëve në vendimmarrje si dhe ballafaqimin e personelit akademik me të rinjtë. Deklaratën për marrjen e kësaj iniciative, rektori Kule e ka bërë të ditur publikisht në takimin e zhvilluar dje në ambientet e universitetit që ai drejton me rastin e Javës Ndërkombëtare të Arsimit. Ditën e djeshme, në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u zhvillua një takim ndërmjet rektorit të UT-së, Dhori Kule, zëvendësambasadores amerikane në Tiranë, Deborah Jones dhe studentëve të këtij universiteti. Gjatë fjalës përshëndetëse, rektori Kule shprehu gatishmërinë për mbështetjen e studentëve gjatë gjithë kohës dhe me të gjitha mundësitë.
Pyetësori
Sipas rektorit Kule, studentët janë në qendër të universitetit dhe për këtë arsye strukturat drejtuese të tij, duhet të angazhohen për të krijuar të gjitha kushtet e përshtatshme për studentët. Për këtë arsye, duke marrë për bazë modelet e suksesshme anglosaksone dhe të Evropës Kontinentale, Kule paralajmëroi se studentët do të vlerësojnë pedagogët e tyre dhe modulet mësimore, në çdo fund-semestër, si mënyra më e mirë për të mundësuar “feedback-un” (“prodhimin”) e studentëve ndaj dijeve që ata marrin. “Në fund të semestrit të parë të këtij viti akademik në të gjitha lëndët e të gjitha departamenteve të Universitetit të Tiranës, studët do të plotësojnë një pyetësor dhe do të vlerësojnë pedagogët dhe modulet. Ne dëshirojmë që me këtë risi, edhe ato elemente të sistemit lindor që kanë mbetur në sistemin tonë arsimor të zhduken dhe të përmirësohen, nëpërmjet këtyre pyetësorëve”,– tha rektori Kule.
Takimi
Gjatë takimit, zëvendësambasadorja Jones, vlerësoi ndryshimet e bëra në sistemin arsimor shqiptar dhe theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe institucioneve arsimore në mbarë botën. Sipas znj.Jones, me këtë motiv është krijuar edhe Java Ndërkombëtare e Arsimit. “Një fjalë kyçe në sistemin tonë të edukimit është shkëmbimi, qoftë i ideve, informacionit, apo njerëzve”,– tha zëvendësambasadorja Jones. Më tej ajo lajmëroi mbi bursat e ndryshme që ofron Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet Ambasadës së saj në Tiranë. Në takim të pranishmit biseduan edhe mbi bursat që ofrohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mënyrat e aplikimit dhe kriteret e vendosura. Java Ndërkombëtare e Arsimit është një nismë e qeverisë amerikane, përkatësisht e Departamentit të Arsimit dhe Departamentit të Shtetit, për të zhvilluar arsimin në rang botëror. Ajo festohet në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe në më shumë se 100 vende të tjera të botës, me ndihmën e SHBA-ve.
Universiteti i Tiranës
Miratohen transferimet e studimeve, me përjashtim të Mjekësisë
Miratohen transferimet e studimeve për kandidatët që kanë aplikuar pranë Universitetit të Tiranës dhe që kanë plotësuar kriteret e transferimit. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria e Kurrikulave dhe Standardeve pranë Universitetit të Tiranës, e cila sqaron se procesi i transferimeve të studimeve për vitin akademik 2009-2010, nuk është mbyllur vetëm për kandidatët që kanë aplikuar drejt Fakultetit të Mjekësisë, për të cilët pritet propozimi nga ky fakultet. Pas miratimit të emrave që do të transferojnë studimet në Universitetin e Tiranës, kandidatët fitues mund të gjejnë emrat e tyre pranë fakulteteve përkatëse. Gjithashtu, burime nga Drejtoria e Kurrikulave dhe Standardeve bën të ditur se është bërë miratimi edhe i kandidatëve fitues në programet e dyta të studimit (fakultet i dytë).
Viti 2010-2012
Bursat e reja të programit “Erasmus Mundus” për Master
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Greke në Shqipëri, njofton se programi “Erasmus Mundus” ka vënë në dispozicion bursa të reja akademike për programin Master në Letërsi dhe Kulturë Evropiane (cikli 2010-2012). Bursat financohen nga Bashkimi Evropian. Afati i fundit për të aplikuar për këtë program është deri më 20 dhjetor 2009. Programi Master kualifikon të gjithë të interesuarit, të cilët synojnë të zhvillojnë studime pasuniversitare në Letërsi, Histori të kulturave evropiane si dhe në Shkenca gjuhësore. Programi mësimor zhvillohet në tri gjuhë: Italisht, Frëngjisht dhe Greqisht; lëndët ndiqen në Universitetin e Bolonjës, Universitetin e Mulhouse (Alsasë Jugore), Universitetin e Strasburgut dhe Universitetin e Selanikut, sipas përzgjedhjes individuale.
Informacion të detajuar mund të gjeni në faqen zyrtare të programit: www.cle.unibo.it.
Dje, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve
Ministria e Punës premton më shumë mbështetje
Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministria e Punës ka premtuar më shumë mbështetje për fëmijët në nevojë. Ditën e djeshme në mbarë Botën është festuar 20-vjetori i miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ky dokument i rëndësishëm i OKB-së, u ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në shkurt të vitit 1992. Me rastin e ditës së djeshme, Ministria e Punës ka uruar mbi 1 milionë fëmijët që jetojnë në Shqipëri, duke shprehur angazhimin e të gjitha strukturave jo vetëm për njohjen e të drejtave të fëmijëve të sanksionuara nga ky dokument, por edhe për garantimin e tyre. Zëdhënësja e Ministrisë së Punës, Alma Lahe ka pohuar se në zbatim të Konventës tashmë është hartuar dhe miratuar Strategjia Kombëtare për Fëmijët, që përcakton drejtimet kryesore të zhvillimit të politikave të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve për periudhën 5-vjeçare, 2005-2010. Po sipas Lahes, Ministria e Punës, bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, ka ndërmarrë iniciativën për hartimin e Ligjit Kuadër për të Drejtat e Fëmijëve, i cili synon të japë këtë frymë koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet të gjitha strukturave, në nivele të ndryshme qeverisjeje, me qëllim njohjen e detyrimit të çdo institucioni për të garantuar këto të drejta si: e drejta për jetën, arsimimin, shërbime shëndetësore, mirërritje, etj.
23 Nentor 2009