E Diel, 1 Nëntor 2026

Vota e të rinjve, PS nis takimet nga qyteti i Durrësit

Nis gara për të siguruar votën e atyre që votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 2009-ës. Ethet e fushatës elektorale kanë nisur të ndjehen në qytetin bregdetar këtë fundjavë. Socialistët ishin të parët që organizuan një takim me të rinjtë që do të ushtrojnë të drejtën e votës për të parën herë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Forumi Rinor Eurosocialist i Durrësit organizoi dje një takim me të rinjtë e qytetit-port, gjatë të cilit është diskutuar mbi mënyrën se si vjen tek ta politika e re e Partisë Socialiste dhe këndvështrimi i tyre për të ardhmen e vendit. Ndërsa në bazën durrsake, politika e re ka krijuar një lloj kaosi mes anëtarësisë së partisë dhe simpatizantëve të saj, në takim u tha se kjo politikë dhe turi i "Dialogut me Shqipërinë" që ka ndërmarrë partia dhe kryetari i saj, Edi Rama, kanë si qëllim, ndër të tjera, dhe atë që të rinjtë nesër të kenë një të ardhme më të sigurt dhe që arsimimi i tyre të mos shndërrohet në papunësi, po në sajë të vizionit të PS-së për të ardhmen, ky arsimim t‘i vlejë të rinjve për të ngritur të ardhmen brenda vendit të tyre. Rreth 100 të rinj, të cilët në vitin 2009 do të kenë mundësinë e të votuarit, kanë marrë pjesë në takimin gjatë të cilit sekretarja e PSSH-së për shoqërinë civile dhe shanset e barabarta, Edlira Haxhiymeri, u kërkoi të rinjve që pa dallim bindjesh të bashkohen me PS-në "për të mos pranuar më në heshtje vendime arbitrare që merren për ta, por të bëhen zotër të fatit të tyre, duke kontribuar me ide dhe energji pozitive, në mënyrë që kjo forcë politike e ndryshimit të vendit, të dijë se çfarë ata kërkojnë dhe më pas t‘i realizojë kërkesat e tyre". Të rinjtë pjesëmarrës në takim diskutuan gjerësisht lidhur me risitë që sjell kjo filozofi e re e të bërit politikë në jetën e shqiptarëve dhe u ndalën edhe te shprehja që është moto e socialistëve "Mos pyet çfarë ka bërë atdheu yt për ty, por çfarë do të bësh ti për atdheun". Kreu i FRESSH-it të Durrësit, Ilir Gjermeni, u ndal kryesisht te mënyra bashkëkohore e alternativës socialiste në përfshirjen e të rinjve në politikë, por edhe te premtimi për një integrim të të rinjve dhe në nivele të ndryshme të vendimmarrjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›