Një biletë për në Dreamland
Mbrëmjen e sotme, në emisionin "Exclusive" në "Top Channel" do të ndiqni një reportazh për vendin e cilësuar si toka e ëndrrave. Peripecitë e shumta të emigrantëve për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe historia e statistikave. Dreamland, ose vendi ku ëndrrat bëhen realitet. Me këtë ide fikse në kokë, më shumë se 1 milion imigrantë në vit zbarkonin në fillim të shekullit XX në Ellis Island. Në hyrje të Nju Jorkut, statuja e lirisë i përshëndeste kryerëndë. Me gjithë luhatjet ndër vite, në fund të shekullit, numri mbeste thuajse i njëjtë, mbi 1 milion imigrantë në vit. Po kush përfiton nga emigracioni i ligjshëm drejt Amerikës? Në teori, familjarëve të afërt të shtetasve amerikanë, për të cilët nuk ka limit për numrin e vizave të dhëna. Çfarë është një vizë amerikane? Sipas përkufizimit të vetë shërbimit konsullor të ambasadës amerikane në Tiranë, viza është një leje aplikimi për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2005, konsullatat amerikane nëpër botë kishin dhënë 437 mijë viza emigracioni për familjarët e afërm të shtetasve amerikanë: bashkëshortë, prindër dhe fëmijë. Në vitin 2005 ishin dhënë 213 mijë viza të tilla në të gjithë botën. Në lëmin e vizave jo emigruese, pra të përkohshme, Shtetet e Bashkuara lëshojnë një shumëllojshmëri vizash sipas natyrës së udhëtimit. Ambasada amerikane në Tiranë ndodhet në Rrugën e Elbasanit, nr 103. E hapur si një zyrë e vogël më 1 tetor ‘91, ajo i filloi funksionet reale në 92-shin. Kurse lëshimi i vizave filloi vetëm pas tre vjetësh. Ambienti i pritjes ndodhet në qoshe të oborrit. Në mes, një tryezë e madhe e fiksuar, ku aplikantët mund të plotësojnë dokumentet e fundit. Arsyeja kryesore e aplikimit të shqiptarëve për vizë në ambasadën amerikane janë vizitat te të afërmit e tyre atje. Sipas zyrës federale të regjistrimit të përgjithshëm, në vitin 2006, numri i shqiptarëve rezidentë në Amerikë, përllogaritej në mbi 150 mijë vetë, të instaluar kryesisht në bregun lindor. Programi i Lotarisë Amerikane, i autorizuar nga Kongresi Amerikan, administrohet vit për vit nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ky akt vë në dispozicion çdo vit një maksimum prej 50.000 vizash emigrimi për persona nga shtete me raport të ulët emigrimi. Ndër masat e marra pas 11 shtatorit, ishte edhe vënia në jetë e një sistemi elektronik autorizimi për shtetasit e disa vendeve që udhëtonin pa vizë drejt Shteteve të Bashkuara. Po pse duhet të dinë shqiptarët se çfarë është ky program? Në fakt, kjo ditë nuk ka për të qenë e afërt. Megjithëse "Visa Waiver Program" ka filluar të aplikohet që prej vitit ‘86, aktualisht vendet që përfitojnë janë vetëm këto, çka do të thotë se qytetarët e 12 vendeve të Bashkimit Evropian ende kanë nevojë për vizë për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara. Edhe për shumë kohë akoma, e vetmja mundësi për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara mbetet një vizë.