PDK: “Të larguarit nuk i lidh asnjë gjë me demokristianët”
Partia Demokristiane ka reaguar në lidhje me akuzat që ka lëshuar ish-kryetari i Grupit Parlamentar, Pashk Ujka, së bashku me dy zëvendësministrat, Gurakuqi dhe Bushati. Kryetari i Grupit Parlamentar Demokristian, Ndue Shpani, u shpreh dje gjatë një konference shtypi se të larguarit në fjalë nuk i lidh asnjë gjë me alternativën demokristiane. Sipas Shpanit, të larguarit nuk kanë mbrojtur këtë alternativë në Kuvend. “Lidhur me zhvillimet e fundit në PDK, për ne është e qartë se nuk kemi të bëjmë me ndarje dhe as me konflikte parimore. Ju e dini se ish-drejtuesit e Grupit Parlamentar të PDK-së gjatë 6 muajve të fundit kanë dhënë vetëm 2-3 deklarata politike dhe në çdo rast ato nuk kanë qenë në mbrojtje të alternativës tonë parlamentare, por kundër kryetarit të partisë dhe vetë rolit të PDK-së në jetën politike. Gjithashtu është e papranueshme për një parti që ndonjë zyrtar apo deputet të kërkojë poste drejtuese, ndërkohë që në Gjykatën e Tiranës ka regjistruar një parti tjetër politike. Askush nuk mund të përdorë siglën e PDK-së për qëllime personale karrieriste”, - reagoi ashpër Shpani. Po dje janë mbledhur më vete të larguarit nga PDK-ja, të cilët kërkuan largimin e kryetarit të PDK-së Nard Ndoka, të cilin e kanë konsideruar si “pushtues” të PDK-së. Kreu i Grupit Parlamentar, Shpani, ka reaguar edhe në lidhje me ndryshimet kushtetuese si dhe për Kodin e ri Zgjedhor. “PDK-ja ka kërkuar edhe më parë që reforma të përfshijë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që sistemi i ri proporcional të jetë i qartë, transparent dhe publik për të gjitha partitë politike dhe qytetarët. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje politike mirëbesimi me Partinë Demokratike dhe aleatët e tjerë në qeveri dhe i përmbahemi tërësisht asaj”, - tha Shpani.
28 Prill 2008