E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Patozi: PD, e hapur për shkrirje partish dhe koalicione

 

Pavarësisht formulës që do të përdoret për bashkimin e të djathtës, e rëndësishme është që në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm të mos humbasë asnjë votë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, tha dje në një prononcim për mediat se të gjitha format e bashkëpunimit mes së djathtës do të jenë në tavolinën e bisedimeve, pa përjashtuar opsionin e shkrirjes. “Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, që ka shumë hyrje e dalje dhe besoj se të gjitha lëvizjet në funksion të fitores janë të mirëpritura. Me këtë kam parasysh shkrirjen me disa parti apo krijimin e disa blloqeve brenda të djathtës. E rëndësishme është që ne të hyjmë si koalicion, në mënyrë që asnjë votë e maxhorancës të mos shkojë në kampin tjetër”, u shpreh nënkryetari demokrat. Patozi bëri të ditur se maxhoranca do të fitojë një tjetër mandat qeverisës, pasi në vlerësimin e tij opozita është duke bërë pushim. “Besoj që do t’i krijojmë kushtet dhe lehtësitë opozitës që të pushojë të paktën edhe për 5 vitet e tjera e qetë dhe me cilësi”, theksoi Patozi. Pas nisjes së negociatave nga e majta për daljen së bashku në zgjedhjet e ardhshme, nga krahu tjetër duket se ende nuk ka ardhur momenti për të nisur bisedimet. Sipas Patozit, gjithçka do të nisë në shtator dhe të gjitha formulat e bashkëpunimit janë për t’u diskutuar me partitë aleate. Vetë Kryeministri Berisha është shprehur i hapur pak kohë më parë për të diskutuar me aleatët, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e shkrirjes së disa prej partive të koalicionit me Partinë Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›