PDK: Prokuroria të zbardhë sa më shpejt tragjedinë e Gërdecit
Partia Demokristiane i kërkon Prokurorisë të zbardhë tragjedinë e Gërdecit dhe të çojë para drejtësisë përgjegjësit e saj. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i kësaj partie, Vladimir Beja, tha se qeveria duhet të thellojë reformën në institucionet e sigurisë kombëtare. “Ne i kërkojmë Prokurorisë së Përgjithshme që të shpejtojë procesin e hetimit, të zbardhë tragjedinë e Gërdecit dhe të vërë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat e implikuar në këtë tragjedi, sepse vetëm kështu reformimi i institucioneve të sigurisë do të çlirohet nga kompleksi i Gërdecit. PDK shpreh keqardhjen e saj që gjendet jashtë qeverisjes në këto momente vendimtare për suksesin e reformave, por ajo nëpërmjet grupit të saj parlamentar, do të japë gjithë kontributin e vet për modernizimin e institucioneve të sigurisë dhe realizimin e standardeve evropiane në këto institucione”, u shpreh Beja. Sipas tij, “shqetësimi i diplomatëve të huaj se Shqipëria po bën hapa prapa me reformat, duke vënë në pikëpyetje anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, lidhet së pari me ritmin e ngadaltë të reformave në institucionet tona të sigurisë kombëtare, si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror”.