PDK: “Qeveria të hartojë aktet nënligjore kundër dhunës në familje”
Grupi Parlamentar i Partisë Demokristiane do t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë që të ndikojë fuqishëm te qeveria për hartimin e akteve nënligjore kundër dhunës në familje. Një gjë e tillë është bërë e ditur dje nga zëdhënësja politike e kësaj partie, Ernestina Halili. Ajo tha se deputetët e PDK-së do të votojnë aktet nënligjore të propozuara nga qeveria, për evitimin e dhunës në familje. “Megjithëse ka një vit që ligji kundër dhunës në familje është miratuar nga Kuvendi, ai deri më tani është i pazbatueshëm pasi mungojnë aktet nënligjore. Në këto rrethana PDK gjykon se me procedurë të përshpejtuar qeveria duhet të sjellë për miratim në Kuvend aktet nënligjore me qëllim që të marrë fund spiralja e dhunës në familje. PDK-ja siguron se deputetët e saj do të votojnë pro jo vetëm ndaj këtyre akteve ligjore, por edhe ndaj çdo nisme ligjore dhe civile e cila synon të frenojë dhe të çrrënjosë përfundimisht psikologjinë e dhunës”, - tha zëdhënësja politike e PD-së, Ernestina Halili.
17 Dhjetor 2007