E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, shfrytëzohej si prostitutë, e reja denoncon tutorët

Tre të rinj nga qyteti i Vlorës, të cilët detyronin prej dy muajsh një 21- vjeçare që të prostituonte, janë zbuluar nga policia. Njëri prej tyre është ndaluar, ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Lef Sallata" të këtij qyteti, kur në një banesë të pabanuar aktualisht nga asnjë njeri është kapur 21- vjeçarja me inicialet D. H. Sapo ka rënë në duart e policisë, ajo ka deklaruar se nën dhunën e tre të rinjve ka qenë e detyruar që për dy muaj të shiste trupin e saj ndaj çmimeve të ndryshme, që ajo nuk i mori kurrë vesh sepse ishte e detyruar të shkonte me klientë që ia binin tre të rinjtë. 21- vjeçarja, banuese në lagjen "Lirim" të këtij qyteti, ishte shpallur në kërkim qysh prej dy muajsh, kur familjarët e saj kanë bërë denoncim në komisariatin e policisë për zhdukjen misterioze të vajzës së tyre. Ata as që e mendonin se ajo ndodhej në qytet, duke bërë prostitutën. Vajza e kapur nga policia nuk ka ngurruar qysh në momentin e parë, që të bëjë të ditur edhe tutorët e saj. Njëri prej tyre, Enea Prifti ka rënë menjëherë në duart e uniformave blu, ndërkohë që dy të tjerët janë shpallur në kërkim. 22- vjeçari Prifti, lindur në qytetin e Fierit dhe banues në lagjen 10 korriku të qytetit bregdetar është tashmë banor i dhomave të paraburgimit të komisariatit të policisë me akuzën e "detyrimit të të tretëve për ushtrim prostitucioni". Për arsye hetimi nuk bëhen të ditura emrat e dy personave të tjerë që janë shpallur në kërkim nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›